Kjo është gjendja e Bujar Hoxhës, i cili u plagos dje në Gjilan

Pacienti 41-vjeçar, i plagosur një ditë më parë në Gjilan me armë zjarri, është në gjendje stabile pas ndërhyrjes kirurgjikale në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në QKUK.

Drejtori i Kirurgjisë Abdominale, Enver Fekaj, tha për Ekonomia Online se pacienti ka pësuar lëndime të shumta, përfshirë edhe dëmtim serioz në abdomen.

“Bëhet fjalë për një pacient 41 vjeçar, Bujar Hoxha nëse nuk gaboj është emri i pacientit. Ai ka pasur lëndime në kokë, disa gërvishtje në dy duart, dy ekstremitetet e sipërme. Lëndimin më serioz e ka pasur në abdomen. Lëndimet në kokë, për këto lëndime janë kompetentë neurokirurgët, janë thirrur në konsultim dhe ata kanë bërë përpunim plage, por gjendja e vetëdijes nuk ka qenë e kompromituar dhe s’ka pasur nevojë për ndërhyrje urgjente nga ana e kirurgut, por për një përcjellje të vazhdueshme,” tha Fekaj.

Sipas tij, dëmtimi në abdomen është shkaktuar nga veprimi i armës së zjarrit dhe ka prekur zorrën e hollë.

“I ka pasur pesë përpunime, është bërë shkurtimi i zorrës, ngjitja e zorrës. Aktualisht e evidentova edhe personalisht, pacienti është stabil, është i vetëdijshëm, por për shkak të intervenimit kirurgjik që ka pasur normalisht që kërkon një përcjellje dinamike. Për momentin është stabil”, tha ai.

Pacienti fillimisht është pranuar në Qendrën Emergjente të QKUK-së, pas plagosjes në Gjilan, dhe më pas është transferuar për trajtim në Kirurgjinë Abdominale.

Polici gjuan me armë të riun, pasi nuk iu bind thirrjeve të policisë për t’u ndalur

Një ndjekje policore është regjistruar dje pasdite në fshatin Vuqë të Leposaviqit, ku një 19-vjeçar ka sfiduar urdhrat e policisë duke tentuar t’i shmanget kontrollit.

Rreth orës 14:45, njësia e NJNSH-së, së bashku me KFOR-in, ka ndaluar një veturë Golf 2 ngjyrë të kuqe, pa targa, me dy persona brenda. Gjatë verifikimit, Mladen Miladinovic rreth 20-vjeçar ka dalë nga vetura dhe është larguar me vrap, duke mos iu bindur thirrjeve të policisë për t’u ndalur.

Një pjesëtar i policisë ka shtënë me armën Glock në drejtim të tij për ta ndaluar, por pa shkaktuar lëndime. Pas rreth 6 orësh, i riu është paraqitur vetë në Stacionin Policor Leposaviq, ku është intervistuar nga IPK-ja.

Prokurori ka konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale, por me vendim të gjyqtares kujdestare, Miladinovic është gjobitur me dy tiketa: një për “Mosposedim të patentë-shoferit” dhe një tjetër për “Mospërfillje të urdhrave të ligjshme”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Tragjedia në familjen Hasani, sot u jepet lamtumira e fundit babë e bir që u vranë dje

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Gjilanit ditën e djeshme.

Babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani, të njohur si argjendarë në qytet, u vranë në rrethana të dhunshme.

Dy viktimat e kësaj ngjarjeje të rëndë do të varrosen sot në varrezat e qytetit të Gjilanit. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet pas Namazit të Ikindisë, në ora 16:40, transmeton IndeksOnline.

Familjarë, miq, e qytetarë pritet të marrin pjesë në ceremoninë mortore, për t’u dhënë lamtumirën e fundit Selamiut dhe Edmondit, dhe për të shprehur solidaritetin me familjen Hasani në këtë moment të rëndë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar nga autoritetet kompetente.

Sipas Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan, një person është arrestuar në vendngjarje, ndërsa tre të dyshuar të tjerë – Mefail Shkodra (53 vjeç) dhe djemtë e tij, Edonis (25) dhe Engjull Shkodra (22) – janë shpallur në kërkim dhe ndodhen ende në arrati.

Boksieri shqiptar rrah në mes të Zyrihut djalin e Arkanit

Boksieri shqiptar nga Kumanova Astrit Sejdi ka rrahur në mes të Zyrihut djalin e kriminelit serb Arkanit.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme dhe bëhet e ditur nga ish- deputeti Azgan Haklaj.

“Sot në orën 17:25′ në Zyrih ky djalosh trim nga Kumanova Astrit Sejdi teksa është shkëmbyer me djalin e Arkanit kur ka parë në bluzën e tij portretin e Arkanit dhe të Putinit nuk ka duruar dot.
Boksieri i talentuar menjëherë e ka marrë para si buldazer!

Tani sapo ka dalë nga stacioni policor dhe është shëndosh e mirë”, shkruan Haklaj.

Arkani (Željko Ražnatović), ishte një figurë e njohur ushtarake dhe kriminale serbe gjatë viteve 1990.

Ai u bë i famshëm si udhëheqës i “Tigrave të Arkanit”, një njësi paraushtarake serbe që veproi gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.

Arkani u akuzua për krime lufte, përfshirë vrasje, dëbime të popullsisë dhe mizori ndaj civilëve jo-serbë.

Ai ishte gjithashtu i përfshirë në botën e krimit të organizuar (vjedhje, grabitje bankash, kontrabandë).

Arkani u vra në vitin 2000 në hotelin “InterContinental” në Beograd, në një atentat.

Vrasja e trefishtë në Gjilan, çka dihet deri tani për tre të dyshuarit, Mefail Shkodrën dhe dy djemtë e tij

Një ditë pas ngjarjes tragjike të së dielës në mesditë në Gjilan, ku tre persona humbën jetën, tre të dyshuarit – Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra – ende nuk janë arrestuar dhe vazhdojnë të jenë në arrati.

Drejtori rajonal i Policisë në Gjilan, Adnan Rukiqi, ka bërë të ditur se po ndërmerren të gjitha veprimet hetimore dhe është kërkuar bashkëpunim ndërkombëtar. Sipas tij, janë njoftuar të gjitha pikat kufitare dhe janë kryer kontrolle në bazë të dyshimeve për vendndodhjen e të dyshuarve, por deri më tani ata nuk janë gjetur.

I dyshuari kryesor, Mefail Shkodra, është i njohur për organet e drejtësisë dhe ka precedent penal për një sërë rastesh, përfshirë sulme fizike, fajde, mashtrim, kërcënim dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.

Nga ana tjetër, prokurori i rastit, Isuf Sadiku, deklaroi për media se menjëherë pas marrjes së informacionit, janë ndërmarrë veprimet e para në vendin e ngjarjes dhe janë realizuar urdhërkontrolle, por të dyshuarit nuk janë gjetur.

Sa i përket motivit të ngjarjes, Sadiku tha se është ende herët për të dhënë detaje, pasi do të merren në pyetje të dëmtuarit dhe hetimet do të vazhdojnë.

Nga ngjarja e rëndë janë plagosur gjithsej katër persona, tre prej të cilëve kanë ndërruar jetë. Njëri nga viktimat vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerët humbën jetën në spitalin rajonal të Gjilanit. Një person tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ndërsa një i pestë ka pësuar lëndime nga mjete të forta, jo nga armë zjarri.

Brenda një dite, katër vrasje – Haradinaj: Pastrojeni uniformën e policisë nga fajdexhinjtë

Daut Haradinaj ka reaguar pas ngjarjeve tragjike të 10 gushtit, ku katër vrasje mizore tronditën Kosovën, duke përfshirë ekzekutimin e tre personave në Gjilan dhe një vrasje tjetër në Prizren, raporton GazetaBlic.

Ai ka theksuar se ky incident duhet të shërbejë si alarm për shoqërinë dhe institucionet që të ndërmarrin masa të ashpra ligjore për të ndëshkuar dhe parandaluar krimet.

Haradinaj ka kërkuar pastrimin e uniformave të policisë nga individët e korruptuar dhe ka nënvizuar se dukuri të tilla janë të njohura dhe të përhapura në të gjitha komunat e Kosovës.

Lajm tragjik: Edhe një i vrarë, Hekuran Shala vdes pas goditjeve me thikë – la pas një vajzë

Një person ka vdekur në QKUK pasi është therur me thikë mbrëmjen e së dielës në Zhur të Prizren.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“Sonte, më datë 10.08.2025, rreth orës 21:20, Policia e Kosovës ka pranuar informacion se një person me lëndime është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, viktima,  mashkull, ishte therur me thikë dhe ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është dërguar për trajtim në QKUK – Prishtinë, ku më pas ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se patrullat policore janë nisur menjëherë në drejtim të fshatit Zhur për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.

“Nga informacionet e mbledhura, i dyshuari është identifikuar dhe aktualisht ndodhet në arrati. Njësitë policore janë ende në terren dhe po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për kapjen e tij”, tha Bytyqi.

Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe po ndërmerren veprimet ligjore të mëtejme.

Tkurrja e turizmit ul çmimet e hoteleve, sa kushtojnë dhomat nga jugu në veri të Shqipërisë

Pavarësisht rritjes së numrit të hyrjeve të turistëve të huaj në Shqipëri, sezoni turistik veror në bregdet nuk po reflekton pritshmëritë.

Turistët e huaj nuk po preferojnë pushimet klasike me plazh, por eksplorimin me kosto të ulët.

Kjo ka sjellë mungesë fluksi në hotele gjatë javëve, me frekuencë më të madhe vetëm në fundjava, duke detyruar shumë struktura hoteliere të ulin çmimet me 10–25% dhe të intensifikojnë reklamimin online.

Të paktën ky është përfundimi në të cilin arrin “Monitor.al” pasi kontaktoi me operatorë turistikë, struktura hoteliere si dhe krahasoi të dhënat në platformat e Booking dhe Airbnb për të parë çmimet këtë sezon, duke marrë çmimet mesatare më të ulëta dhe më të larta për një strukturë akomoduese të regjistruar formalisht dhe të kategorizuar.

Sipas të dhënave të artikullit të publikuar këtë të dielë, më 10 gusht, arsyet kryesore të rënies së kërkesës për pushime në bregdet janë: Mungesa e turistëve nga Kosova (veçanërisht shtresa e mesme), për shkak të liberalizimit të vizave dhe zhvlerësimit të euros; Largimi i pushuesve shqiptarë drejt destinacioneve më ekonomike jashtë vendit; Ndryshimi i profilit të turistit të huaj, që kërkon eksperienca të ndryshme, jo vetëm plazh; Hyrja në treg e strukturave të reja akomoduese që kanë rritur konkurrencën dhe kanë ulur çmimet.

Tabela e çmimeve të hoteleve për një natë dhe e shezloneve sipas zonave

Situata sipas zonave:

Ksamili & Saranda: Ulje çmimesh me 10–25% për shkak të mungesës së rezervimeve dhe shtimit të apartamenteve me qira.

Borshi & Qeparoi: Të vetmet me rritje çmimesh për shkak të kërkesës së lartë.

Vlora & Himara: Reflektim i konkurrencës me ulje të ndjeshme çmimesh deri në 50% në mesataren e sipërme.

Durrësi & Golemi: Rezistojnë më mirë, me raport të mirë çmim/shërbim dhe fokus te turizmi i organizuar.

Velipoja & Shëngjini: Mbështeten nga “turizmi patriotik” (Kosova). Çmimet mbeten ekonomike, por është shtuar segmenti i shtrenjtë me rritje të lehta çmimesh.