LAJM I FUNDIT: Gjuajtje me armë te sheshi Skënderbeu në Prishtinë, ku po mbahej një koncert

Një incident me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së martës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku po mbahej një koncert me prezencë të madhe qytetarësh.

Sipas informacioneve fillestare të siguruara nga burime brenda hetuesisë për Gazetën Imazhi, nuk raportohet për persona të lënduar nga kjo ngjarje.

Policia e Kosovës ka arrestuar një person që dyshohet se është i përfshirë në rastin e të shtënave, ndërkohë që arma e zjarrit e përdorur është konfiskuar.

Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë, e cila sipas autoriteteve mund të jetë kyçe në zbardhjen e rrethanave të incidentit.

Gazeta Imazhi ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe është në pritje të një deklarate zyrtare nga zëdhënësit kompetentë. Detajet e reja do të publikohen menjëherë sapo të konfirmohen nga burimet zyrtare.

👉 Qëndroni me Gazetën Imazhi për më shumë informacione në vijim.

Kushtetuesja pezullon vendimin e Qeverisë

Gjykata Kushtetuese ka miratuar kërkesën e Komunës së Graçanicës për vendosjen e masës së përkohshme, pezullimin e vendimit të Qeverisë për dhënien e parcelave të kësaj Komune në shfrytëzim të shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit” për ndërtimin e qendrës rezidenciale për autizëm, sindromë down dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë.

Sipas vendimit të 5 gushtit 2025, masa e përkohshme do të jetë në fuqi në kohëzgjatje deri më 31 tetor 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Më 28 gusht 2024, Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi vendimin me të cilin disa parcela në Komunën e Graçanicës i jepen në në shfrytëzim Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” për ndërtimin e Kompleksit “Qendra Rezidenciale e Kosovës për autizëm, sindromë down, dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë” në periudhë prej 99 vitesh.

“Sipërfaqet/pjesët e ngastrave kadastrale Nr.150-0, 155-0 dhe 17-8 në pronësi të Komunës së Graçanicës, barten në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës për realizimin e interesit publik sipas pikës 1. të këtij Vendimi. Pas bartjes, me fuqi të këtij Vendimi, të njëjtat do ti jepen në shfrytëzim shoqatës bamirëse nga pika 2. e këtij Vendimi. Sipërfaqet/pjesët e ngastrave kadastrale të cekura në pikën 3. të këtij Vendimi dhe sipërfaqet/pjesët e ngastrave Nr.154-0 dhe 36-0 në pronësi të Republikës së Kosovës, i jepen në shfrytëzim Shoqatës Bamirëse “Jetimët e Ballkanit” për nevoja të ndërtimit të Kompleksit “Qendra Rezidenciale e Kosovës për autizëm, sindromë daun, dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë” sipas tabelës bashkëngjitur këtij Vendimi”, citohet vendimi i Qeverisë.

Kurse, obligohej Agjencia Kadastrale e Kosovës të kryejë të gjitha veprimet procedurale dhe gjeodezike (matjet dhe ndarjet) dhe të bëjë bartjen e sipërfaqeve/pjesëve të ngastrave në emër të Shoqata “Jetimët e Ballkanit” me seli në Prishtinë.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se Komuna e Graçanicës më 2 prill 2025 kishte dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, me të cilën kishte kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të Qeverisë, duke kërkuar nga Kushtetuesja të vendos masën e përkohshme për të pezulluar ex lege hyrjen në fuqi dhe zbatimin e vendimit të kontestuar, deri në vendosjen në merita të kërkesës nga Gjykata.

Komuna e Graçanicës ka kontestuar vendimin, me pretendimin se bie ndesh me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 52 [Përgjegjësia për Mjedisin Jetësor] të Kushtetutës. Po ashtu, pretendoi se procesi i miratimit të atij vendimi nuk ishte transparent, gjithëpërfshirës, por i njëanshëm dhe përjashtues.

“…duke marrë parasysh që Komuna e Graçanicës para miratimit të tij (i) nuk ishte njoftuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës apo Ministria kompetente e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; (ii) nuk është konsultuar gjatë përgatitjes së projektit të ndërtimit të qendrës banesore që do të realizohej në territorin e Komunës, gjë që prodhon pasoja për Komunën e Graçanicës dhe kjo ka të bëjë me synimin e Qeverisë për të hequr pjesë të njësive kadastrale në një sipërfaqe të konsiderueshme që janë në pronësi të Komunës”, thuhet në vendim.

Andaj, parashtruesja e kërkesës ka pretenduar se nuk i di detajet e mënyrës dhe kritereve sipas të cilave është vendosur. Pretendoi se Qeveria nuk i ka respektuar dispozitat ligjore të Ligjit për pronën publike. Po ashtu, tha që pa konsultim dhe miratim paraprak, Komunës së Graçanicës i hiqet e drejta për të administruar pronën e saj.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, gjithashtu, me rastin e vendosjes, nuk e ka marrë parasysh ndjeshmërinë se në pyetje është një komunë me shumicë serbe, edhe pse ndjeshmëria për komunitetet dhe komunat me shumicë serbe njihen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin nr. 03/L-040 për vetëqeverisjen lokale. Me miratimin e vendimit të lartpërmendur, Qeveria e Republikës së Kosovës e kufizon komunën e Graçanicës, këtu paditësin, në ushtrimin e kompetencave vetanake të parapara me nenin 17 të Ligjit nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, të cilat nuk mund të kufizohen dhe as hiqen me ligje tjera”, thuhet më tej.

Sipas parashtruesit të kërkesës, miratimi i njëanshëm i vendimit të kontestuar ka për pasojë që për parcelën nr. 17-8 ZK Graçanicë të parashikojë konfiskimin e një pjese të konsiderueshme dhe se Komuna e Graçanicës ka planet e saj më të vjetra për parcelën e përmendur, të cilat janë me interes publik për Komunën dhe qytetarët e saj.

Më tej, parashtruesi i kërkesës ka pretenduar se Qeveria me marrjen e vendimit të kontestuar në mënyrë të njëanshme nuk ka marrë parasysh, ndër të tjera, se rrezikon interesat e përgjithshme, zhvillimore dhe ekonomike të Komunës së Graçanicës dhe qytetarëve të saj.

“…dhe Vendimi në fjalë është akt administrativ në formë të dekretit, që është në kundërshtim me parimet e demokracisë, sepse me shqiptimin e vendimit të kontestuar, cenohen interesat e Komunës së Graçanicës dhe në masë më të madhe cenohet kontributi i saj në zhvillimin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës”, citohet më tej në vendim.

Duke marrë parasysh se Qeveria ka ndërmarrë hapa për ndërtimin e objektit, Komuna e Graçanicës ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë masë të përkohshme, me të cilën do të shtyjë ekzekutimin e vendimit të Qeverisë deri në nxjerrjen e vendimit nga gjykata.

Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se pretendimet dhe faktet e prezantuara nga Komuna e Graçanicës ngrenë çështje të nivelit kushtetues të cilat ndërlidhen me garancitë kushtetuese për organizimin dhe funksionimin e vetëqeverisjes lokale dhe legjislacionin me interes vital, sipas përcaktimeve të Kushtetutës dhe ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës.

Gjithashtu, Kushtetuesja ka vlerësuar se pezullimi i vendimit të kontestuar mund të “evitojë rreziqe apo dëme të pariparueshme” të cilat lidhen me cenimin e mundshëm të përgjegjësisë dhe kompetencave komunale përkitazi me posedimin dhe menaxhimin e pronave komunale.

Po ashtu, kjo Gjykatë thekson se vlerësimi i kushtetushmërisë së vendimit të kontestuar është në interesin publik, pasi që i shërben sigurisë juridike ndërlidhur me pasojat eventuale që mund të afektojnë përgjegjësitë komunale, përfshirë dëmin e pariparueshme që mund të pësojë buxheti i Komunës së Graçanicës, gjë e cila rrjedhimisht mund të ndikojë në mirëqenien ekonomike dhe sociale të qytetarëve të saj.

Andaj, Kushtetuesja vendosi që ta miratojë kërkesën për masë të përkohshme, në kohëzgjatje deri më 31 tetor 2025 dhe ta pezullojë menjëherë zbatimin e Vendimit (Nr.05/218) të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 28 gusht 2024.

Kjo nuk pritej, Gjesti bën veprimin e papritur ndaj Kaderit

Rrjetet sociale janë ndezur pas një shkëmbimi intrigues mes Gjestit dhe ish banores së Big Brother VIP Kosova, Kader Kicaj në një postim të fundit në Instagram.

Gjesti ka lënë një koment enigmatik me emoji çokollate, duke lënë hapësirë për shumë interpretime. Por ajo që e ka bërë këtë moment edhe më të përfolur, është reagimi i menjëhershëm i Kaderit, e cila i përgjigjet:

“Jom ”, duke iu referuar çokollatës.

Ky koment i shkurtër por plot nënkuptime ka ndezur menjëherë komentet dhe dyshimet mes ndjekësve të tyre.

A është kjo një lojë flirti mes dyshes apo thjesht një ngacmim? Mbetet të shihet ditët në vazhdim.

Avokati Ferizi: Radomir Laban është gjyqtari më i mirë i Kushtetueses

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, po përballet me akuza, pas kërkesës së Presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e tij, për shkak të pretendimeve se ai përbën rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Osmani kërkoi shkarkimin e gjyqtarit Laban pas informacioneve nga institucionet e sigurisë që lidheshin me aktivitetet e tij në vitet 2018, 2021 dhe 2024, shkruan Insajderi.

Avokati Taulant Ferizi i ka dalë në mbrojtje të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, duke theksuar se pavarësisht spekulimeve për rrezik për sigurinë kombëtare apo emërimeve politike, ai mbetet pakontestueshëm gjyqtari më i mirë i kësaj gjykate.

Ferizi thekson se, edhe nëse Laban konsiderohet si një “rrezik” për vendin, atëherë ai është pro këtij “rrezikimi”, duke theksuar se vendimet e tij të arsyetuara dhe trajtimi profesional i çdo çështjeje janë kontribuim i jashtëzakonshëm për sistemin juridik të Kosovës.

Avokati nënvizon se nuk ekziston jurist i denjë që nuk e vlerëson lartë Labanin, madje edhe për mendimet e tij mospajtuese, duke e cilësuar atë si një figurë që i ka dhënë shumë sistemit juridik, më shumë se shumë prej atyre që çdo ditë flasin për një sistem “perfekt”.

Vjosa Osmani merr letër nga Presidenti Trump

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pranuar një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump.

Njoftimi i plotë:

Presidentja Vjosa Osmani merr letër nga Presidenti Trump: E falënderon për lidershipin e guximshëm dhe e quan mike të vërtetë të Shteteve të Bashkuara

Sot, Presidentja Osmani ka marrë një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin dhe miqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara, lidershipin e guximshëm dhe shpreh dëshirën për të thelluar bashkëpunimin në vitet që vijnë.

Në letër, Presidenti amerikan shkruan se vendimi për të pranuar shtetas nga shtete të tjera tregon gatishmërinë e fortë të Kosovës për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se lidershipi në këtë çështje tregon fuqinë dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta,” ka theksuar Presidenti Trump në letrën e tij.

Duke e falënderuar Presidenten për angazhimin e saj në forcimin e partneritetit me SHBA-të, Presidenti Trump gjithashtu shprehet: “Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë.”

Në fund të letrës, Presidenti Trump i dërgon Presidentes Osmani edhe urimet më të mira nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump.

Shkuam me pa një dhomë na kanë blloku, e kanë mbyll derën” – Vajza nga Kosova tregon tmerrin që ka përjetuar në Shqipëri

Shkurta Haxhiu, ka ndarë një tjetër përvojë shqetësuese nga qëndrimi i saj në Shqipëri, ku thotë se është përballur me sjellje aspak normale dhe të frikshme.

Gjatë një bisede në Kosova Live, ajo tregoi se bashkë me nënën e saj kishin shkuar për të parë një shtëpi për të qëndruar aty gjatë pushimeve. Por situata mori kthesë të frikshme.

“Na kanë blloku, e kanë mbyll derën,” – rrëfeu ajo.

E ku tutje shtoj se ka qenë vetëm me nënën e saj dhe u desht disa orë ti bindin ata për ti lënë që të dalin nga aty.

Me shumë detaje, i gjeni në videon poshtë:

VIDEO:

Shefi i Hezbollahut kërcënon Izraelin: Do të shembet brenda një ore

Në një zhvillim të ri përtej Gazës, shefi i Hezbollahut, Naim Qassem, ka kërcënuar drejtpërdrejt Izraelin, duke paralajmëruar se grupi militant dhe ushtria libaneze do të mbrohen nëse Izraeli angazhohet në “agresion në shkallë të gjerë”.

Në një fjalim televiziv, Qassem theksoi se çdo sulm nga ana e Izraelit do të çonte në rënien e raketave brenda entitetit izraelit, duke shtuar se siguria që Izraeli ka ndërtuar gjatë tetë muajve të fundit do të shembet brenda një ore.

“Kjo mbrojtje do të çojë në rënien e raketave brenda entitetit izraelit dhe e gjithë siguria që ata kanë ndërtuar gjatë tetë muajve do të shembet brenda një ore.”, tha Qassem.

Pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, Hezbollahu ka hapur zjarr ndaj pozicioneve izraelite, duke shprehur solidaritet me palestinezët. Megjithatë, shumica e komandës së Hezbollahut u vra nga Izraeli, i cili dërgoi trupa në jug të Libanit pas një viti sulmesh tregtare.

Në javët e fundit, SHBA dhe Libani kanë qenë në bisedime për një plan veprimi që synon çarmatosjen e plotë të Hezbollahut, i cili mund të përfshinte tërheqjen e trupave izraelite nga pesë pika në Libanin jugor.

Propozimi fillestar përfshinte një kusht që qeveria e Libanit të miratonte një vendim kabineti për çarmatimin e grupit. Ndërkohë, Hezbollahu ka refuzuar publikisht të dorëzojë arsenalin e tij të plotë, por ka konsideruar një zvogëlim të tij.

“Mbi varr u vendosën bimë të misrit”- Detaje të reja nga rasti tragjik i Enver Bajraktarit

Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë detaje të reja nga terreni për ngjarjen tragjike të rastit të Enver Bajraktarit, i cili u raportua një herë i zhdukur e më pas u gjet i varrosur në një arë në Baicë të Lipjanit.

Përmes burimeve të saj, Gazeta Insajderi ka mësuar se parcela bujqësore në të cilën është gjetur trupi i pajetë është në pronësi të një mërgimtari. Ndërkaq, të mjellurat janë të vendasve, meqë toka është e lëshuar me qira.

Të njëjtat burime bëjnë me dije edhe se si u gjet trupi i pajetë i Enver Bajraktarit. Sipas tyre, njëri nga banorët e fshatit Baicë ka parë shkopin e të ndjerit dhe kanë njoftuar Policinë e Kosovës, të cilët kanë realizuar kërkime në atë pjesë.

Burimet po ashtu bëjnë me dije se mbi dheun e varrit të të ndjerit janë vendosur bimë të misrit, në mënyrë që të mos vërehej se është groposur ajo pjesë.

Nga ajo çfarë ka mësuar Insajderi, policia ka marrë pamjet e sigurisë së kamerave të shtëpive që gjenden përreth vendit të ngajrjes.

Familjarët e viktimës kanë deklaruar se Enveri nuk kishte probleme apo konflikte me ndonjë person të caktuar.

Policia dhe Prokuroria e Shtetit kanë nisur hetimet për të zbuluar rrethanat e kësaj vdekjeje të dyshimtë. Sipas informacioneve, viktima është gjetur nga familjarët, i groposur disa metra nën tokë në një arë të mbjellë me misër.  Grupi që po kërkonte Enverin arriti ta gjente vendin ku ishte varrosur, duke ndjekur shenjat që tregonin se ai ishte tërhequr zvarrë deri aty.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin, duke e cilësuar si dyshim për vrasje të rëndë. Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, ka bërë të ditur se rreth orës 12:00 është gjetur një trup i pajetë i groposur.

“Sot rreth orës 12:00, në fshatin Baicë të Lipjanit, është gjetur i groposur një trup i pajetë (ende i paidentifikuar). Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë kanë nisur veprimet procedurale, ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi dhe identifikim. Bazuar në rrethanat fillestare, dyshohet për vrasje të rëndë. Aktualisht hetuesit janë duke punuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e viktimës”, tha Ahmeti

Presidentja thërret konferencë urgjente për media – mësohet arsyeja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur një konferencë për media për sot (e martë) në orën 16:30.

Në ftesën që u është dërguar mediave për pjesëmarrje në konferencë, arsyeja nuk është bërë e ditur.

Megjithatë, Klankosova.tv nga burimet brenda këtij institucioni merr vesh se temë do të jetë caktimi i gjyqtarit të Kushtetueses, Radomir Laban, si gjyqtar raportues për çështjen e ngritur pranë këtij institucioni nga vetë Presidentja në lidhje me ecurinë e konstituimit të Kuvendit.

Lënda në fjalë konsiderohet më e rëndësishmja, që ka të bëjë me mbrojtjen e rendit kushtetues por edhe me krijimin e precedentit për të ardhmen sa i përket krijimit të institucioneve.