Një çift kosovar u ndalua në Serbi, iu konfiskua ari deri në një vendim të gjykatës

Avokati Arianit Koci ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë kalimit të kufirit me Serbinë.

Ai thotë se “çdo udhëtar që mban me vete më shumë se 10.000 € për person – në para të gatshme ose sende me vlerë – duhet ta deklarojë. Mosdeklarimi sjell konfiskimin e përkohshëm të shumës ose sendeve dhe hapjen e procedurave gjyqësore”, shprehet ai.

Këto informata i ka dhënë pasi “sot, një çift kosovar u ndalua në hyrje të Serbisë dhe u kontrollua detajisht”, thotë Koci.

“Pasi nuk e kanë deklaruar pajën e nuses (stoli ari), e cila kishte vlerë mbi kufirin e lejuar, janë mbajtur dhe ari është konfiskuar deri në vendim të gjykatës”, shprehet Koci.

“Nesër do të paraqitën para gjykatës serbe, e cila e ka kompetencë territoriale kufirin ku janë ndalur”, është shprehur ai.

E rëndë: Therje me thikë, vdes një person

Një ngjarje e rëndë është shënuar sonte në qytetin e Prizrenit, ku një person ka mbetur i vdekur si pasojë e një therjeje me mjet të mprehtë.

Rasti është konfirmuar përmes Policisë së Kosovës.

“Sonte, më datë 10.08.2025, rreth orës 21:20, Policia e Kosovës ka pranuar informacion se një person me lëndime është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit”.

“Sipas mjekëve, viktima, H.Sh. (mashkull), ishte therur me thikë dhe ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është dërguar për trajtim në QKUK – Prishtinë, ku më pas ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, tha Shaqir Bytyqi, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit për Gazetën Sinjali.

“Patrullat policore janë nisur menjëherë në drejtim të fshatit Zhur për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit”.

“Nga informacionet e mbledhura, i dyshuari është identifikuar dhe aktualisht ndodhet në arrati. Njësitë policore janë ende në terren dhe po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për kapjen e tij”.

“Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe po ndërmerren veprimet ligjore të mëtejme”.

Fajdexhiu i rrezikshëm që vrau tre persona ishte fotografuar me Osmanin, Presidentja sqaron ku u realizua shkrepja

Gjilani u trondit rëndë sot nga një krim i trefishtë. Tre persona kanë mbetur të vrarë dhe dy të tjetër janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova”.

Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari kryesor për këtë ngjarje të rëndë është Mefail Shkodra, një emër i njohur për organet e rendit dhe publikun.

Konflikti dyshohet të ketë ardhur për shkak të fajdes, një veprimtari e paligjshme për të cilën Shkodra ishte arrestuar edhe vitin e kaluar.

Shkodra u bë i njohur edhe përmes rrjeteve sociale, ku publikonte fotografi me vetura luksoze dhe pozonte pranë figurave politike të larta, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani.

Kjo e fundit sqaron se ku është realizuar shkrepja me fajdexhiun Shkodra.

“Është po ashtu shqetësues manipulimi me qëllim të keqinformimit të opinionit publik, duke përdorur fotografi të rastit të bëra në ambiente publike që autori i këtyre veprave i kishte bërë me një sërë figurash publike”.

“Nga një hulumtim i thjeshtë del se këto fotografi janë bërë gjatë një organizimi festiv të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e një aktiviteti publik ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, personalitete nga politika, të ftuar të tjerë dhe qytetarë”.

“Brenda vitit, Presidentja del në fotografi me mijëra qytetarë e pjesëmarrës në aktivitete publike, të cilët as nuk i njeh e as nuk mund ta dijë se cila është veprimtaria e tyre. Prandaj, aludimet për kinse “shoqërim” janë asgjë tjetër pos shpifje”, thuhet në reagimin e presidentes, e cila ka kërkuar po ashtu që rasti të zbardhet së më shpejt.

“Mefail Shkodra ishte intervistuar para dy javësh nga prokuroria dhe u lirua” – Zbulohen detaje të reja rreth tragjedisë në Gjilan

Gjilani u trondit rëndë sot nga një krim i trefishtë që ndodhi në mesditë, rreth orës 12:32, në rrugën “Ibrahim Rugova”. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, tre persona mbetën të vrarë dhe një tjetër u plagos, shkruan Insajderi.

I dyshuari kryesor për këtë krim të rëndë është Mefail Shkodra, një emër i njohur për Policinë e Kosovës dhe publikun, për shkak të përfshirjes së tij në veprimtari kriminale – kryesisht fajde dhe detyrim.

Gazeta Insajderi ka mësuar detaje të reja që çuan deri te ngjarja tragjike e vrasjes së tre familjarëve: babë e bir dhe babai i dhëndrit të tyre.

Sipas burimeve të afërta të Insajderit me familjarë të viktimave, Bujar Hoxha, dhëndri i Selami Hasanit e kishte denoncuar në polici Mefail Shkodrën para dy javësh. Ai ishte intervistuar nga prokurorja Habibe Salihu për rastin që ndërlidhet me “fajde” dhe më pas ishte lënë i lirë.

Rreth një jave më parv, Selami Hasani kishte caktuar një takim për sot (e diel) me Mefail Shkodrën dhe dhëndrin e tij, Bujar Hoxhën, me qëllim që të sqaronin situatën e krijuar.

Por, takimi duket se nuk ka shkuar sipas planit dhe ka përfunduar në mënyrë tragjike.

Bujar Hoxha aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në QKUK, ndërsa babai i tij, Abedin Hoxha, ka ndërruar jetë nga plagët e marra.

I vrarë ka mbetur edhe Edmond Hasani, djali i Selami Hasanit, i cili po ashtu humbi jetën në lokalin ku ndodhi krimi në Gjilan.

Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Mefail Shkodrën, si të dyshuarin kryesor për vrasjen e tre personave, ndërsa një person tjetër është arrestuar.

Ndërsa më vonë, policia shpalli në kërkim edhe dy djemtë e tij,  22-vjeçarin Edonis Shkodra dhe 20-vjeçarin Engjull Shkodra, si të përfshirë në vrasje

I dyshuari për vrasjen në Gjilan me 31 raste, përfshirë fajde, kërcënim, shantazh e sulm

Drejtori rajonal i policisë në Gjilan, Agron Rukiqi, ka bërë të ditur se i dyshuari për vrasjen e trefishtë që ndodhi sot në Gjilan, Mefail Shkodra, ka precedent penal, ku në total i ka 31 raste.

Rukiqi tha se për veprën penale “sulm”, Mefail Shkodra, i ka pesë raste, për “prishje e rendit dhe qetësisë publike” dy raste”, për “fajde” tri raste, për “mashtrim” një rast, për “kërcënim” tri raste, për “shantazh” e ka një rast, për “detyrim” i ka dy raste, për “pjesëmarrje apo organizim të grupit kriminal” e ka një rast dhe ka kundërvajtje në komunikacion.

“Për të gjitha rastet janë ndërmarrë veprimet nga ana e policisë dhe janë ngrit kallëzimet penale dhe rastet janë shpërfill tutje. Ne si polici konsiderojmë që e kemi kryer punën tonë”.

“Por, ju sigurojmë që Policia e Kosovës do t’i ndërmerr të gjitha veprimet që personat që janë në arrati të sillen para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar”, tha Rukqi.

Tutje, ai tha se Mefail Shkodra bashkë me dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra fillimisht janë larguar në këmbë, ndërsa në vend të ngjarjes është arrestuar një person i katërt.

Ngjarja tragjike në Gjilan, ky është personi i tretë që nuk i mbijetoi plagëve

Gjilani sot është tronditur nga një ngjarje e rëndë dhe tragjike.

Si pasojë e të shtënave me armë zjarri brenda një kafeneje në rrugën “Ibrahim Rugova”, tre persona kanë humbur jetën.

Insajderi mëson nga burimet e saj se edhe personi i tretë i përfshirë në këtë ngjarje, Abedin Hoxha, babai i Bujar Hoxhës, i cili është dhëndri i Selami Hasanit, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Policia shpall në kërkim Mefail Shkodrën pas vrasjes së dyfishtë në Gjilan, kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e tij

Mefail Shkodra, i dyshuar për vrasjen e dy personave sot në mesditë në Gjilan, është shpallur në kërkim nga Policia.

Policia e Gjilanit po kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e tij, duke publikuar fotografinë e të dyshuarit me autorizim të Prokurorisë.

“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të të dyshuarit, lëshon këtë kërkesë për bashkëpunim me qytetarët dhe mediat”, thuhet në njoftim.

“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale Gjilan, kërkon nga qytetarët dhe mediat që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’, në E-mail: info@kosovopolice.com dhe në numrat kujdestarë: 192; 03850807001. Të dhënat tuaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë.”

Dy persona u vranë në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur dhe po trajtohen në emergjencë. Gjendja e tyre ende nuk është bërë e ditur.

Selamiu dhe Edmondi, babë e bir që u vranë sot në Gjilan

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan, ku dy persona kanë humbur jetën dhe dy persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat në një kafe.

Burimet e IndeksOnline kanë bërë të ditur se viktimat janë babë e bir, Selami Hasani dhe Edmond Hasani, të cilët janë argjendarë të njohur në Gjilan.

Në mesin e të plagosurve është dhëndri i viktimave, Bujar Hoxha, i cili aktualisht Hoxha është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Gjilan: Viktimat babë e bir, ky është i dyshuari për vrasje

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan, ku dy persona kanë humbur jetën dhe dy persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat në një kafe.

IndeksOnline ka mësuar se viktimat janë babë e birë ndërsa i dyshuari për vrasjen e tyre është Mefail Shkodra, i cili ndodhet në arrati.

Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se konflikt dyshohet se ka ardhur si pasojë e fajdes.

Rasti është konfirmuar edhe nga zëdhëndës polici për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ku njoftoj se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante dhe prokurori i shtetit.

“Ju njoiftoj se sot 10.08.2025 rreth orës 12:32  dyshohet se ka ndodhur një rast vrasje dhe plagosje me armë zjarri  në Gjilan rr. “Ibrahim Rugova “ .

Në këtë rast mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e dy personav ,dyshohet se  edhe dy  persona të tjerë janë plagosur  dhe u është ofruar ndihmë në qendrën emergjente këtu në Gjilan. I dyshimt për rastin është personi mashkull shteras i Kosovës i njohur për polocinë I cili për momentin është në arrati .

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante dhe prokurori i shtetit.

Policia e Kosovës Njësitet e hetivev rajonale në bashkpunim me prokurorin e shtetit po i hetojn rrethanat e këti rasti të rëndë”, ka thënë Hashani.

Shkodra është emër i njohur për policinë, ku para një viti është arrestuar për fajde.