Aktori Naser Rafuna i drejtohet Albin Kurtit dhe Hajrulla Çekut: Kemi shpresu në drejtësi dhe jo në “trashje të kapjes”

Aktori dhe skenaristi Naser Rafuna ka reaguar publikisht ndaj Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), duke e akuzuar për padrejtësi dhe mungesë transparence në ndarjen e fondeve për filma.

Ai tregon se, ndonëse ka aplikuar disa herë me projekte të rëndësishme dhe bashkëpunime ndërkombëtare, asnjëherë nuk ka fituar, duke e konsideruar të paracaktuar rezultatin e konkurseve.

Sipas Rafunës, edhe me ardhjen e qeverisë së re nuk ka pasur ndryshim, përkundrazi, kapja e institucioneve është trashur.

SHKRIMI I PLOTË:

Në këtë javë që po e lëmë , aplikova në QKK -Qendrën Kinematografike të Kosovës me dy skenare për film të metrazhit të gjatë . Kam aplikuar në të kaluarën edhe me skenar të fituesit të Oscar’s , kam aplikuar edhe me regjisor të huaj që ka fituar në Cannes…sivjet në muajin janar , aplikova me dy skenare tjera për film artistik të metrazhit të gjatë por nuk fitova, në fakt skam fituar asnjëherë, ndërsa në këtë javë në konkursin e QKK-së ,prapë aplikova me dy skenare tjerë me skenar të filmit artistik të metrazhit të gjatë dhe e di se nuk do të fitoj.

S’mundësh me fitu në një konkurs që i shtyhet afati për arsye se, ata që janë përcaktuar të fitojnë , nuk kishin gati dokumentacionin me kohë, nuk ishin gati producentët që duhet të fitojnë dy herë brenda një viti, apo edhe për ata që dikur ishin pjesë e QKK-së, shtyhet afati edhe për aplikuesit -bashkëpunëtorët e anëtarëve të jurisë e kështu me rradhë e me rradhë.

Kam pasë një ndjenjë , që me ardhjen e Albinit

me shokët e VV-së ,pra me ardhjen e erërave të reja politike ,do të sqarohej mjegulla e korrupsionit, do të digjeshin urat e klaneve kulturore. Por realiteti është si një rrëfim i ndalur mes dy kapitujsh: faqe të bardha shprese që presin ngjyrat e ndryshimit, por ngjyrat mbeten në kapak, të pandryshuara në një pikturë të njëjtë.

Është për lakmi, gjë që se kemi parë te pararendësit e tij, ku për çdo pjesëmarrje të ngjarjeve kulturore ,si një kompozitor i fjalëve, kryeministri ynë di të orkestrojë fjalët me të njëjtin virtuozitet që Rembranti fton dritën në pikturë, Bergmani ngadalëson kohën në film, apo Rahmaninovi ndez simfoninë e shpirtit.

Çdo premierë, çdo koncert, çdo ekspozitë bëhet skenë madhështore , kur ai vlerëson vargje kritike e ‘celebrative’ që do t’ia kishte zili edhe Fernando Pesoa, ku në këto portrete artistike të madhërishëme, pikturon me pompozitet nëpër rrjetet e tija sociale,sa bukur. Pikturon bukur me fjalë , pa gabime drejtshkrimore, sikur një filolog që do të ia kishte lakmi edhe Çabej, por asnjëherë nuk skicoj një imazh të vërtetë të Ministrisë së Kulturës e shndërruar tash në fondacion të OJQ-ve apo rrugë furnizimi përmes institucioneve vartëse të kësaj ministrie për të afërm, të cekur si më lartë.

Nuk ka nevojë kryeministri ynë në detyrë për t’i studiuar definicionet e Zhak Derridas apo Zhille Deleuze’s që t’i kuptoj të saktë çka po ndodhë me kulturën në vend, apo si shkepen fondet për të , më saktësisht. Do të donin ta shihnin siç sheh ai, ç’pamje kap syri i tij, për lakmi… fort kishim dashur të ishte siç sheh …prapë fort kishim dashur të ishte. Por, …

Ky pushtet na premtuan rrugë drejt lirisë kulturore; por, në vend të kësaj, na udhëheq përmes një labirinti dhuratash të pangopura pa transparencë, pa drejtësi . E kapën QKK-në edhe këta përmes të deleguarës së vet, udhëheqëses së këtij institucioni, na premtuan se do ta ckapin shtetin, ua lanë në dorë atyre që e kishin kapur prej vitesh këtë institucion e përkundrazi, ua forcuan edhe më lidhjen. Kështu,besimi ynë që patëm në këtë udhëheqje, kthehet në tentativë të verbër për të gjetur dritën e vërtetë në mes hijeve të conveniencës politike , që as nuk e duam e as nuk na intereson. Na intereson vetëm kultura, arti, teatri, filmi posaqërisht tema e shkrimit – QKK-ja dhe asgjë tjetër.

Nuk fituam në këtë konkurs kur nuk ishit , krejt i dijmë padrejtësinë edhepse i heshti pushteti i ri, pushtet që ju sollëm për të vënë rregull, na e “ trashët zullumin”. Nuk kemi nevojë për mëshirë e as për lutje, përpos drejtësisë. E drejtësia do të rezultoj sipas asaj që është thënë më lartë: do të fitojnë ata, për cfarë është shtyer konkursi…

Kemi shpresu në drejtësi- jo në “trashje të kapjes” i nderuari Albin Kurti e Hajrulla Çeku me shokët dhe shoqen.

Gaza drejt katastrofës shëndetësore, spitali më i madh funksional ndalon pranimin e pacientëve

Gaza është pranë një katastrofe të re humanitare. Spitali më i madh funksional në rajon, kompleksi mjekësor “Nasser” në Khan Younis, është detyruar të ndalojë pranimin e pacientëve për shkak të mungesës kritike të karburantit dhe ofensivës tokësore izraelite që po zgjerohet në jug të qytetit.

Të enjten, dëshmitarët thanë se trupat dhe tanket izraelite kishin hyrë deri në një varrezë vetëm 200 metra nga spitali dhe kishin qëlluar drejt kampeve aty pranë, ku strehohen familje të zhvendosura. Sipas burimeve në terren, forcat izraelite u tërhoqën të premten, pasi kishin gërmuar disa zona.

Pavarësisht tërheqjes së përkohshme, situata në spital mbetet kritike. Dhjetëra pacientë në kujdes intensiv dhe stafi mjekësor janë ende brenda ndërtesës, ndërsa mungesa e karburantit kërcënon të paralizojë të gjitha shërbimet.

Dr. Saber al-Asmar, mjek urgjence në spitalin “Nasser”, tha për BBC se nuk kanë marrë asnjë njoftim paraprak nga ushtria izraelite lidhur me operacionin ushtarak apo ndonjë urdhër evakuimi.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar direkt rreth zhvillimeve, por mëngjesin e së premtes konfirmoi se një brigadë e blinduar po vepron në Khan Younis, duke synuar “çmontimin e infrastrukturës terroriste” dhe konfiskimin e armëve. Ndërkohë, civilët pranë portave të spitalit janë lënduar nga plumbat, sipas dëshmitarëve.

Vritet shqiptari Agim Muharremi, pjesëtar i ushtrisë maqedonase

Agim Muharremi, pjesëtar i Armatës së Maqedonisë së Veriut është vrarë paraditen e sotme në fshatin Batnicë të Shkupit.

49-vjeçari dyshohet se është vrarë nga një person te ura në hyrje të fshatit Batincë.

Siç raporton Alsat M, i dyshuari është në kërkim nga Policia e Maqedonisë së Veriut.

Vdekjen e ushtarit Muharremi e ka konfirmuar ekipi i Spitalit të Qytetit “Shën Naumi i Ohrit”.

“Policia nga vendi i ngjarjes ka sekuestruar prova të cilat mund të trasojnë pistat e hetimit për zbardhjen e rastit. Motivi akoma mbetet i pa njohur. Në rrethana jo zyrtare mësohet se dorasi është preson i njohur për organet e rendit dhe me precedent penal”.

“Gjatë aktit të vrasjes, viktima ka qenë i shoqëruar edhe nga një person tjetër, ndërsa për dorasin grupi hetimor është duke mbledhur informacione nëse është asistuar ose jo nga ndokush që mund ta ketë njoftuar për lëvizjet e tashmë të ndjerit”, thuhet në artikullin e Alsat M.

Ndërkohë ARM-ja ka konfirmuar se një pjesëtarë i tyre është vrarë duke njoftuar se Muharremi sot ka shfrytëzuar ditën e lirë, pra në momentin e vrasjes nuk ka qenë në punë dhe as në uniformë

Avokati i familjes Ademaj: Liridona e kuptoi tradhtinë, Naimi s’e donte më martesën

Leutrim Syla, avokati i familjes Ademaj thotë se Naim Murseli e ka pasur një aferë dashurie, dhe tashmë e ndjera Liridona Ahmetajn e kishte kuptuar tradhtinë bashkëshortore.

Syla në emisionin Frontal në T7 tha se në momentin kur Liridona e ka kuptuar ka kërkuar llogari nga Naim Murseli, dhe tani ky e fundit e ka kuptuar që nuk është për martesë. Aty thotë se kanë filluar acarimet e raporteve mes tyre.

“Liridona e ka vërejt, dhe e kanë pas një rast tradhtije bashkëshortore. Naimi ka pasur një aferë me një person, që Liridona  e ka kuptu, ka qenë një person që ka qenë i afërt me familjen e Naim Murselit, e që Liridona e ka njoftë atë vajzën. Nuk po du me hy në detaje me përmend emra. Por ka qenë një prej problemeve që kanë ndiku në acarimin e raporteve. Naimi e ka kuptu që nuk është për martesë”, tha mes tjerash Syla.

Ta përkrahësh Benjamin Netanyahu është njëjtë si ta përkrahësh Slobodan Millosheviçin

Shkruan: Lirim Mehmetaj, gazetar.

Shqiptarët që e përkrahin regjimin diktatorial, barbarë e çnjerëzor të Benjamin Netanyahut në rastin më të mirë, as idenë s’e kanë çfarë po ndodhë në Izrael, në rastin më të keq janë thjesht fashistë të egër, qenie perverse që bëjnë dua pas të fortit.

Veçanërisht shqiptarët, që kanë duruar, parë e përjetuar torturën e Millosheviçit kundrejt tyre, ta përkrahin Netanyahu është si ta përkrahin kasapin që i masakroi ata vetë.

Dallimi i vetëm i Benjamin Netanyahu me Millosheviçin është se ky i pari ka vrarë më shumë njerëz se i dyti. Për nga metoda e operimit janë identikë.

Qeveria e Izraelit e ka bërë Rusinë e Putinit të duket e butë, njerëzore.

A e dini që 70 për qind e të vrarëve në Gaza nga kriminelët izraelitë janë gra dhe fëmijë?

Së paku deri me 3 korrik janë raportuar afër 60 mijë të vrarë. 99 për qind e tyre janë palestinezë. Kjo s’është luftë. Kjo është masakër.

Mbi 80 për qind e palestinezëve të vrarë janë civilë. Mos të futemi te dëmet materiale, është shfarosur një qytet i tërë, gërmadhë.

Sipas Save the Children, “Numri i fëmijëve të vrarë, mbi 3 mijë, në vetëm tre javët e para të bombardimeve në Gaza është më i madh se numri i vrarë në të gjitha konfliktet e armatosura globalisht – në më shumë se 20 vende për tre vitet e fundit”.

I pyetur për të përshkruar atë që ai dëshmoi në Gaza, doktori hebre nga Amerika, Mark Perlmutter u përgjigj: “Të gjitha fatkeqësitë që kam parë, të bëra bashkë – 40 misione humanitare në 30 vjet punë, të gjitha këto të kombinuara – nuk janë të barabarta me nivelin dhe masakrën që pashë kundër civilëve vetëm në javën time të parë në Gaza”.

Për ata që nuk e dinë, Netanyahu u fut në luftë pasi përndryshe do të përfundonte në burg, për korrupsion, keqpërdorim detyre e plotë krime të kësaj natyre.

Madje, ai aktualisht është me aktakuzë.

E çohet shqiptarë zeza prej Kosove, përjetues i masakrave të ngjashme, edhe del bënë tifo për vrasje të fëmijëve.

Eksperti i emergjencës për rastin e policëve në Lipjan i jep të drejtë avokatit Besnik Berisha

Të enjten avokati Besnik Berisha, që mbron njërin nga policët e dyshuar në rastin e vdekjes së 27 vjetarit në Lipjan, pos komenteve për procesin penal, në një paraqitje televizive kishte komentuar edhe aspekte të thera të rastit.

Ai foli edhe për mënyrën se si ishte trajtuar, tashmë i ndjeri, dhe se a kishte gabime nga ana e mjekëve, e sidomos a kishte gabime nga ana e policëve, që sipas tij ata kanë vepruar krejt në përputhje me kompetencat ligjore që kanë.

Ai tha edhe se nuk bëhet fjalë për ngulfatje nga Policia.

“Por dyshohet që ka pasur edhe gjakderdhje celebrale. Po ta them këtë ty këtu, unë ta them ekskluzivisht, trupin e tij ke tri gjakderdhje konstatune, gjakderdhje cerebrale, pulmonare, kardiake. Unë po ta them ty këtu, a kam informacion a po qes fall  le të mbetet në emision”, ka thënë ai “Frontal” të T7.

Avokati Berisha, i cili mbron Endrit Beqirin, tha se e dyshohet që i ndjeri, Agon Zejnullahu ka pasur së paku tri gjakderdhje.

Një ditë pas komenteve të tij, në një koment publik ka reaguar edhe mjeku, ekspert i emergjencës, Doktor Besnik Ibraj.

“Besnik Berisha duke mos e prejudikuar shkakun e vdekjes, aspektin e intervenimit mjekësor je duke e sqaruar si me qenë profesor doktor i Mjekësisë Emergjente”, ka shkruar Doktor Ibraj, duke shtuar se edhe sipas tij, “stafi mjekësor as nuk e prek pacientin, por sillet rreth ambulancës”.

Çitaku pas vizitës së Kurtit dhe Berishajt në Srebrenicë: Fyerje e poshtërim për Kosovën dhe viktimat

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës dhe deputetja Vlora Çitaku ka reaguar ashpër ndaj vizitës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Srebrenicë.

Ajo e ka quajtur të papranueshme faktin që Kurti është shfaqur atje për të përkujtuar gjenocidin ndaj civilëve boshnjakë, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Sipas Çitakut, prania e Berishajt – një figurë e përfshirë në afera të dyshimta publike – në një vend ku nderohen viktimat e një krimi të rëndë si gjenocidi i Srebrenicës, është më shumë se mungesë ndjeshmërie.

Ajo e cilëson këtë veprim si një “fyerje dhe poshtërim” për Kosovën, për të mbijetuarit e masakrës dhe për të gjithë ata që kanë luftuar për drejtësi dhe të vërtetën.

“Kur përkujtimi shndërrohet në një spektakël hipokrizie, dhe kur në emër të viktimave përpiqesh të pastrosh imazhin e një personi me skandale, atëherë nuk flasim më për empati apo drejtësi, por për abuzim”, shkroi Çitaku.

“Para jush nuk keni kriminelë, por pesë policë që kryen punën e tyre…” – çka tha avokati i njërit prej policëve të dyshuar për vdekjen e Agon Zejnullahut

Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji pesë zyrtarëve policorë të dyshuar për vrasjen nga pakujdesia të Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit nga Lipjani që ndërroi jetë pas ndërhyrjes së tyre.

Gazeta Insajderi ka siguruar aktvendimin dhe deklarimin e mbrojtjes. Në seancën ku u shqyrtua kërkesa për paraburgim, avokati i të pandehurit, Albian Ratkoceri, Urim Vokshi, e kundërshtoi ashpër këtë masë, duke e cilësuar si të pabazuar dhe duke i cilësuar të mbrojturit e tij si zyrtarë që vetëm kanë kryer detyrën.

“Para jush nuk keni kriminelë, por pesë zyrtarë policorë, që kanë ardhur sot këtu vetëm pse e kanë kryer detyrën e tyre,” u shpreh avokati Vokshi në sallën e gjykatës.

Ai tha se prokuroria nuk ka sqaruar si duhet lidhjen shkak-pasojë mes veprimeve të policëve dhe vdekjes së të ndjerit, duke ngritur dyshime për bazueshmërinë e akuzës.

“…para jush nuk keni kriminel, keni zyrtarë policorë, që kanë ardhë sot këtu vetëm pse e kanë kryer detyrën e tyre andaj t’i trajtoni siç e meritojnë dhe kontakti fizik nuk të bën vrasës, tutje është e rëndësishme që prokuroria sqaron se nuk ekzistojnë rrethana të rrezikut të arratisjes apo të ndikimit në prova dhe dëshmitarë, por megjithatë prokuroria pretendon se plotësohet kushti nga neni 2.5.3 me arsyetimin pasi që në këtë çështje penale raportet mes palës së dëmtuar përkatësisht familjarëve të viktimës dhe të pandehurve janë të acaruara“.

Vokshi shtoi se kontaktet fizike nuk përbëjnë vetvetiu vrasje dhe se duhet të provohet se si pikërisht ndërhyrja ka shkaktuar vdekjen.

“Duke shtuar se, para jush nuk keni kriminel, keni zyrtarë policorë, që kanë ardhë sot këtu vetëm pse e kanë kryer detyrën e tyre andaj t’i trajtoni siç e meritojnë dhe kontakti fizik nuk të bën vrasës, tutje është e rëndësishme që prokuroria sqaron se nuk ekzistojnë rrethana të rrezikut të arratisjes apo të ndikimit në prova dhe dëshmitarë, por megjithatë prokuroria pretendon se plotësohet kushti nga neni 2.5.3 me arsyetimin pasi që në këtë çështje penale raportet mes palës së dëmtuar përkatësisht familjarëve të viktimës dhe të pandehurve janë të acaruara”, ka thënë ai.

Avokati hodhi gjithashtu kritika ndaj mënyrës se si është trajtuar rasti në opinionin publik, duke përmendur se vendimi për paraburgim mund të jetë ndikuar nga presioni i ndjeshmërisë së lartë shoqëror

Sidoqoftë, gjykata ka konstatuar se ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe i përsëritjes së veprës penale, duke arsyetuar kështu vendosjen e masës së paraburgimit.

27-vjeçari Agon Zejnullahu vdiq në orët e para të 7 korrikut në Lipjan, pasi u arrestua nga policia nën dyshimin se në gjendje të dehur po sulmonte automjete e kalimtarë.

Lidhur me rastin, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërkaq Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre.

eKosova lanson një shërbim të ri

Platforma elektronike e shërbimeve, eKosova, ka lansuar një shërbim të ri.

Ky opsion do t’iu hyjë në shërbim bashkatdhetarëve tanë, shkruan IndeksOnline.

Bëhet fjalë për caktimin e terminëve për misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, tani edhe në Dyseldorf.

Përmes këtij shërbimi mund të nxirrni fletudhëtim, certifikata të lindjes, të martesës, të vdekjes, të regjistrohen faktet e lindjes, martesës, vdekjes, të bëhet pajimi me letërnjoftim e pasaportë, e kështu me radhë.

Shërbimet në fjalë janë në dispozicion për ambasadat në Angli, Austri, Gjermani, Itali e Slloveni, si dhe konsullatat e Republikës në këto shtete.

Ky është linku ku mund të kryeni shërbimet: https://ekosova.rks-gov.net/Public/497

E konfirmon policia – Shkarkohen komandantët e Policisë në Pejë, Suharekë e Klinë, emërohen komandantë të rinj

Policia e Kosovës e ka konfirmuar raportimin e “Betimi për Drejtësi” për ndryshime në pozitat drejtuese të komandantëve të stacioneve policore në Pejë, Suharekë dhe Klinë.

Sipas konfirmimit të Policisë, kapiten Faik Jahmurataj është caktuar Komandant i Stacionit Policor në Pejë, ndërsa kapiten Enis Lluka do të udhëheqë Stacionin Policor në Klinë.

Kapiten Afrim Sylaj, i cili më parë ka shërbyer në Stacionin Policor në Suharekë, është transferuar në Qendrën Rajonale Operative të Drejtorisë Rajonale në Prizren.

“Këto ndryshime bëhen me qëllim të rritjes së efikasitetit në menaxhim dhe përmbushjes së detyrave policore në përputhje me prioritetet operacionale të Policisë së Kosovës”, thuhet në konfirmimin e Policisë së Kosovës.

Policia ka konfirmuar se edhe komandanti i deritanishëm i Stacionit Policor në Lipjan, kapiten Argjent Gashi, ka kërkuar lirimin nga detyra, kërkesë që është aprovuar nga menaxhmenti i PK-së. Në këtë pozitë është emëruar kapiten Brahim Shatrolli.

Idriz Atashi, komandant i Stacionit Policor në Pejë, dyshohet se është shkarkuar pas publikimit të hulumtimit të “Betimit për Drejtësi”.

Ky hulumtim ka zbardhur detaje të rastit që çoi në arrestimin e dy eprorëve të lartë të Policisë – Prekë Tuna, shef i Sektorit të Operativës në Pejë, dhe Nexhat Gutiqi, shef i Sektorit Rajonal për Operativë. Hetimi ngriti dyshime serioze për ndërhyrje të mundshme në procedurat policore dhe shmangie nga detyrat zyrtare. Sipas të dhënave të siguruara, personi i përfshirë në rast kishte raporte shoqërore me zyrtarë të lartë policorë.

Pas publikimit të këtij hulumtimi, Tuna dhe Gutiqi u ndaluan për 48 orë me vendim të Prokurorisë Themelore në Pejë. Aktualisht, ata janë pezulluar nga detyra dhe u është caktuar masa e ndalimit të afrimit ndaj personave apo vendeve të caktuara. Prokuroria ka konfirmuar se ka vepruar pas pranimit të informacioneve nga “Betimi për Drejtësi”.

Në një rast tjetër, komandanti i Stacionit Policor në Suharekë, Afrim Sylaj, dyshohet se është shkarkuar pas vdekjes së një personi të ndaluar, i arrestuar nën dyshimin për dhunë në familje. Në këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) kishte rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë – një rreshter dhe dy policë – për shkak të dyshimeve për neglizhencë në përmbushjen e detyrave zyrtare.

Ndërkohë, komandanti i Stacionit Policor në Klinë, Ragip Bytyqi, dyshohet se është shkarkuar pas një rasti ku tre zyrtarë policorë u arrestuan për keqtrajtim të një qytetari gjatë arrestimit. Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, në bashkëpunim me IPK-në, pas grumbullimit dhe analizimit të provave, tre zyrtarët u arrestuan për tejkalim të autorizimeve ligjore dhe keqtrajtim fizik ndaj një personi të prangosur.

Komandanti i stacionit policor në Lipjan, Argjend Gashi kishte kërkuar të lirohet nga detyra pasi Agon Zejnullahu vdiq derisa ishte duke u arrestuar në qendër të qytetit. Pesë policë janë në masën e paraburgimit nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia.