KEDS tregon se në cilat vende do të ketë ndërprerje të rrymës të dielën

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se të dielën, më 03.08.2025, do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

Si rezultat i kësaj, në disa lokalitete të rajonit të Prishtinës do të ketë ndërprerje të rrymës.

Ky është orari i ndërprerjeve:

Nga TS 110/35/10[kV] Palaj do të ndërprehet:

LP 10kV J05 Prelluzha (kodi: 18024003) nga ora 10:00 deri 13:00

Vendet: Fidanishte, Fidanishte Kastriot, Hashanët, Elektro monti, Palaj. Stanovci i Ulët, Prilluzhë, Lumi i Madh, Gllavotin, Bivolak ,Zhilivodë,Strovc dhe Bequk.

Arsyeja: Punime sipas pëlqimit elektro-energjetik.

2.

Nga TS 220/35/10(20)kV Podujeva do të ndërprehet nga ora 10:00 deri 16:00:

1.TS 10/04kV Besiana (kodi: 14000004022)

2.TS 10/04kV JAHA COMPANY (kodi: 14000004357)

Vendet: Rr. 21.Nazim Gafurri dhe JAHA COMPANY.

Arsyeja: Punët që duhet të kryhen sipas pëlqimit elektro-energjetik.

‘Shihe ti tash’ – Mërgimtari pasi e ndali policia: E mbytën një, tash mbytëm edhe mu se ja keni nis

Një mërgimtar ka xhiruar veten pasi u ndalua nga Policia e Kosovës në trafik ku pretendon për keqtrajtim të tij nga zyrtarët policor me dramë të jashtëzakonshme, aq sa thotë që jeta iu paska rrezikuar, transmeton Gazeta Metro.

Në një video që e publikoi portali KosovaSot të shtunën jo vetëm që shfaqet i pakënaqur me keqtrajtimin e pretenduar në atë xhirim por edhe lëshon deklarata të pamatura për Policinë e Kosovës.

“Unë jam evropian, s’jam tu ni i sigurt n’Kosovë. E mbytën një, tash mbytëm edhe mu se ja keni nis, rend po mytni…”

Në xhirim nuk vërehet ndonjë trajtim jashtë rutinës nga zyrtarët policor. E as nuk pengohet të xhirojë ky individ deri në momentin kur i drejtohet kamera zyrtarit për t’ia zbuluar identitetin. Çka vërehet është se ishte një ndalim rutinë për  kundërvajtje në trafik nga aq sa duket nga xhirimi./gazetametro,net

Kur profesori përdor gjuhë përçarëse, Latifi i quan taliban kritikët e Sunny Hill

Suksesin e festivalit Sunny Hill në Prishtinë nuk e kanë parë me sy të mirë qarqe ekstremiste islamiste në Kosovë, që është sinjal i mirë siç e konsideron profesori Blerim Latifi, transmeton Gazeta Metro.


Latifi e preu shkurt e direkt se pak brengoset për këto qendrime të këtyre qarqeve duke e dalluar edhe shkëputjen kulturore që e kanë me vendin ku jetojnë

“Nata e parë e Sunny Hill Festival. Çfarë dhimbje e fortë koke për talibanët që flasin shqip, por truri u punon me skema t’Kabulit” – shkruan Latifi të shtunën me batutën e n=nkuptuar se do të vuajnë edhe dy të tjera.

Festivali u konsiderua një kulm i skenës argëtuese kosovare të pas luftës me pjesëmarrje jo vetëm të figurave të njohura të skenës botërore por edhe të vizitorëve nga jashtë Kosove.

Promovimi i pozitiv Kosovës u vlerësua nga të gjithë në vend dhe ka vëmendje edhe nga jashtë me mbulim të mediave prestigjioze.

E rëndë: Foshnja dërgohet pa shenja jete në spital

Policia ka njoftuar se një foshnje është sjellë pa shenja jete në repartin e emergjencës. Rasti ka ndodhur në fshatin Dugajevë të Klinës.

Lajmin për Periskopin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Mjeku kujdestar ka konstatuar se fëmija ka ardhur pa shenja jete”, tha ai.

Gashi ka treguar se Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe ka njoftuar menjëherë Prokurorinë për rastin.

Presidenti kroat shpërthen ndaj Izraelit: Nuk kemi punë me një shtet të tillë

Kroacia ka ndërprerë çdo formë bashkëpunimi ushtarak me Izraelin, sipas një urdhri të lëshuar nga Presidenti Zoran Milanoviç, i cili vepron edhe si Komandant Suprem i Forcave të Armatosura.

Raporti i transmetuar nga RTL njofton se dy muaj e gjysmë pas seancës së Këshillit të Mbrojtjes më 23 maj, Forcat e Armatosura Kroate nuk kanë zhvilluar asnjë aktivitet të përbashkët me ushtrinë izraelite.

Ky urdhër presidencial u njoftua për Kryeministrin gjatë seancës shtetërore dhe ka ndalur edhe tregtinë e armëve me Izraelin, ndërsa takimet e planifikuara për shkëmbim përvojash janë anuluar.

Në një prononcim të fundit, presidenti Milanoviç u shpreh ashpër:

“Ne nuk duhet të kemi të bëjmë fare me një vend të tillë, është një politikë kriminale”.

Ministria kroate e Mbrojtjes ka konfirmuar edhe ajo publikisht që nuk ka asnjë bashkëpunim ushtarak aktual me Izraelin, duke respektuar vendimin zyrtar të Komandantit Suprem.

Përparim Rama i thotë gazetares loçkë, reagon AGK’ja

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar gjuhën dhe sjelljen e kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, ndaj gazetares së Reporterit, Leonora Kolukaj.

AGK-ja tha se e cilëson të papranueshme sjelljen dhe gjuhën e përdorur nga Rama në drejtim të gazetares së “Reporterit”.

“Gazetarja ka provuar t’i bëjë pyetje zotit Rama para një konference shtypi, dhe ka hasur në sjellje të papërshtatshme të tij dhe stafit. Rama dëgjohet duke e quajtur “loçkë”, gazetaren, një gjuhë e përsëritur e tij me tone seksiste ndaj gazetareve gra. Ndërkohë, gjithashtu gazetarja shtyhet fizikisht nga ekipi i tij”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Tutje, AGK-ja tha se e dënon fuqishëm këtë qasje të Ramës dhe stafit të tij, teksa e ka ftuar që të përgjigjet në pyetjet e interesit publik dhe t’i trajtojë gazetarët dhe mediet në mënyrë profesionale.

Ky është burri që dyshohet se e sulmoi deputetin e Kuvendit së bashku me familjen e tij

Një incident i rëndë ka ndodhur dje, rreth orës 18:10, në fshatin Zlipotok të Dragashit, ku deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha, bashkë me bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur, janë sulmuar fizikisht dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Fillimisht, viktimat janë paraqitur në QKMF-në e Dragashit dhe më pas janë dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku lëndimet e tyre janë klasifikuar si të lehta trupore

Raportohet se i dyshuari për këtë sulm është Safet Kuši, 61-vjeç, banor i fshatit Zlipotok.

Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, ndaj tij është iniciuar rasti “Lëndim i lehtë trupor” dhe është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Motivi i sulmit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, ndërkohë që hetimet janë në zhvillim dhe autoritetet po e trajtojnë rastin me ndjeshmëri të lartë për shkak të përfshirjes së një zyrtari të lartë shtetëror.

Sulmohet deputeti i Kuvendit të Kosovës – përfundon në spital bashkë me familjen

Një incident i rëndë ka ndodhur më 1 gusht në fshatin Zlipotok të Dragashit, ku deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha, bashkë me bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur, janë përfshirë në një përleshje fizike me një person të dyshuar, S.K., 61 vjeç.

Të lënduarit kanë kërkuar ndihmë fillimisht në QKMF-në e Dragashit dhe më pas janë dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku lëndimet janë klasifikuar si të lehta trupore.

Policia ka nisur hetimet menjëherë dhe ka ndaluar të dyshuarin për 48 orë me urdhër të prokurorit, ndërsa rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”, raporton Sinjali, transmeton Insajderi.

Shkuan për t’i arrestuar por përfunduan në spital, dy policë rrahen nga tre persona

Dy zyrtarë policorë janë sulmuar fizikisht në fshatin Drobesh të komunës së Vitisë, gjatë një përpjekjeje për të arrestuar tre persona të dyshuar. Ngjarja ka ndodhur kur të dyshuarit kanë kundërshtuar me forcë arrestimin, duke iu shkaktuar lëndime trupore policëve, njofton Policia e Kosovës.

Sipas raportit policor, dy nga tre të dyshuarit janë arrestuar në vendngjarje, ndërsa njëri prej tyre ndodhet ende në arrati.

“Është raportuar se dy viktima meshkuj kosovarë – zyrtarë policorë, kanë hasur në rezistencë gjatë tentim-arrestimit të tre personave të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët i kanë sulmuar fizikisht. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. Dy nga të dyshuarit janë arrestuar, ndërsa i treti gjendet në arrati. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, njëri nga të arrestuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Arrestohet mërgimtari i cili shkaktoi aksidentin ku vdiq një motoçiklist

Është arrestuar një burrë shqiptar me shtetësi gjermane, i cili shkaktoi aksidentin me vdekje të premten në rrugën “Edmond Hoxha” në Prishtinë.

Si pasojë e aksidentit, mbeti i vdekur një i ri motoçiklist.

Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari shqiptar-shtetas i Gjermanisë, pasi që i njëjti derisa ishte duke drejtuar veturën ka shkaktuar aksidentin duke goditur motoçikletën të cilën ishte duke e drejtuar viktima mashkull kosovar, i cili ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.