Lajm aspak i mirë për bashkatdhetarët që jetojnë në Zvicër

Aktiviteti i ndërtimit nuk ka rënë ende aq ndjeshëm, por pritet të bjerë

Qiramarrësit zviceranë përballen me rritje të ndjeshme të qirave në vitet e ardhshme.

Sipas Martin Tschirren, kreu i Zyrës Federale të Strehimit, qiratë e reklamuara ka të ngjarë të rriten me 3-5% në vit. Kërkesa për strehim vazhdon të tejkalojë ofertën, tha ai për NZZ am Sonntag më 25 gusht 2025, ndërsa zyra e tij publikoi të dhënat e fundit të tregut të strehimit, transmeton albinfo.ch.

Mungesa kujton krizën e vitit 2014, kur vendet e lira ranë në minimumin historik. Edhe sot, furnizimi me banesa të reja po zvogëlohet. Lejet e ndërtimit kanë rënë me gati një të tretën që nga viti 2016, vëren Tschirren.

Aktiviteti i ndërtimit nuk ka rënë ende aq ndjeshëm, por pritet të bjerë. Opozita dhe apelimet ligjore janë fajtorët kryesorë pas projekteve të bllokuara, sipas një studimi që ai citoi. Raporti sugjeron kufizimin e së drejtës së apelimit për ata që preken drejtpërdrejt, duke mbajtur në vend të drejtat e konsultimit. Kjo do të frenonte pengesat oportuniste.

Dy forca më të thella janë gjithashtu në veprim. Strehimi është bërë një investim tërheqës, duke i çuar çmimet më lart. Dhe ndryshe nga e kaluara, bashkitë nuk mund ta zgjidhin më kërkesën në rritje thjesht duke rizonuar tokën – parcelat e disponueshme janë shumë të pakta.

Akti i Planifikimit Hapësinor i Zvicrës, i cili u votua me referendum, përcakton rregullat se si mund të përdoret dhe zhvillohet toka. Qëllimi i tij është të sigurojë që vendbanimet të rriten në një mënyrë kompakte dhe të rregullt, tokat bujqësore dhe peizazhet natyrore të mbrohen dhe infrastruktura të përdoret në mënyrë efikase. Duke vepruar kështu, ai kufizon rizonimin e tokës për ndërtimin e ndërtesave. Ligji u miratua nga Parlamenti në vitin 1979 dhe u miratua nga votuesit në një referendum më 22 qershor 1980. Që atëherë, reforma të ndryshme kanë shtrënguar rregullat mbi zonimin dhe rezervat e tokës.

Nëse ekonomia nuk rrëzohet, qiramarrësit që hyjnë në tregun zviceran të banesave dhe ata që lëvizin brenda tij duhet të përgatiten për qira më të lartë.

E rëndë në Drenas: Pamje nga vendi ku humbi jetën tragjikisht një e mitur

Një aksident me fatalitet ka ndodhur në rrugën Komoran-Drenas gjatë ditës së diel.

Rreth orës 17:00, në fshatin Zabel i Ulët të Drenasit, një automjet u përfshi në një aksident trafiku me pasoja të rënda.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka dhënë detaje për Insajderin.

“Sot rreth orës 17:00 kemi pranuar informatën se në fshatin Zabel i Ulët të Drenasit ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një automjet. Si pasojë e aksidentit një person ka mbetur i vdekur dhe janë lënduar katër të tjerë. Vdekja e viktimës (e mitur) është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërkohë që personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë ajo.

Gazeta lokale ‘DrenicaOnline’ ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes:

 

‘Kemi pasur plane tjera’, rrëfehet për herë të parë gruaja e Edmond Hasanit që u vra në Gjilan

Pak muaj pas kurorëzimit, Njomza Hasani përballet me humbjen më të madhe të jetës – vrasjen e trefishtë tragjike në qendër të Gjilanit ku humbën jetën bashkëshorti i saj, Edmond Hasani, babai i tij, Selami Hasani, dhe Abedin Hoxha.

Në një intervistë për Vox News Kosova, Njomza rrëfeu se për disa ditë është larguar nga Kosova për të marrë pak ajër dhe për të lehtësuar dhimbjen që e ka përfshirë gjithçka rreth vetes:

“Jam larguar prej Kosovës për disa ditë pasi, siç dihet, nuk ka shumë muaj që kemi bërë kurorëzimin. Kemi qenë të përgatitur për plane tjera, për jetë tjetër, për gjithçka tjetër. Ndodh një vrasje që ta shkatërron jetën. Kam ardhur vetëm për disa ditë që të liroj mendimet e mia, mërzinë time dhe të kthehem pak. Më është dashur të largohem, sepse mërzia është shumë e madhe për mua, për familjarët e Edmondit dhe për familjarët e Selamit.”

Ajo theksoi se kushdo në Gjilan e dinte se me kë kishin të bënin personat e përfshirë në këtë krim:

“Edhe me u vra në mes të ditës, në mes të qytetit, nga persona që kanë pasur shumë padi në polici… Ka insistuar me i takuar e me i vrarë persona pa i pasur asnjë borxh. Asnjë borxh. Ky është një rast i prerjes në besë, rasti i Edmondit dhe Selamit.”

Autorët e dyshuar, Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull, ndodhen ende në arrati dhe të njëjtit janë shpallur në kërkim nga policia menjëherë pas rastit.

Vdes profesori i njohur deçanas

Ka vdekur profesori i shquar Demë Hasanramaj, një prej figurave më emblematike të arsimit dhe sportit në qytetin e Deçanit, shkruan GazetaDemos.

Profesor Demë Hasanramaj ishte i njohur për përkushtimin e tij të palodhur ndaj arsimit shqip dhe për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e sportit në komunën e Deçanit.

Me gjallërinë, përpikmërinë dhe karizmën e tij prej pedagogu, ai edukoi breza të tërë me dije, kulturë dhe vlera njerëzore.

Brezi i tij në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” konsiderohet si brezi i artë, që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e këtij institucioni arsimor. Ishte njeri i veçantë, me integritet të lartë dhe respekt të gjerë në mesin e kolegëve, nxënësve dhe qytetarëve të Deçanit.

Armend Muja alarmohet nga një status i Berat Buzhales, fton institucionet e sigurisë

Deputeti i VV-së, Armend Muja është frikësuar nga një postim i gazetarit, Berat Buzhala.

Buzhala, i cili njihet për shkrimet me ironi e shaka, në një postim, me shaka kishte shkruar: “Nese vendosim me hy neper institucione, Dimalin lemnani mu.”

E, ky postim i gazetarit e ka frikësuar deputetin e pushtetit. Muja e ka quajtur postimin si thirrje për dhunë.

“Kjo është thirrje për dhunë, me të cilën duhen të merren institucionet e sigurisë.”, ka shkruar Muja në postimin e tij.

Mbetet të shihet nëse pushteti do vihet pas gazetarëve edhe për postimet në Facebook./Periskopi/

Mësimdhënësit drejt shteteve të Perëndimit, mbi 600 kanë lënë Kosovën këtë vit

Një pjesë e madhe e kosovarëve janë duke lënë vendin e tyre për të shkuar në shtetet e Perëndimit.

Në mesin e këtyre qytetarëve janë edhe mësimdhënësit.

Nënkryetari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, në Klan Kosova, ka pohuar se mbi 600 mësimdhënës kanë lënë vendin për të shkuar në Evropë gjatë vitit shkollor 2024/2025.

“Sa i përket çështjes së ikjes, edhe mësimdhënësit, sikurse pjesa tjetër e popullatës, janë duke e lëshuar vendin e punës. Madje, kemi edhe drejtorë shkollash.

“Nuk kemi shifra të sakta, por numri është mbi 600 që kanë lëshuar vendin për të migruar. Kjo shifër është deri në përfundimin e vitit shkollor 2024/2025. Por tani, gjatë pushimeve, ky numër mund të rritet edhe më shumë,” tha Ymeri.

Incident në Prizren: Grushte e plumba midis qytetit

Lajmi në Prizren u nda shpejtë.

Prizrenasit mësuan për një përleshje që përfundoi me shkrepje plumbash mbrëmjen e së shtunës.

Incidenti kriminal fillesat i pati në rrugën ”Ismet Jashari – Kumanova/Xhavit Bajraktari”.

Të përfshirë në kacafytje, siç mëson Klan Kosova, ishin Zejnel Begolli, 29 vjeç dhe Vahit Salihu, 25.

Viktima u nis menjëherë për trajtim mjekësor, ku pas trajtimit gjendja iu stabilizua dhe gjendet jashtë rrezikut për jetë.

Por, keqbërësi iku menjëherë bashkë me veturën e tij të tipit “Opel Corsa” në një drejtim tjetër.

Megjithatë, s’shkoi shumë dhe u lokalizua nga policia, nga të cilët edhe u konfiskuan disa elemente.

Klani mëson se konflikti mes dyshes s’nisi sefte këtë vikend.

Dyshohet se këta kishin raporte jo fort të mira prej kohësh, duke përfshirë edhe familjarë të tjerë.

Kjo nuk qe as hera e parë që ishte përdorur arma, pasi shpesh kishin provokuar njëri-tjetrin përmes të shtënave.

Në anën tjetër Begolli, ka pak kohë që është liruar nga burgu, pasi edhe ai ka të kaluar të errët për organet e rendit.

Motrat Mustafa e ndezin atmosferën në dasmën e nipit

Kur bëhet fjalë për atmosferë në ahengje familjare, padyshim që në mendje na vijnë bilbilat e Mushtishtit – Motrat Mustafa.

Së fundmi, ato kanë martuar nipin e tyre dhe nuk kanë munguar të këndojnë edhe në dasmën e tij, shkruan “Kosovarja”.

Si teze për nip, ashtu edhe si këngëtare të njohura, Motrat Mustafa ndezën atmosferën me këngët më të bukura, duke e bekuar çiftin përmes vargjeve të tyre plot emocion.

Me zërin e tyre karakteristik dhe prezencën plot energji, Motrat Mustafa sollën një atmosferë të paharrueshme në dasmën e nipit.

 

Vdekja tragjike e 24-vjeçares në poligonin e Prishtinës, mësohen detaje të reja, ja si ndodhi ngjarja tragjike

Të premten, më 29 gusht, një incident i rëndë ka ndodhur në poligonin e shënjestrimit “Fazani-S” në Kosovë, ku një 24-vjeçare me inicialet L.S. dyshohet se ka plagosur veten me armë zjarri, e cila më pas nuk mundi t’i përballoj plagët e marra, kështu duke ndërruar jetë pas trajtimit në QKUK, shkruan GazetaDemos.

I akuzuari kryesor është Hashim Rexhepi, njëherit drejtori dhe instruktori i poligonit, pasi i njëjti ka shkaktuar rreziktë përgjithshëm, duke lënë tashmë të ndjerën dhe një dëshmitar që të paisen me armë dhe municion pa mbikqyrjen e tij në pjesën ku bëhet gjuajtja.

Teksa e njëjta duke manovruar me armë, ka qëlluar veten në pjesën e abdomenit, ku më pas ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare në kryeqytet.

Ndërkaq, sot në Gjykatën Themlore në Prishtinë, të pandehurit Hashim Rexhepi i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, vendim të cilin e ka kundërshtuar avokatja e tij Besjana Ismaili, duke thënë se kërkesa e prokurorisë nuk ka mbështetje në nenin 163 të KPPRK-së dhe mbështetje në paragrafin 2.4 dhe 2.5 të këtij neni pasi që nuk janë përshkruar provat që e mbështesin dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer vepër penale.

“Nga video shohim se kemi të bëjmë me vetëvrasje e jo me manovrim të armës sikurse pretendon prokuroria në caktimin e paraburgimit”, tha avokatja Ismaili.

Ismaili shtoi se Rexhepi së bashku me djalin e tij dhe stafin e tij ia kanë dhënë ndihmën e parë tashmë të ndjerës dhe më pas duke thirrur edhe emergjencën, tutje ajo tha se i njëjti ka kontribuar në sigurim të provave duke qënë se i njëjti telefonin e tij personal e ka pasur në Shkup për servis, ai ka kontaktuar personat dhe ka mundësuar sigurimin e kamerave, passwordit, duke shtuar se edhe djali i të pandehurit ia ka dhënë policisë videon e momentit të vetëvrasjes, pra të njëjtit kanë mundësuar dhe kanë ndihmuar policinë në gjetjen e provave të nevojshme.

“Menjëhere pas ngjarjes sipas rregullave zakonore, familja Rexhepi e ka dërguar një person tek familja Sejdiu për të i kërkuar leje për pjesëmarrje në varrim dhe shprehje të keqardhjes për rastin ku familja Sediu e ka mirëpritur këtë veprim duke i lejuar familjes Rexhepi të marrin pjesë në varrim dhe prindi i tanimë të ndjerës ka kërkuar që edhe Hashim Rexhepi të jetë pjesëmarrës në varrim duke deklaruar se para familjarëve të familjes Rexhepi se ne nuk kemi asnjë mosmarrëveshje në mes vete, pasi e githë kjo ngjarje nuk ka ardhur sipas veprimit apo qëllimit të familjes Rexhepi”, deklaroi avokatja.

Zhvillime në Hagë: Zyrtarë amerikanë pritet…

Gjykata Speciale në Hagë po hyn në një fazë të re nga 15 shtatori, kur mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi pritet të fillojë me paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të saj. Por, kjo fazë do të ketë një element krejtësisht të veçantë: pritet prani e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sallën e gjyqit.

Më 18 gusht, ekipi mbrojtës i Thaçit mori miratimin nga SHBA-të për dëshminë e dëshmitarit të koduar “1DW-003” – një figurë e mbajtur ende në anonimitet për publikun, por e njohur për trupin gjykues. Nuk mbaron këtu: amerikanët kanë vendosur një listë të gjatë kushtesh për mënyrën se si ky person do të dëshmojë.

Sipas dokumentit të avokatit Luka Misetiç, SHBA-të kanë kufizuar fushën e pyetjeve që mund t’i bëhen dëshmitarit, kanë lejuar refuzimin e përgjigjeve për arsye konfidencialiteti, si dhe kanë kërkuar të jenë vetë prezentë gjatë marrjes në pyetje.

Në të njëjtën kohë, mbrojtja e Thaçit ka konfirmuar se është në pritje të miratimit edhe për katër dëshmitarë të tjerë. Për W04174 tashmë është dhënë drita e gjelbër nga amerikanët, ndërsa për 1DW-007 dhe 1DW-008 po vazhdojnë diskutimet. Miratimi për 1DW-010 mbetet ende i bllokuar.

Këto zhvillime nënvizojnë rolin vendimtar të SHBA-ve në procesin e Hagës, jo vetëm si vëzhgues nga jasht, por tashmë edhe si garantues të kushteve mbi të cilat dëshmitarë kyç do të flasin. Një realitet i cili i jep garancione shtesë procesit.