Ndodh edhe kjo: Bashkëshorti e raportoi si të zhdukur, por 31-vjeçarja nga Gjakova gjendet duke bashkëjetuar me një tjetër burrë

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu, rasti i një 31-vjeçareje nga Gjakova, e raportuar si e zhdukur në prill të këtij viti, ka marrë një kthesë të papritur pas hetimeve të Policisë.

Sipas informatave të Sinjalit, më 7 prill 2025, ankuesi A.S., rreth 35-vjeçar kishte raportuar se bashkëshortja e tij, M.L., rreth 31-vjeçare, ishte larguar nga shtëpia në rrethana të panjohura dhe nuk kishte mundur të kontaktonte me të. Kontrolli i kamerave të sigurisë tregonte se ajo ishte larguar në këmbë, ndërsa ankuesi kishte theksuar se nuk vuante nga probleme mendore.

Pas hetimeve, është zbuluar se 31-vjeçarja nuk ishte larguar në mënyrë të dhunshme apo nën kërcënim, por me dëshirën e saj kishte filluar bashkëjetesën me një tjetër burrë – dëshmitarin P.C., rreth 39-vjeçar. Ajo ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kishte pasur asnjë formë imponimi për të marrë këtë vendim.

Për të gjitha veprimet dhe gjetjet është njoftuar Prokurori kujdestar, ndërsa rasti është mbyllur

Vetëvendosje i shpall ‘luftë’ Kushtetuesës

Lëvizja Vetëvendosje nuk është pajtuar me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mënyrën e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.

LVV e ka cilësuar ndërhyrje në ndarje të pushteteve dhe shkelje të Kushtetutës, aktgjykimin e publikuar sot.

Sipas VV-së, vendimi i sotshëm është në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe në tejkalim të kompetencave të gjykatës.

“Gjykata kushtetuese shkeli Kushtetutën. Njoftimi i publikuar sot nga Gjykata Kushtetuese përbën devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues. Ai është në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve. Gjykata Kushtetuese është një organ i pavarur që ka për detyrë të interpretojë dhe kontrollojë përputhshmërinë e ligjeve apo akteve të tjera me Kushtetutën, brenda juridiksionit të vet. Njoftimi nuk ka qartësuar asgjë tjetër veçse që Gjykata ka tejkaluar kompetencat kushtetuese. Gjykata nuk e ka të drejtën që të krijojë norma të reja juridike apo të imponojë rregulla që nuk kanë bazë në Kushtetutë.

Gjykata ka zgjedhur të shpikë arbitrarisht rregulla. Shpikja e rregullave tërësisht të reja në mes të procesit dhe ndërhyrja në mënyrë substanciale në kompetencat e Kuvendit është cënim i rendit kushtetues. Kushtetutën e miraton dhe e ndërron Kuvendi. Marrja e kësaj kompetencë duke uzurpuar rolin kushtetues të Kuvendit është goditje e sistemit demokratik që ka burimin te sovrani. Nuk ka forma të tjera të njohura të shkrimit e rishkrimit, miratimit e ndryshimit të Kushtetutës. Ato i bën ose Kuvendi ose Referendumi popullor. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk janë subjekte as të njërës, as të tjetrës. Kur një organ që duhet të jetë gardian i Kushtetutës fillon të prodhojë norma të reja ose të plotësojë norma që nuk janë paraparë as në Kushtetutë, as nga legjislativi, atëherë transformohet në një organ jashtëkushtetues”, thuhet mes të tjerash në reagimin e Lëvizjes në Facebook.

“Ku, saktësisht, shkruhet në Kushtetutë, në Rregulloren e Kuvendit, në Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO119/14 apo në Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO124/25, apo në jurisprudencën ndërkombëtare se grupi më i madh parlamentar ka të drejtë të propozojë të njëjtin kandidat vetëm tri herë? Nga buron kjo normë? Pse jo dy herë, katër herë, dhjetë herë? Ku është lidhja kushtetuese apo doktrinare me numrin tre? Njoftimi i Gjykatës paralajmëron se Aktgjykimi që pritet të dalë do ta cënojë rëndë ndarjen e pushteteve. Rast i paprecedentë dhe ndërhyrje flagrante në kompetencat e Kuvendit. Gjykata nuk mund të uzurpojë funksionin e hartimit apo amandamentimit të Rregullores së Kuvendit, sepse kjo përbën shkelje të Kushtetutës, përkatësisht parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve, i cili është një ndër shtyllat e demokracisë parlamentare. Rregullat e reja të paralajmëruara nga Gjykata Kushtetuese nëse nuk janë në Kushtetutë dhe as në Rregulloren e Kuvendit nuk mund të jenë në asnjë Aktgjykim.

Vendimi pasqyron motive partiake. Sa herë që Lëvizja VETËVENDOSJE! duhet të veprojë sipas rregullave që më herët janë vendosur nga vet Gjykata si jurisprudencë në raste analoge, sikur Aktgjykimi i vitit 2014, ato rregulla po i ndryshon vet Gjykata. Përmasa partiake e vendimit dallohet edhe nga fokusi krejtësisht i panevojshëm tek Kryesuesi i seancës konstituive z. Avni Dehari. Të njëjtin efekt juridik do të kishte lidhur me rendin e ditës pa e subjektivizuar me figurën e Kryesuesit e seancës. Sepse, tek e fundit, Kryesuesi i seancës konstituive nuk është subjekt kushtetues, vetëm Kuvendi është. Kryesuesi i seancës konstituive është vetëm subjekt i Rregullores së Kuvendit. Duke e spikatur vetëm Kryesuesin e seancës pa asnjë justifikim juridik, zbulohet qartazi që qëllimi ishte etiketimi politik i figurës së tij sipas fjalorit të partive opozitare. Nëse Kryesuesi i seancës konstituive paska vepruar gabimisht kur u ka kërkuar deputetëve të votojnë për, kundër apo abstenim për sa i përket komisionit për votim të fshehtë, është e pakuptueshme pse Gjykata nuk e ka konstatuar këtë shkelje në Aktgjykimin KO 124/25, të shpallur më 26 qershor i cili është nxjerrë pasi Kryesuesi i seancës kishte filluar tashmë thirrjen për votim të komisionit prej 1 majit 2025. Gjykata duket qartë se ka zgjedhur të mbajë anë duke prekur në mënyrë serioze parimet demokratike dhe sfiduar vullnetin popullor. Ky është një paralajmërim serioz për rrezikun e një pushteti juridik të pakontrolluar, që në vend të kontrollit të pushteteve të tjera, vetë bëhet burim i kapjes institucionale”, thuhet në reagimin e VV-së.

Sipas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, kryesuesi Avni Dehari e ka shkelur Kushtetutën, ndërsa ka urdhëruar deputetët që të votojnë në mënyrë të hapur në afatin e ri prej 30 ditëve.

Po ashtu, sipas Kushtetuteses, kandidati i njëjtë ka drejtë të propozohet vetëm 3 herë.

Kraki aludon se Kushtetuesja ia përshtat normat Ambasadave: E paska dhunuar veten

Deputeti Nezir Kraki, thotë se Gjykata Kushtetuese e ka dhunuar disa herë Kushtetutën, kur sot sipas tij, ‘e ka dhunuar veten’.

Ai thotë se Gjykata ‘nuk ka mission ta rishkruajë Kushtetutën’ dhe se këtë mund ta bëj vetëm Kuvendi.

“Gjykata kushtetuese e ka dhunu disa here kushtetuten per interesat e bandave politike.

Sot paska vendos ta dhunoje edhe veten dhe nja 2 aktgjykime qe vet i ka nxjerre.

47 faqe heren e fundit sa per ta kriju nje lloj tranzicioni nga aktgjykimi i vitit 2014 ne kete te sotit duke e masakru frymen e Kushtetutes dhe duke shpik nene e rregulla qe NUK EKZISTOJNE.

Gjykata nuk ka mision me rishkru kushtetute. Ate mund ta beje veç Kuvendi.

Normat kushtetuese nuk mund t’u pershtaten as partive as ambasadave. Ato jane aty me u respektu e Gjykata eshte aty me u siguru qe ato norma respektohen”, shkruan Kraki.

Berisha akuzon Vetëvendosjen: Kanë marrë 800 mijë euro nga një sipërmarrës serb

Ish-deputeti Zafir Berisha ka ngrehur dyshimet “se një filialë e Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut është financuar me 800 mijë euro nga një sipërmarrës serb gjatë fushatës elektorale”.

Ai ka theksuar se disa fonde që kanë dalë nga rezervat shtetërore nuk janë hetuar siç duhet, dhe ka deklaruar se ato mund të jenë përdorur për qëllime të errëta.

“…këta për rezervat shtetërore që i largun pse i hetun, ato pare kanë shku diku dhe unë natyrisht se kam të drejtë me dyshu se Serbia e ka financu…”, ka deklaruar ai.

Berisha ka përforcuar pretendimet e tij duke iu referuar një deklarate të bërë më herët nga Arben Taravari, në lidhje me një filiale të Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut.

“Këtë ma vërteton edhe deklarata e z. Taravari që e tha për filialin e Vetëvendosjes në Maqedoni, që kanë marrë 800 mijë euro nga një sipërmarrës serb në fushatë elektorale, që nënkupton….”, ka shtuar Berisha.

“Gjysma që e mbështet Kurtin s’e kanë as shkollën fillore të kryer” – Nuk kursehet Zafir Berisha (VIDEO)

Ish-deputeti Zafir Berisha e ka vënë në pikëpyetje niveli e arsimit të mbështetësve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

Sipas Berishës, përkrahësit e Kurtit nuk e kanë të përfunduar as shkollën fillore, lëre më nivelet e tjera më të larta.

“Këta janë ende duke e manipulu një pjesë të opinionit që mendimin e kanë shumë të kufizum”, ka thënë Berisha në DPT Te Fidani.

“Ishte një OQJ atje që e bëri një analizë, nxori që 54 për qind domethënë as shkollën fillore s’e kanë ata që e mbështesin. Ky është realiteit”.

VIDEO/Arrestohen dy persona në sheshin ‘Car Lazar’, policia pengohet nga persona të tjerë

Dy persona janë arrestuar në Mitrovicë të Veriut për prishje të rendit dhe qetësisë publike, pas përfundimit të “Mitrovica Jazz Days”.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Prishtinës, Veton Elshani.

“Sot rreth orës 16:00 në sheshin ‘Car Lazar’ ka pasur aktivit kulturor, Festival i Jazit. Pas përfundimit të performancës, rreth orës 18:00 dhe fillimit të mbledhjes së pajisjeve muzikore nga ana e organizatorit, ka ardhur deri te prishja e rendi dhe qetësisë publike. Dy persona janë ndaluar si të dyshimtë, ndërsa pas intervistimeve dhe konsultimit me prokuror do të vendoset se si të lëvizim tutje”, tha Elshani.

 

Deputetja e VV-së kapet me Ambasadën e Amerikës, e akuzon Prattipatin se i vizituan gjyqtarët e Kushtetueses një ditë para vendimit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka bërë një përpjekje për ta lidhur njoftimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Duke e cilësuar vendimin e Kushtetueses si “vetëposhtërues”, deputetja ka theksuar se ai është publikuar vetëm një ditë pas vizitës së pas vizitës së të ngarkuarës me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Annu Prattipati.

“E nderuara zonja Prattipati, nuk është mirë nëse i keni vizituar një ditë para se gjyqtarët e Kushtetueses të vetëposhtëroheshin me këtë njoftim për Aktgjykimin”, ka shkruar ajo në një reagim publik.

E rëndë: Humb jetën një 56-vjeçare, bie nga kati i 5të

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të enjten në Ferizaj, ku një grua 56-vjeçare ka humbur jetën pasi ka rënë nga kati i pestë i një ndërtese banimi.

Rasti ka ndodhur rreth orës 16:35, ku rrethanat e incidentit mbeten ende të paqarta.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Ju njoftojmë se sot, më datë 08.08.2025, rreth orës 16:35, kemi pranuar një informatë se në rrugën ‘12 Qershori’, në afërsi të udhëkryqit me rrugën ‘Zenel Hajdini’ në Ferizaj, një person i gjinisë femër, e moshës 56 vjeçare, në rrethana ende të panjohura, ka rënë nga kati i pestë i një ndërtese banimi”, deklaroi Veseli.

Sipas tij, njësitë policore dhe autoambulanca kanë reaguar menjëherë pas marrjes së informacionit dhe kanë dalë në vendngjarje. Viktima është transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Pak minuta më vonë, nga mjekët është konfirmuar se ajo ka ndërruar jetë”, përfundoi Veseli.

Disa serbë fyejnë kryetarin e veriut, Erden Atiq

Gjatë përgatitjeve për hapjen e festivalit “Mitrovica International Jazz Days” të premten, një grup qytetarësh serbë protestuan pranë skenës së vendosur në qendër të Mitrovicës së Veriut, duke brohoritur dhe fishkëllyer.

Grupi, që ndodhej në një kafene me shpinë të kthyer nga skena, nisi të bëjë ofendime në momentin kur mbërriti kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, sipas videove të publikuara nga mediumi serb “Alternativna”.

Këtë vit festivali po zhvillon edicionin e tretë. Dy edicionet e kaluara janë mbajtur në Parkun e Qytetit në Mitrovicën e Jugut, ndërsa për herë të parë një nga netët po organizohet në qendër të Mitrovicës së Veriut. Festivali do të mbahet nga 8 deri më 10 gusht: nata e parë në veri, ndërsa dy netët e tjera në jug, sipas mediumit serb “Radio Mitrovica e Veriut”.

 

 

 

Dejona Mihalit i ndodh e papritura pasi sulmoi gjyqtarët e Kushtetuesës

E fuqishmja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali njihet për retorikën e ashpër ndaj çdo segmenti shoqëror dhe institucional sa herë nuk janë në linjë me partinë në pushtet.

Të njëjtën e bëri sot edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese që lëshoi aktgjykim ku u konstatua shkelja kushtetuese nga kryesuesi i seancës Avni Dehari.

Nuk mjaftonte vetëm sulmi ndaj Gjykatës si terësi, ajo veç e veç, me emër e mbiemër – përmendi gjyqtarët e Kushtetutës, të cilët i konsideroi si “të kapur”.

Sipas saj “Gjykata Kushtetuese po i shërben PDK-së, sot – dhe në vitin 2014”.

Por, ky qëndrim i fortë nga kjo figurë e Vetëvendosjes nuk mbijetoi shumë – pasi ajo vendosi të mbyllte Facebook’un, rrjedhimisht edhe qëndrimin e shprehur ashpër.

Pa asnjë shpjegim, Mihali u largua nga rrjeti social të cilën e përdor për sulme kur pushtetit nuk i shkon diçka për shtati.