Valon Syla komenton përplasjen e Zemajt me qytetarin: Secili e paguan hakun e vet

Pas incidentit të ndodhur sot gjatë ditës në Prishtinë, ku deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, u përfshi në një përplasje verbale e fizike me një qytetar, ka reaguar edhe gazetari dhe analisti Valon Syla, i cili ka komentuar situatën me një status në facebook.

Syla, duke u shprehur se ai personalisht mundohet t’i shmangë përplasjet e drejtpërdrejta për shkak të profesionit, ka theksuar se në politikë gjërat shpesh marrin drejtim tjetër, pasi raporti mes provokimit dhe reagimit nuk është gjithmonë i balancuar.

“Ku e keni pa këtë se unë të ofendoj, të shaj e ti duro. Po ja besoj Armend Zemajt… edhe pse unë për veti në kesi raste tërhiqem dhe eci se jam gazetar pjesë e medias, edhe mundohem ta anashkaloj situatën…”, shkruan Syla.

Sipas tij, pritja që një person publik të mos reagojë, pavarësisht provokimit, nuk është gjithmonë reale.

“Politika në një moment reagon, i humb durimi dhe reagon… edhe pse i bie pishman pas pak kohe, por logjika popullore kosovare se unë të rrasem në jetë, të ofendoj e të shaj e ti s’bon me reagu është keqkuptim i të gjitha të drejtave dhe lujtje kolektive”, shkruan ai.

Në fund, Syla apelon për vetëdijesim dhe respekt të ndërsjellë:

“Mos ja bëni dikujt diçka që s’ki qef me ta bo dikush, se ka pasoja. Politika nuk është media e as kishë e xhami, është pjesë aktive e shoqërisë e cila reagon dhe reflekton në bazë të asaj qysh trajtohet, sulmohet.”

‘Ndoshta jemi martu,’ Ana bën lëmsh rrjetin me deklaratën e saj

Ana dhe Kevini, dyshja që nisi romancën e tyre gjatë qëndrimit në shtëpinë e Big Brother Vip Kosova, po vazhdojnë të jenë ndër çiftet më të përfolura edhe pas përfundimit të spektaklit.

Ata shpesh ndajnë momente të përbashkëta në rrjete sociale, duke treguar se lidhja e tyre po ecën më së miri.

Së fundmi, ishte Ana ajo që bëri lëmsh ndjekësit e saj në Instagram.

Teksa po u përgjigjej pyetjeve të fansave, njëri prej tyre e pyeti:

“A mendoni me bo dasëm apo vetëm bashkëjetesë?”

Përgjigjja e saj ishte ajo që ndezi rrjetin:

“Nashta jena martu po s’kena bo dasëm”

Kaq mjaftoi që komentet dhe hamendjet të shpërthenin në rrjet, me shumë ndjekës që u habitën nëse kjo ishte një shaka apo një lajm i vërtetë për martesën e tyre.

Edhe pse Ana nuk ka dhënë ndonjë konfirmim të mëtejshëm, fansat e çiftit mezi presin të kuptojnë nëse bëhet fjalë për një surprizë apo thjesht për humorin karakteristik të saj.

Parashikimi i motit për nesër dhe ditët në vijim

Ditën e shtunë kalojë vransira kohëpaskohe, mirëpo nuk mungojnë as intervale me diell. Ndonjë rigë shiu mund të bie aty këtu më vonë pasdite.

Temperaturat minimale zbresin në 4C e 7C, ndërsa maksimalet shkojnë deri në 16C e 19C. Frynë erë e lehtë dhe mesatare jugperëndimore 4-10m/s, me hove mbi 15m/s, relieveve malore.

Të reshura shiu përfshinë vendin ditën e diel, që gjatë mbrëmjes mund të jenë më të vazhdueshme me kalimin në ditën e hënë. Deri nga mesdita e së hënës reshjet mund të pushojnë, e priten intervale me diell. Temperaturat zbresin deri në 12C.

Ndonjë rrebesh shiu kalon ditën e martë, derisa zonave malore priten edhe reshje dëbore.

Më pas të mërkurën parashihen kushte më stabile me kthjellime. Mirëpo depërtimi i masave më të ftohta ajrore zbret temperaturat, minimalet deri në1C, e maksimalet luhaten ndërmjet 12C e 15C.

Të dielen frynë ende erëra jugore e jugperëndimore të lehta dhe mesatare 3-8m/s, ndërsa nga dita e hënë ndryshojnë drejtimin në verilindore

Dallaveret me rrymë: Janina Ymeri e LDK-së ftohet nga Prokuroria Speciale

Janina Ymeri e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njofton se është ftuar nga Prokuroria Speciale si dëshmitare në lidhje me kërkesën për hetime rreth çështjes së energjisë elektrike.

Ymeri e cila ka qenë mjaft aktive në denoncimin e skemave të humbjes së energjisë elektrike dhe blerjen e shtrenjtë të saj, shkruan:

“Të nderuar, Ju njoftoj se jam ftuar nga Prokuroria Speciale si dëshmitare në lidhje me kërkesën e dërguar për hetime rreth kapaciteteve transmetuese të energjisë elektrike. Me kaq, për hir të korrektësisë ndaj jush, dhe integritetit institucional, përfundon edhe ky status. Urojmë që drejtësia të triumfojë dhe të mos zhvatet më shumë xhepi ynë”, shkruan ajo.

 

“Para se Zemaj ta sulmonte qytetarin ia ofendoi edhe nënën e gruan”

Avokati Liridon Kutllovci ka reaguar pas një incidenti që, sipas tij, ka ndodhur sot mes klientit të tij dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës, Armend Zemaj. Në një deklaratë publike, Kutllovci ka bërë të ditur se deputeti ka ushtruar dhunë fizike ndaj qytetarit që ai përfaqëson.

Sipas versionit të avokatit, ngjarja ka ndodhur gjatë një interviste publike të deputetit Zemaj. Klienti i tij, i cili po kalonte pranë bashkë me bashkëshorten, i është drejtuar deputetit me fjalët: “Të gjithë jeni njësoj, vetëm gënjeni”, duke shprehur, siç thuhet në deklaratë, frustrimin qytetar ndaj gjendjes politike e ekonomike në vend.

Në vend që të ruante qetësinë, deputeti Zemaj, sipas Kutllovcit, është kthyer me fjalë fyese, duke i thënë qytetarit: “Gënjen nëna dhe gruaja juaj”, fjalë që, sipas avokatit, janë shqiptuar në prani të bashkëshortes së qytetarit.

Pas pak sekondash, deputeti Zemaj e ka goditur me grusht klientin e tij, “pa asnjë provokim tjetër nga ana e tij”, thuhet në deklaratë. Klienti i Kutllovcit, sipas avokatit, nuk është kundërpërgjigjur me dhunë, por ka reaguar duke njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës.

“Ky akt përbën sjellje të papranueshme dhe të dënueshme ligjërisht, veçanërisht kur vjen nga një deputet që ka për detyrë të japë shembull qytetarie dhe respekti ndaj ligjit,” thuhet ndër të tjera në reagimin e avokatit.

Kutllovci ka paralajmëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore që, sipas tij, rasti të mos mbetet pa përgjegjësi dhe që “dinjiteti i qytetarit të mbrohet plotësisht”.

Mirena për përleshjen e Zemajt me një qytetar: Fort mire ja paska ba

Gazetari Ilir Mirena ka reaguar për incidentin e Armend Zemajt nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Mirena vlerësoi se Zemaj shumë mirë ka bërë që e ka sulmuar.

“Armend Zemaj e paska godet me grusht nje qytetar ne sheshin e Prishtinës. Duke dhene nje interviste qenka porovoku prej tij. Fort mire ja paska ba. Pse i rras hunte e provokon, e njeri tuj dhane intervist! Kane marr zemer budallte, ndryshe s’ndalen…”, ka shkruar Mirena,

Ndërkaq, gjatë të premtes Armend Zemaj teksa po jepte intervistë në sheshin e Prishtinës, një qytetar e kishte provokuar me fyerje deputetin Armend Zemaj i është përgjigjur me dhunë./gazetametro.net

Ky është qytetari që u sulmua nga deputeti Zemaj

Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është përfshirë në një përleshje me një qytetar, derisa ishte duke dhënë një intervistë në qendër të Prishtinës.

Zemaj thuhet se e ka sulmuar qytetarin pasi që ai dyshohet se e ka provokuar me fjalë.

Siç merr vesh Insajderi, i përfshirë në incident me deputetin Zemaj është Nuha Osmani.

Lidhur me rastin nga policia kanë deklaruar: Sot rreth orës 15:00 është pranuar informata për një konflikt fizik në sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë. Lidhur me incidentin palët e përfshira janë duke u intervistuar në polici. Për detaje shtesë do t’ju njoftojmë me kohë.

Dallaveret me tenderë: SPAK’u hetim ndaj numrit dy të Qeverisë Rama, Belinda Balluku

Prej disa orësh në media të ndryshme në Shqipëri janë duke raportuar se numri dy në Qeverinë Rama, Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit – SPAK. 

Gazeta Tema raporton se SPAK përmes zëdhënëses, Ada Heqimi në lidhje me këto raportime, nuk i ka konfirmuar e as mohuar hetimin: “Prokuroria e Posaçme nuk ka asgjë për të ndarë me median”.

Ndërkaq, mediat shqiptare që kanë publikuar lajmin i referohen atyre që i quajnë “burime të rezervuara brenda SPAK”, përcjell gazeta online Reporteri.net.

Sipas raportimit, Prokuroria e Posaçme regjistron emrin e zëvendës Kryeministres Belinda Balluku si person nën hetim për akuzën e shkeljes se barazisë në tendera.

Numri dy i qeverisë “Rama 4” sipas raportimitështë thirrur të paraqitet në SPAK të hënën mbi bazën e një shkrese që mban firmën e prokurorit të Posaçëm Dritan Prençi.

Raportimet bëjnë me dije se fletëthirrja i është dorëzuar Ballukut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Arben Gashi i del në mbrojtje Zemajt që grushtoi qytetarin: Armendi qëndron i palëkundur

Deputeti i LDK’së, Arben Gashi, i ka dalë në krah bashkëpartiakut të tij, Armend Zemajt, i cili sot e grushtoi një qytetar në shesh.

Zemaj ka thënë se “dhuna – qoftë verbale apo në çfarëdo forme tjetër – ndaj përfaqësuesve institucionalë duhet të marrë emërtimin e merituar”.

“Dhuna – qoftë verbale apo në çfarëdo forme tjetër – ndaj përfaqësuesve institucionalë duhet të marrë emërtimin e merituar, sepse nuk është vetëm ndaj individit, por ndaj vetë funksionit publik që ai përfaqëson. Në një shoqëri demokratike, kritika është e domosdoshme dhe e shëndetshme, por dhuna nuk ka vend. Armendi Zemaj qëndron i palëkundur”, ka shkruar Gashi.

Vetë Zemaj ka kërkuar falje, duke thënë se ka vepruar në afekt të vetëmbrojtjes.

Mefail Bajqinovci: LDK-ja para balotazhit është bërë agresive, po tenton të fitojë duke i grushtuar qytetarët në sheshin e Prishtinës

Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, ka reaguar pasi deputeti i LDK-së, Armend Zemaj është përfshirë në një përplasje fizike me një qytetar.

Bajqinovci, ka shkruar në “Facebook” se LDK është bërë agresive para balotazhit duke e lidhur me zgjedhjet lokale në Prishtinë.

“LDK-ja para balotazhit është bërë agresive. Në vend që të kërkojë votën me ide e projekte, po tenton ta fitojë duke i grushtuar qytetarët në sheshin e Prishtinës“, ka shkruar ai

Policia e Kosovës tha se rasti ka ndodhursot rreth orës 15:00 në sheshin qendror të Prishtinës.

Deputeti Zemaj dhe qytetari janë intervistuar në polici për rastin.

“Sot rreth orës 15:00 është pranuar informata për një konflikt fizik në sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë. Lidhur me incidentin palët e përfshira janë duke u intervistuar në polici. Për detaje shtesë do t’ju njoftojmë me kohë”, ka thënë Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana.

Ndërkohë, Zemaj ka dal me një reagim pas rastit duke treguar se ndjen keqardhje.

Sipas tij ishte qytetari që e ka provokuar me fjalë të papranueshme.

“Sot gjatë një interviste publike ndodhi një situatë e pakëndshme, për të cilën ndjej keqardhje të sinqertë. Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qellim te caktuar, këtë do e vertetojnë policia, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë. Në atë moment reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha ai.

Tutje, deputeti i LDK-së, kërkoi falje duke shtuar se do të duhej të ruante qetësinë.

“Në këto raste sulmi dhe fyerjesh të ulëta, sigurisht do duhej të ruaja qetësinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë dhe pavarësisht provokimit, i cili nuk me ka ndodhë kurrë gjatë karrierës sime, dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë. Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike. Andaj duhet të më shërbejë si mësim për të qenë më i durueshëm dhe më i përmbajtur në çdo situatë. Faleminderit të gjithëve për mirëkuptimin”, shkroi ai.