Tentoi t’i godiste me veturë dhe sulmoi fizikisht policinë – Lihet i lirë 40-vjeçari nga Fushë Kosova

Një incident i rëndë është regjistruar të martën pasdite në rrugën “Pajazit Islami” në Fushë Kosovë, ku një person ka sulmuar zyrtarët policorë që ishin në detyrë, raporton Sinjali.

Sipas informacioneve, B.M, rreth 40-vjeçar, fillimisht tentoi t’i godiste me veturë zyrtarët policorë të cilët po intervenonin në një rast dhune në familje. Më pas, ai sulmoi fizikisht njërin nga zyrtarët, të cilin e goditi në gjoks me një mjet që dyshohet të ketë qenë telefon.

Falë reagimit të shpejtë dhe përdorimit të pajisjeve ndërmjetësuese, patrulla ka arritur ta neutralizojë dhe arrestojë të dyshuarin në vendngjarje.

Pas shoqërimit në stacionin policor, i dyshuari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, ndërsa Prokurori i Shtetit ka autorizuar inicimin e rastit si “Sulm ndaj personit zyrtar”, përderisa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Prokuroria ka udhëzuar se hetimet rreth këtij incidenti do të vazhdojnë. Sinjali do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

“Kjo është e vërteta” – Kajtazi tregon arsyen pse Osmani vendosi që ta tërheqë kërkesën e saj

Gazetari Vehbi Kajtazi ka thënë se presidentja Osmani ka qenë e njoftuar se kërkesa e saj ka qenë e papranueshme nga Gjykata Kushtetuese, prandaj edhe ka vendosur që ta tërheq kërkesën e saj.

I ftuar në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Kajtazi ka deklaruar se Osmani ka vepruar kësisoj me qëllim që të mos ndihej e poshtëruar.

Sipas Kajtazit, kërkesa e presidentes Osmani ishte e papranueshme dhe se për këtë vetë ajo ishte e njoftuar.

“Osmani e ka ditur se lënda e saj është e papranueshme. Mbi këtë bazë ka vendosur që ta tërheq lëndën në mënyrë që të mos ndjehej e poshtëruar nga gjykata. Kjo është arsyeja e vërtetë. Lënda e saj ka qenë e papranueshme, sepse mënyra se si e ka hartuar ajo ka qenë gabim dhe kjo tregon se kushdo që e ka hartuar at lëndë ka mangësi profesionale. Ky është një arsyetim për ta tërhequr lëndën.

Para se ta dërgonte këtë lëndë në Gjykatën Kushtetuese, njëri nga këshilltarët e Vjosa Osmanit, ka kontaktuar me juristë të kësaj fushe për të marrë mendim se çfarë duhet të bëjë. Ka marrë vërejtje me shkrim se lënda e saj nuk shqyrtohet nga gjykata kushtetuese. Ajo është bazuar në konfliktikin ndër institucional dhe Kuvendi i Kosovës derisa nuk është konstituar nuk konsiderohet se ka Kuvend. Për këtë arsye lënda e saj ka qenë e papranueshme”, ka thënë Kajtazi.

Presidentja Osmani në një konferencë për media të martën bëri të ditur se ka tërhequr kërkesën e saj në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se sipas saj lënda i ishte dorëzuar një gjyqtari serb, i cili sipas Osmani përbënte rrezik kombëtar bazuar në informacionet nga organet e sigurisë.

Mushkolaj: Nëse gjyqtari serb cenon sigurinë kombëtare, atëherë përgjegjësinë më të madhe e ka vetë presidentja

Analisti Imer Mushkolaj reagoi pas vendimit të Presidentes Vjosa Osmani për të tërhequr kërkesën e saj nga Gjykata Kushtetuese, me arsyetimin se gjyqtari raportues, Radomir Laban, paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.

Mushkolaj ngriti disa pyetje lidhur me kohën dhe mënyrën e reagimit të Presidentes, duke vënë në pikëpyetje konsistencën dhe përgjegjësinë institucionale të saj dhe të autoriteteve shtetërore.

Sipas tij, nëse gjyqtari serb vërtet cenon sigurinë kombëtare, atëherë “përgjegjësinë më të madhe e ka vetë presidentja, e cila nuk ka reaguar me vite.”

“A ka paraqitur dhe a paraqet rrezik kombëtar gjyqtari serb i Kushtetueses? Nëse po, çfarë kanë bërë institucionet, presidentja për ta larguar atë? Nëse nuk kanë bërë asgjë, atëherë kanë përgjegjësi. Nëse gjyqtari serb cenon sigurinë kombëtare, atëherë përgjegjësinë më të madhe e ka vetë presidentja, e cila nuk ka reaguar me vite. Pse presidentja nuk reagonte kur ai caktohej gjyqtar raportues për raste të tjera, por vetëm tash për kërkesën e saj? Pasojat e kësaj qasjeje të presidentes do të kuptohen më vonë. Pasoja negative, fatkeqësisht.” – shkroi ai.

Sulmi kundër Hekuran Hodës -Pse nisi, kush u arrestua dhe cili është ndikimi i disa policëve në këtë rast?

Sot është sulmuar Hekuran Hoda. Por, pse erdhi deri te ky sulm?

Burime të Insajderit bëjnë me dije se në këtë rast ka shumë interesa të përfshira dhe disa njerëz të fuqishëm me ndikim në Policinë e Gjakovës.

Pavarësisht kësaj, për këtë rast ka pasur disa të arrestuar dhe Insajderi sjell emrat, si dhe tregon se si lidhen ata me persona me ndikim të madh në hetuesi.

Por fillimisht, si ndodhi rasti dhe për çfarë nisi?

Avdyl Zeneli, gjatë kësaj jave, ka pasur një aksident me veturë me djemtë e Hekuran Hodës, Pëllumbin dhe Diamantin, thonë burime të Insajderit, duke treguar se aty nisi telashja.

Pas aksidentit, del nga vetura Avdyl Zeneli dhe dyshohet se e sulmon Pëllumb Hodën duke e kapur për fyti, ndërkohë që Diamanti e godet Avdylin me grusht.

Pastaj në skenë vjen policia, dhe në prani të tyre dyshohet se Avdyli i kërcënon Diamantin dhe Pëllumbin se “do t’i vras”.

Policia e qetëson situatën, pasi Avdyli është vëllai i policit të Autokrimeve, Shaban Zeneli.

Më vonë, pasi Hekuran Hoda njihet me Avdylin, ata vënë kontakt dhe ky i fundit i kërkon falje për atë që ka ndodhur, duke kërkuar ta sqarojnë situatën. Ata lënë takim te lokali “Konti”.

Sipas marrëveshjes, Hekuran Hoda shkon për të biseduar, por në hyrje të lokalit sulmohet nga 6 persona.

Hetuesit dyshojnë se në sulm morën pjesë: Edon A. Zeneli, Haxhi A. Zeneli, Ardion Zeneli, Bajram Begbushati, Avdyl Zeneli dhe një person tjetër, emër tashmë i njohur për Policinë.

Dyshohet se, edhe pse ka të arrestuar, ndikimi i tyre është shumë i madh në Policinë e Gjakovës, pasi djali tjetër i Avdylit është hetues në Hetimet Rajonale në Gjakovë, person i dyshuar më herët për rrjedhje të informatave policore, çka po e ngadalëson hetimin.

Burime të Insajderit bëjnë me dije se familja Zeneli po ushtron presion të madh për të mos u marrë vendime për ndalim nga Prokuroria, ani pse viktima, Hekuran Hoda, ka hundën e thyer dhe shumë plagë tjera në trup.