Ish-deputetja e LDK-së del me qëndrim, deklarohet kundër koalicionit me VV-në në Vushtrri

Kandidati i VV-së për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Sylejman Meholli sot ka nënshkruar marrëveshje koalicioni me tashmë ish kandidatin e LDK-së për kryetar komune, Xhafer Tahiri.

Kundër kësaj marrëveshje në mes të Mehollit dhe Tahirit ka dalë edhe ish deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e cila e ka shpërndarë komunikatën e LDK-së më të cilën kundërshtohet ky ‘koalicion’ dhe që quhet veprim individual i Xhafer Tahirit.

Numërimi drejt fundit – rezultati më i fundit për Prishtinën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat përmbledhëse për zgjedhjet e 12 tetorit në Prishtinë, ku kryetari aktual, Përparim Rama po udhëheq për 574 vota ndaj kundërshtarit të tij, Hajrulla Çekos të VV-së.

Në votat e diasporës, është Çeko ai që po udhëheq me një përqindje prej 54.90%, derisa Rama qëndron i dyti në votat me postë, me 27.68% të votave të fituara, transmeton Klankosova.tv.

LDK del me reagim pas koalicionit ‘krye në vete’ të Xhafer Tahirit me VV-në

Ky është reagimi i LDK-së pasi kandidati i saj në Vushtrri, Xhafer Tahiri, nënshkroi koalicion me Vetëvendosjen e Kurtit në këtë komunë.

Komunikata e plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gjërë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.

Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

LDK-ja pret që fillimisht të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të marrë vendimet përkatëse.

Veprimet e tjera, sikurse ky i sotmi, janë pa ndonjë vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së. Si të tilla, ato do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale. LDK-ja tani është e fokusuar në garën e saj elektorale të balotazhit dhe jo në garën e partive tjera.

Arrestohet polici i Kosovës, dyshohet…

IPK-ja ka arrestuar mbrëmjen e së dielës një zyrtar policor nën dyshimin për “dhunë në familje”.

Ndaj të njëjtit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

IPK-ja në komunikatë bën të ditur se i dyshuari është suspenduar nga puna.

Komunikata e plotë:

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar mbrëmë një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.

IPK kishte pranuar informacione dje në orët e pasdites lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Prizren ka kryer veprën penale dhunë në familje.

Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar nga Policia e Kosovës me rekomandim të IPK-së.

Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prizren do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Koalicioni ‘krye në vete’ i Xhafer Tahirit me LVV-në, LDK-ja merr këtë vendim

Lidhja Demokratike e Kosovës ka ftuar mbledhje urgjente pas koalicionit që kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, nënshkroi me Lëvizjen Vetëvendosje të hënën.

Tahiri, siç raportoi ekskluzivisht Veriu.info, sot nënshkroi pa leje nga partia koalicion për mbështetjen e kandidatit të LVV-së, Sylejman Meholli, në balotazhin e zgjedhjeve në Vushtrri.

Marrëveshja u nënshkrua nën prezencën e kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Lëvizja “krye në vete” e Tahirit për marrëveshjen e koalicionit me LVV-në, ka mbledhur LDK-në

Paparaci ka marrë vesh se organet qendrore të LDK-së janë mbledhur urgjentisht për shqyrtimin e këtij hapi të Tahirit, i cili është kryetar i Degës së LDK-së në Vushtrri.

Një komunikim i realizuar të hënën mes Kryesisë së LDK-së dhe kryetarëve të Degëve, i paralajmëroi liderit lokal që të mos kryenin asnjë lëvizje rreth koalicioneve pa miratimin e Kryesisë Qendrore.

“Ju rikujtojmë se Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion para çertifikimit të rezultateve zgjedhore. Çdo veprim individual do të trajtohet në organet më të larta partiake, sipas Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në këtë porosi të cilën Gentiana Azemi, zyrtare për komunikim në LDK, ua ka dërguar kryetarëve të Degëve të hënën.

“Kërkesat për koalicione shtrohet nga Degët tek Kryesia pas çertifikimit të rezultateve dhe trajtohen me kohë”, thuhet në këtë komunikim, raporton Paparaci.

Informatat për nënshkrimin e koalicionit mes LVV-së dhe LDK-së në Vushtrri, kanë qarkulluar që nga mëngjesi i së hënës.

Zyrtari i Vetëvendosjes në Vushtrri, Naim Bunjaku, në një postim në rrjetet sociale të hënën në mëngjes paralajmëroi nënshkrimin e marrëveshjes hjatë ditës.

“Sot nënshkruhet marrëveshja e koalicionit me LDK në prani të kryeministrit Albin Kurti”, shkroi ai, në një postim në Facebook. “Ejani të jeni prezent dhe dëshmitarë të kësaj ngjarje që na e siguron fitoren në Vushtrri”.

Në balotazh, Vetëvendosje që mori rreth 30% të votave në raundin e parë do të përballet me Ferit Idrizin, kryetarin aktual e kandidatin e PDK-së edhe për një mandat të ri, i cili siguroi rreth 45% të votave, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së.

Xhafer Tahiri doli i treti, tregojnë rezultatet preliminare, me 19% të votave në raundin e parë.

Rey Manaj trondit sërish serbët: Milosheviç më përgëzoi për golin ndaj Serbisë

Heroi i fitores së Shqipërisë kundër Serbisë në Leskovc, Rey Manaj, zbuloi se Milosh Milojeviç e përgëzoi për golin e shënuar kundër Serbisë.

Përfaqësuesja serbe u mund nga Shqipëra në Leskovc më 11 tetor me rezultatin 0-1, dhe këtë dhuratë për të gjihë kuqezinjtë e bëri goli i Rey Manaj. Festa e tij me duart në formën e shqiponjës acaroi edhe më tepër se goli serbët, por kjo pak rëendësi ka për ne.

Pasi u rikthye në futbollin e klubeve, Rey Manaj ka deklaruar se Milosh Milojević, i cili është trajneri i tij në Sharjah me origjinë serbe e kishte përgëzuar për golin e shënuatr gjatë ndeshjeve të kombëtares.

“Marrëdhënia ime me trajnerin Milojević është e shkëlqyer. Kam respektin maksimal për të. Në fund të fundit, ai më përgëzoi kur u ktheva në klub nga anagazhimi me Kombëtaren. Kjo është normale në futboll, ne jemi të gjithë këtu për shkak të suksesit të Sharjah”, tha Manaj, siç raportohet nga “Al Etihad”, ndërkohë vlen të theksohet se Manaj ka shënuar edhe në ndeshjen e tij të parë pas rikthmit për klubin e tij në fitoren 2-0 ndaj Al Dhafra.

Xhafer Tahiri lidh koalicion “individual” me VV-në, Sekretariati i Lumir Abdixhikun e kundërshton

Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri pritet të lidh sot koalicion në nivel lokal për balotazh me Xhafer Tahirin e LDK-së.

Veriu.info mëson se Xhafer Tahiri me disa persona nga dega e Vushtrrisë ka vendosur të hyj në koalicion për garën e balotazhit në të cilën do të përballen Ferit Idrizi i PDK-së që më 12 tetor mori 45.33% dhe Sylejman Meholli i VV-së që ka marrë 30.77%.

Burime të Veriu.info bëjnë të ditur se sot nga zyra e kryetarit të LDK-s, Lumir Abdixhiku sot u është përcjell një sms kryetarëve të degëve, kandidatëve për asamble dhe kryesive të nëndegëve, ku thuhet se Kryesia Qendrore e LDK-së nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion para certifikimit të rezultateve.

Sekretariati i LDK-së iu ka bërë të ditur degëve se çdo veprim individual do të trajtohet në organet më të larta partiake, sipas Statutit të LDK-së.

Veriu.info ka siguruar pamje nga takimi që po mbajnë Sylejman Meholli dhe Xhafer Tahiri për nënshkrimin e koalicionit.

Kadri Kryeziu i ashpër ndaj “patriotëve me miIiona”: Edhe patriot, edhe hajn – nuk shkon

Juristi Kadri Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj atyre që, sipas tij, përdorin patriotizmin për përfitime personale.

Në një postim në rrjete sociale, ai shkroi se “edhe patriot, edhe hajn – nuk shkon”, duke kritikuar gazetarë e analistë që, sipas tij, shoqërohen me persona të dyshimtë si Fatmir Sheholli.

Kryeziu i akuzoi disa figura publike për hipokrizi dhe për lidhje me individë që, siç tha ai, “punojnë për Serbinë”, duke i bërë thirrje të kenë “pak turp e ndërgjegje”.

Postimi i plotë:

Edhe patriot, edhe hajn — nuk shkon.

Edhe patriot, edhe shok shpirti me Fatmir Shehollin — nuk shkon.

Edhe gazetarë e analistë që na lodhin me lot krokodili për këtë Republikë, e njëkohësisht shokë shpirti e ortakë në dallavere me Fatmir Shehollin — nuk shkon.

Edhe me Kosovën, edhe me Serbinë — nuk shkon.

Boll e keni mashtru këtë milet me patriotizëm të veshur me miliona, me dreka e darka ku një shishe kushton sa dyfish e trefish i rrogës mesatare.

Pa turp, pa ndërgjegje, duke nxjerrë foto me bilmeza që i keni ditë mirë se punojnë për Serbinë.

Po si nuk keni pak turp?

Vetëm pak ditë para afatit, Kurti befasisht merr këtë vendim politik

As përgjatë këtyre dy ditëve nuk pritet të ketë ndonjë zhvillim sa i përket krijimit të Qeverisë së re të vendit

Kjo pasi seanca e Kuvendit të Kosovës nuk do të thirret as për sot, nesër apo pasnesër.

Kryeministri në detyrë, njëherësh i mandatuari tanimë për qeverinë e re- Albin Kurti do të udhëtojë për në Londër.

Kurti do të përfaqësojë Kosovën në samitin e Procesit të Berlinit që zhvillohet më 22 tetor në Londër, raporton lajmi.net.

 

 

Procesi i Berlinit synon të përshpejtojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes politike, ekonomike dhe teknike nga vendet anëtare të BE-së, veçanërisht nga Gjermania.

Ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar mandatin përmes së cilit ka mandatuar Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Sipas presidentes ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të mandative në Kuvend nga rezultat e zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti.

“Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e qeverisë për miratim”, thuhet në njoftimin e Presidentes. Mandatimi i Kurtit për formimin e qeverisë së re u mundësua vetëm një ditë pas Parlamenti i Kosovës përfundoi një proces të stërzgjatur të konstituimit me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit Nenad Rashiq nga radhët e komunitetit serb. Rashiq nuk është nga lista Srpska, ndonëse kjo e fundit pretendon që nënkryetari i kuvendit u zgjodh jashtëligjshëm dhe se i takon asaj ky post, sepse është grupi  më i madh parlamentar  me nëntë deputetë nga radhët e komunitetit serb.”

Pavarësisht se kanë kaluar shumë muaj- Kosova vazhdon të jetë me qeveri në detyrë.

Kuvendi i Kosovës u konstituua me shumë vështirësi, derisa Lista Serbe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të komunitetit serb e çoi edhe një herë në Kushtetuese.

Kjo u konfirmua për lajmi.net nga Gjykata Kushtetuese të cilët thanë se kanë pranuar tanimë ankesën e Listës Serbe e cila do të trajtohet në vazhdim.

Kurse ditë më parë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur mbi krijimin e qeverisë së re.

Në konferencën për media, ai tha se dita e fundit për ta prezantuar kabinetin e ri qeveritar, është 26 tetori.

“Dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca e kuvendit ku unë prezantoj kabinetin e ri qeveritar, është 26 tetori. Shumë shpejt, qysh në këtë javë do të fillojmë komunikimin dhe bisedat për qeverinë qendrore”.

Nëse nuk ka qeveri të re, Kurti u shpreh i gatshëm për zgjedhje të reja.

“Po bëhemi gati për qeverinë Kurti 3, nëse nuk ka, jemi të gatshëm për zgjedhje të reja. Gatishmëria jonë është e plotë, por një herë plani ynë është për qeverinë Kurti 3”.

Nëse ai nuk arrin t’i sigurojë 61 vota deri më 26 tetor, presidentja Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare.

PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma kanë dërguar sinjale të ndryshme muajve të fundit për mundësinë e bashkëpunimit me Vetëvendosjen, e cila ka shprehur gatishmëri të bashkëpunojë edhe me pakicat joserbe për formimin e Qeverisë

LDK dhe Vetëvendosje befasojnë – formojnë koalicion në një nga komunat më të mëdha të vendit

Një koalicion paszgjedhor është arritur sot në Vushtrri.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli ka nënshkruar koalicion me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri.

Siç mëson lajmi.net koalicioni është nënshkruar para pak minutave në Vushtrri.

Në rezultatet e zgjedhjeve në këtë komunë, VV mori 26.28%, kurse LDK-ja mori 21.62 për qind.

Në këtë komunë më së shumti përqindje të votave mori Partia Demokratike të Kosovës me kandidatin e saj Ferit Idrizi.

Idrizi mori saktësisht 38.08% të votave.

Kjo komunë deri tani është drejtuar nga Ferit Idrizi i PDK-së.