Haziri – Memli Krasniqit: Jo 19, por 20 vota t’i japim…

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të ofrojë votat për kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në përpjekje për të dalë nga bllokada institucionale, por ka shprehur dyshime të mëdha nëse do të arrihej një shumicë e qëndrueshme.

Sipas tij, edhe nëse PDK siguron 20 vota, sërish kjo nuk do të mjaftonte për formimin e institucioneve të reja, pasi mungon vullneti për bashkëpunim nga partia e parë në vend.

“Nuk ka vullnet për bashkëpunim për të dalë nga kjo situatë nga partia e parë. Të tjerët janë të pa mjaftueshëm me ba në emër të partisë së parë. Jo 19, po 20 vota [Memli Krasniqit] se nuk duhet me nda vullnetin e një deputetit që e ka votën kundër për diçka, ne duhet të llogarisim në të gjithë”, tha Haziri në KlanKosova.

Ai shtoi se në këtë periudhë politike është e vështirë të mbizotërojë racionaliteti dhe se vendimet shpesh udhëhiqen nga qëllime politike.

“Më së vështiri është me qenë racional në këtë kohë, në jetë e politikën tonë. Nuk ka të bëjë krejt me racionalitet, këtu është edhe dëshira politike. Pritjet që partia e dytë me marrë mandatin prej presidentit për me kriju shumicën është e natyrshme, por jo e domosdoshme. Pra, presidentja mundet t`ia japë mandatin kujtdo që e formon shumicën, partisë së dytë, tretë. Nuk e jep sy mbyllur mandatin por kush e dëshmon që e ka shumicën”, deklaroi ai.

E rëndë: Kjo është 21 vjeçarja nga Kosova që vdiq aksidentalisht në Gjermani

Një 21-vjeçare nga Kosova ka ndërruar jetë në Reutlingen të Gjermanisë, pasi vetura e saj u përfshi në një vetaksident në autostradën B28.

Y.H, po udhëtonte me veturën e saj ditën e enjte, në momentin kur humbi kontrollin e veturës, që rrëshqiti dhe doli nga rruga, për t’u përmbysur më pas disa herë, shkruan IndeksOnline.

Sipas mediave gjermane, Autostrada B28, nga Metzingen drejt Reutlingen, u mbyll plotësisht pas aksidentit. Një helikopter shpëtimi u aktivizua, gjithashtu.

21-vjeçarja luftoi me vdekjen deri ditën e shtunë, por fatkeqësisht nuk i bëri ballë. Vdekjen e saj e njoftuan dje autoritetet gjermane.

Policia është duke e hetuar rastin dhe shkaqet e aksidentit.

Reagon punëtori i Trepçës i larguar nga puna: Shkova në Gjermani jo me dëshirë, por për të mbijetuar

Pas publikimit të vendimit nga Trepça Sh.A. për shkëputjen e kontratës së punës me punëtorin Fuad Maliqi për mungesë në vendin e punës, ka reaguar vetë Maliqi përmes një deklarate publike, ku jep versionin dhe arsyet e tij për mungesën pesëjavore.

Në shkrimin e tij, Maliqi pranon se nuk ka qenë prezent në punë për pesë javë, por thekson se kjo erdhi pas viteve të tëra të sakrificës, ku përmend pesë lëndime fizike në vendin e punës dhe punë në kushte të pasigurta, pa kërkuar kurrë më shumë sesa dinjitet dhe respekt.

“Nuk ishte mungesë përgjegjësie ajo që më detyroi të largohem – por mungesa e shpresës,” shkruan ai, duke theksuar se ndjehej i harruar dhe i trajtuar si një numër, jo si një njeri. Sipas tij, vendimi për largim nga puna është marrë pa tentuar të dëgjohet ose të kuptohet situata e tij.

Në rrëfimin e tij emocional, Maliqi tregon se është detyruar të largohet nga vendi për të filluar një jetë të re në Gjermani, si shumë të tjerë që, sipas tij, nuk emigrojnë për dëshirë, por për të mbijetuar.

“Trepça ka qenë krenaria e Kosovës. Por pa dinjitetin e punëtorëve të saj, ajo humb kuptimin,” shkruan ai në fund, duke e cilësuar deklaratën e tij si një kujtim, një thirrje dhe një protestë të heshtur për punëtorët që punojnë në terr, dhembje dhe heshtje.

Youtuberes shqiptare i vdes bashkëshorti në moshë të re

Youtuberja e njohur Ejona Blaceri gjatë ditës së sotme ka ndarë lajmin e trisht me ndjekësit.

Ajo ka njoftuar se ka ndërruar jetë bashkëshorti i saj në moshë të re, shkruan “Kosovarja”.

“I miri jone, ti nuk e meritoje këtë ikje, Reit i mungon përkëdhelja jote çdo mëngjes” ishin fjalët e Ejonës.

Tutje ajo ka vazhduar duke u shprehur se e ka të vështir jetën pa prezencën e bashkëshortit.

Mustafa: Vjosa Osmani duhet të sqarohet, pse s’qëndroi në Kosovë kur kishte informacione për agresion serb të parandaluar nga Trump

Vjosa Osmani duhet ta bëjë vetëm një ‘sqarim’: pse kur ka [dhe nëse ka] informacione të tilla [për agresion serb në bërje, të parandaluar nga Trump] nuk qëndroi dhe nuk qëndron në Kosovë për t’u ballafaquar me situatën?

Vetëm kaq sqarim i detyrohet vendit – në konferencën e njoftuar për media ‘nga mesi i javës’ – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Kështu tha Isa Mustafa, ish-Kryeministri i Kosovës, në një përgigje për ‘Nacionale’ pyetur rreth fjalëve të saj të dhëna në ShBA që u bënë brum për debat të ashpër në vend; për çka edhe s’vonoi përgënjeshtrimi nga emisari amerikan, Richard Grenell, i cili i atribuoi ‘manipulim’ dhe ‘turp’ fjalëve të saj.

Por, jo veç për ‘konfirmim’ kontraverz të fjalëve të Trump, Isa Mustafa rikujton ashpërsinë dhe kundërshtimin e madh të Vjosa Osmanit – në linjë me Vetëvendosjen – ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit, që tash Osmani e lartësoi si marrëveshje të mirë dhe, për më tepër, që “është zbatuar”.

Krejt kjo për Isa Mustafën përbën “mashtrim” nga ana e Vjosa Osmanit, ndërsa tash sheh që ajo bëhet “altoparlante e gabuar”.

“Sa i përket Presidentit Trump, mendoj se nuk i takon znj. Osmani që të interpretojë apo keqinterpretojë fjalët dhe vlerësimet e tij. Çështjet e sigurisë nuk janë të domenit të interpretimit por të bashkëpunimit dhe të komunikimit. Trump është në Kosovë, sepse këtu janë ushtarët e tij, këtu është NATO, e cila nuk është deklaruar në asnjë rast për këtë rrezik, dhe nuk ka ndryshuar shkallën e mobilizimit ushtarak- luftarak”, tha Isa Mustafa.

Por edhe qysh në premisa, Isa Mustafa, e she krejt këtë tregim në dyshim.

“Është e rendit, që kur Presidentja apo Kryeministri ka informacione mbi rreziqet ndaj sigurisë së vendit, ta thërrasin Këshillin e Sigurisë dhe ta njoftojnë edhe opinionin për atë që mund të njoftohet. Po ashtu, kur ka informacione se vendit po i kanoset rreziku nga Serbia, atëherë Presidentja, si komandante supreme, qëndron në shtetin e saj, që më së paku i ngjanë Presidentes Osmani. Ajo në këtë situatë,’të kohëve të fundit’, e cila thotë se është njoftuar nga brifingje të rregullta për rrezikun nga Serbia, më shumë ka qëndruar në vizita jashtë vendit se sa në Kosovë. Kjo tregon se diçka nuk është në rregull, ose me brifingjet ose me seriozitetin e detyrës së saj si komandante supreme, të cilin atribut ka qejf ta përsërisë shpesh”, tha ai.

‘Mashtrimi’ i Osmanit për Marrëveshjen e Uashingtonit

Për Marrëveshjen e Uashingtonit dhe kundërshtimin e saj – që Osmani e vlerësonte “kundër rendit kushtetues” – Isa Mustafa rikujton se me atë tiketë Osmani dhe Vetëvendosja edhe kanë ardhë në pushtet, dhe “të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me Trumpin dhe përfaqësuesit e tij janë eliminuar nga skena politike në Kosovë”.

Por, fatkeqësisht – thotë Mustafa – nënshkruesi i asaj marrëveshje, Avdullah Hoti, përveç që është sulmuar dhe kritikuar në masë të madhe nga Osmani dhe Vetëvendosje, “është margjinalizur edhe nga partia e tij (LDK)”.

“Presidenti Trump në vitin 2020, përmes përfaqësuesit të tij special, Richard Grenel, arriti ti ul përfaqësuesit më të lartë shtetëror të Serbisë dhe të Kosovës në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, takim ky që rezultoi me një marrëveshje shumë të dobishme për të dy shtetet. Zonja Osmani ka kundërshtuar këtë marrëveshje dhe mbi bazën e këtyre kundërshtimeve ka ardhur në pushtet së bashku me z. Kurti. Atëherë mendohej se Trump iku, se nuk kthehet, e tani kur u kthye shumë i fortë, mundohen ta mashtrojnë se e kanë implementuar marrëveshjen dhe të bëhen altoparlantë të gabuar të tij.

Të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me Trumpin dhe përfaqësuesit e tij janë eliminuar nga skena politike në Kosovë. Dihet, po ashtu, botërisht se marrëveshja nuk është zbatuar në asnjë pikë. Se Kryeministri i atëhershëm Avdullah Hoti, si nënshkrues i saj është sulmuar dhe kritikuar, për fat të keq jo vetëm nga VV dhe znj. Osmani por është margjinalizuar edhe nga partia e tij”, tha Isa Mustafa për Nacionale.

20-vjeçari nga Rahoveci që vdiq në pushime, mësohen detaje të reja

Të hënën e 14 korrikut, Anid Hoxha, 20-vjeçari nga Rahovenci ka vdekur në plazhin e Dhërmiut.

Sipas raportit të policisë shqiptare, i riu ishte duke luajtur volejboll në një nga plazhet në Dhërmi.

“Specialistët e Stacionit të Policisë Dhërmi referuan materiale për vlerësim, pasi më datë 14.07.2025, pranë një plazhi në Dhërmi, në fushën e volejbollit, dyshohet se ka humbur jetën për shkaqe natyrale shtetasi A. H., 20 vjeç, banues në Kosovë, i cili ndodhej me pushime së bashku me shoqërinë e tij”, thuhet në raport.

Për 20-vjeçarin shkroi edhe Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

E vrau ish-gruan në vitin 2024, Valon Aliut i bëhet ekzaminimi psikiatrik

Në Gjykatën Themelore të Ferizaj pritet të mbahet sot seanca gjyqësore ndaj Valon Aliut, që dyshohet se e vrau ish-gruan Erona Coklin, më 12 prill 2024 te Qendra për Punë Sociale në Ferizaj.

Ai po aty dyshohet se ai plagosi edhe vellain, derisa këta e çuan për ta parë djalin te QPS-ja.

Aliu e kishte gjuajtur të ndjerën me armë zjarri në kraharor dhe pastaj vëllain e saj në krahun e tij të djathtë.

Derisa e ndjera kishte filluar të largohej ai dyshohet se e kishte goditur edhe njëherë në gjoks dhe pastaj në anën e majt të kokës.

Për vrasjen e rëndë që dyshohet se e bëri Valon Aliu, i është bërë ekzaminim psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, i cili e nxori mirë psikikisht.

Mjeku Arsim Gashi që ia bëri këtë ekzaminim është thirrur të dëgjohet sot në gjykatë me kërkesë të avokatit të familjes Cokli

E dhimbshme: Disa ditë pasi i vdiq i biri në aksident, vdes edhe polici nga Peja

Ka ndërruar jetë edhe personi i dytë nga aksidenti që ndodhi më 9 korrik në Nabërgjan të Pejës.

Bëhet fjalë për Mehmet Kelmendin, i cili ishte zyrtar policor në Pejë.

Disa ditë më parë, në këtë ngjarje tragjike, ai humbi edhe të birin, Arbër Kelmendin, 35 vjeç.

Varrimi i Mehmet Kelmendit, 65 vjeç, sipas njoftimit do të bëhet nesër, ndërsa koha e saktë e varrimit do të bëhet e ditur.

Ceremonia e varrimit do të zhvillohet në fshatin Lutogllavë.

 

E rëndë: Vdes i riu Anid Hoxha nga Rahoveci, po qëndronte me shokët në bregdetin shqiptar

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, ka njoftuar për ndarjen nga jeta të 20-vjeçarit nga Rahoveci, Anid Samir Hoxha.

Ai tha se Anidi po qëndronte për pushime në bregdetin shqiptar.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të 20-vjeçarit nga Rahoveci, Anid Samir Hoxha.

Anidi po qëndronte për pushime në bregdetin shqiptar, së bashku me shokët e tij.

Kjo humbje e papritur na preku thellë të gjithëve, familjen, shokët dhe secilin që e njohu Anidin, si djalë të mirë e të dashur.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Hoxha, miqtë dhe për të gjithë ata që ndjejnë dhimbjen e kësaj humbjeje të rëndë. Qoftë i lehtë dheu për Anidin!”.

“Kapitull i ri”, Dafina jep lajmin e papritur

Këngëtarja e njohur Dafina Zeqiri ka ndarë me ndjekësit e saj një mesazh të fuqishëm në rrjete sociale, duke dhënë sinjale të qarta se ka mbyllur një periudhë jo të lehtë të jetës së saj.

Kur largohesh prej toksicitetit, e kupton sa e mbyllun ke qenë”, shkruan ajo, duke shtuar se tani ndjehet e lirë, e lumtur dhe e shëndetshme. Me një zemër të bardhë në fund, Dafina duket se ka vendosur të fokusohet në vetveten dhe në një rrugëtim të ri profesional dhe personal.

Ajo la të kuptohet se është në fazë ndryshimesh të mëdha, duke shkruar: “Ekip i ri. Synime t’reja. Kapitull i ri.” Ndërsa mesazhin e saj e shoqëroi me hashtagë si #BigTeam, #BiggerGoals dhe #NewEra, duke theksuar fillimin e një epoke të re në karrierë dhe ndoshta edhe në jetën private.