Soni Malaj feston ditëlindjen, kaq vjet mbushi

Këngëtarja e njohur shqiptare, Soni Malaj, sot po feston një ditë shumë të veçantë, ditëlindjen e saj të 44-të.

E dashur nga publiku për talentin, energjinë dhe stilin e saj unik, Soni prej vitesh ka qenë një nga emrat më të spikatur të skenës muzikore shqiptare.

Në këtë ditë të rëndësishme, ajo ka marrë me dhjetëra urime nga kolegë, miq e fansa, të cilët i kanë uruar shëndet, lumturi dhe suksese të tjera në jetë dhe në karrierë.

Edhe pse ka kaluar shumë vjet në skenë, Soni vazhdon të ruajë sharmin që e kanë bërë një nga artistet më të dashura për publikun shqiptar.

 

Presidentja Osmani udhëton për në Gjermani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nisur drejt Gjermanisë, ku do të mbajë sot një fjalim në Fakultetin Juridik të Universitetit të Berlinit.

Para studentëve, Osmani do të flasë për mbrojtjen e demokracisë. Takimi pritet të ketë pjesëmarrje të madhe, pasi në këtë universitet po zhvillohet Java e Takimeve me Personalitete Evropiane.

Gjithashtu, presidentja do të zhvillojë edhe takime të shumta në Gjermani.

Paris Guri i LDK-së: Studentët ende s’i kanë marrë 100 euro, dalin pak ditë para balotazhit

Para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, qeveria në detyrë e Kosovës ndau 26 milionë euro për studentët, duke thënë se secili prej tyre do të përfitojë 100 euro.

Kjo nga shumëkush u pa si instrumentalizim i buxhetit shtetëror kryekëput për zgjedhje, por ato para ende s’kanë dalë, siç kujtoi edhe një deputet i Kuvendit..

Për mosekzekutimin e këtyre 100 eurove, deputeti i LDK-së, Paris Guri, bëri një parashikim interesant, duke thënë se këto mjete do të dalin afër datës së raundit të dytë të zgjedhjeve.

“Qeveria ende nuk i ka ekzekutuar 100 eurot për studentët. Mbajeni në mend ato do të dalin pak ditë para balotazhit”, shkroi Guri me ironi në Facebook.

Qeveria vendimin e mori para 12 tetorit, por këto përfitime për studentët ende nuk janë ekzekutuar. Data e balatazhit është 9 nëntori.

Kurti kthehet në Kosovë, merr pjesë në këtë ngjarje

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti do të marrë pjesë në ceremoninë hapëse të Festivalit të Teknologjisë, DOKU.TECH 2025, që do të mbahet sot në orën 12:00, në “Tech Park Prishtina”.

Ky edicion i radhës i DOKU.TECH zhvillohet në kuadër të nismës qeveritare “October Tech Kosova” dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Gjatë dy ditëve të festivalit, më 23 dhe 24 tetor, ngjarja do të mbledhë ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për të ndarë ide, përvoja dhe perspektiva të reja rreth teknologjisë, inovacionit dhe zhvillimeve të ardhshme në këtë fushë.

Programi i DOKU.TECH 2025 përfshin një sërë aktivitetesh, si:
• Keynote speakers Edi Demaj dhe Christopher Petrillo, të cilët do të trajtojnë temat më aktuale të teknologjisë dhe ndikimit të saj global;
• Masterclass DIY, që do t’u japë mundësinë pjesëmarrësve të përfshihen në aktivitete kreative dhe edukative;
• Panel diskutimi me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë mbi sfidat dhe mundësitë që teknologjia ofron për Kosovën dhe rajonin;
• Si dhe një Cyber Exercise, një simulim interaktiv që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe përgatitjen ndaj sigurisë kibernetike.

Festivali DOKU.TECH pritet të shërbejë si një platformë e rëndësishme për shkëmbim idesh dhe nxitje të inovacionit në Kosovë, duke e pozicionuar vendin si pjesë aktive të zhvillimeve teknologjike globale.

Kurti siguron edhe dy vota – edhe dy deputetë i japin dritën e gjelbër!

Deputeti i pavarur nga komuniteti Ashkali, Artan Asllani, ka konfirmuar se do ta votojë pro Qeverisë Kurti 3.

Ai për GazetaBlic theksoi se vendit i nevojitet stabilitet dhe vazhdimësi në qeverisje, prandaj mbështet formimin e qeverisë së re.

“Po, do të votoj pro Qeverisë Kurti 3, sepse besoj se vendit i duhet stabilitet dhe vazhdimësi në qeverisje”, tha Asllani.

Edhe, deputeti i Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinolli, ka bërë të ditur se kjo parti do ta mbështesë Albin Kurtin për formimin e qeverisë së re.

Ai tha se janë zhvilluar takime me Kurtin dhe, ndonëse nuk kanë vendosur kushte, ekziston një marrëveshje që partia e tij do të përfaqësohet me një pozitë ministrore në qeverinë e ardhshme.

“Kemi pasë takime me Kurtin, duke marrë parasysh faktin që VV’ja është mandatare për formimin e qeverisë, ne do t’ia japim votën Kurtit. Ne nuk kemi kushte, por kemi marrëveshje që ne si parti, në momentin që do të formohet qeveria, do të jemi të përfaqësuar me një pozitë ministrore”, tha Kinolli për GazetaBlic.

Ndryshe, më 11 tetor, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, që të formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Pavarësisht se kanë mbetur vetëm edhe pak afat për ta paraqitur përbërjen e re të Qeverisë, deri më tani nga LVV nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.Nuk është raportuar për ndonjë takim apo negociatë me subjektet e tjera politike që do të mundësonte ndërtimin e një koalicioni qeverisës.

Kjo, pasi LVV-së i nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend për të formuar Qeverinë, ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti ka siguruar 48 ulëse.

Zubin-Potok: Një shofer godet me veturë një zyrtar policor

Një shofer ka goditur me veturën e tij një zyrtar policor.

Rasti ka ndodhur pasditën e së martës

Sipas njoftimit të policisë, incidenti ka ndodhur pasi një njësit policor, teksa ishte në një pikë kontrolli, tentoi të ndalojë një veturë për kontroll rutinor.

Drejtuesi i veturës u largua nga vendi me shpejtësi, me ç’rast edhe goditi zyrtarin policor.

“Vetura e dyshuar nuk është arritur të ndalohet” thuhet në njoftimin e policisë.

Rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Xhensila ka një fjalë për Ledrin

Pas publikimit të këngës së re nga Ledri Vula, një ndër reagimet që mori vëmendjen më të madhe ishte ai i Xhensila Myrtezajt.

Këngëtarja e ka ndarë një fragment nga videoklipi i reperit në Instagram Story, duke shkruar “Amazing” shoqëruar me një emoji zjarri, në shenjë mbështetjeje për kolegun e saj.

 

Ky reagim vjen pas një vere të tërë ku dyshja është përfolur gjerësisht për një afërsi më të madhe se ajo profesionale. Komentet nisën që pas bashkëpunimit të tyre të suksesshëm “Ma Kthe”, ku kimia në skenë dhe para kamerave u bë temë diskutimi në rrjet.

Megjithatë, të dy artistët janë pjesë e së njëjtës shtëpi muzikore dhe menaxhim, prandaj kjo mbështetje nuk duhet interpretuar si diçka më shumë sesa përkrahje brenda grupit. Vetë Ledri në intervista të mëparshme e ka cilësuar raportin me Xhensilën si “ekipor dhe profesional”, ndërsa asnjëri nuk ka bërë ndonjë deklaratë që konfirmon ndonjë lidhje romantike.

Spekulimet për një romancë midis tyre janë ushqyer kryesisht nga rrjetet sociale dhe mediat rozë, por deri më tani nuk ekziston asnjë konfirmim zyrtar. Si Ledri ashtu edhe Xhensila kanë zgjedhur të fokusohen në projektet muzikore dhe në bashkëpunimet e tyre që po rezultojnë të suksesshme.

Sulmohen policia e Kosovës

Brenda një dite në Pejë janë regjistruar dy raste të ndara të sulmeve ndaj personave zyrtarë, ku zyrtarë policorë janë përballur me rezistencë, kanosje dhe dhunë fizike gjatë kryerjes së detyrës.

Rr. “Iljaz Pashë Dibra”, Pejë  22.10.2025 – 09:09. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ai ka sulmuar zyrtarët policorë. Gjatë arrestimit i dyshuari ka rezistuar, në rast njëri zyrtar policor ka përdorur sprej. I dyshuari dhe një zyrtar kanë pranuar trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Rr. “Nënë Tereza”, Pejë 22.10.2025 – 09:32. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që ata kanë ofenduar, kanosur dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë. Një zyrtar policor ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit pas intervistimit një i dyshuar është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.

Kjo është pamja madhështore nga banesa e Engjellusha Salihut

Engjellusha Salihu, e njohur ndryshe si Engji, tashmë po jeton jashtë Kosovës, pas martesës së saj.

Së fundmi ajo ka ndarë me ndjekësit një fotografi nga dritarja e banesës, ku duket një rrugë e bukur dhe e qetë e qytetit ku ajo banon aktualisht.

Pamja tregon një ambient të rregulluar me kujdes dhe një perspektivë që i ofron qetësi dhe inspirim, shkruan “Kosovarja”.

A thua a po i mungon Prishtina e Kosova?

 

Aksident i rëndë në Kanada, humb jetën mjeku shqiptar

Një mjek shqiptar në Kanada ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me makinë.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Ambasada e Shqipërisë në Kanada, teksa ambasadorja Artemis Kosta Malo, ka ngushëlluar familjarët e të ndjerit.

Agron Alija shërbeu si mjek dhe Profesor i Asociuar në Shkollën e Mjekësisë dhe Stomatologjisë “Schulich” në London, në provincën e Ontarios, njofton tch.

Me dhimbje të thellë mësuam lajmin tronditës për ndarjen e parakohshme nga jeta të Dr. Agron Alija. Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kanada dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr. Agron Alija për këtë humbje të pazëvendësueshme.

Dr. Agron Alija ishte një figurë emblemë e komunitetit shqiptar në Kanada, një profesionist i përkushtuar në fushën e mjekësisë dhe një njeri me shpirt fisnik që kontribuoi me dashuri, përkushtim dhe integritet në shërbim të njerëzve dhe komunitetit veçanërisht në Hamilton dhe London, aty ku edhe shërbeu si mjek dhe Profesor i Asociuar në Shkollën e Mjekësisë dhe Stomatologjisë “Schulich” në London, në provincën e Ontarios.

Humbja e tij la një boshllëk të madh jo vetëm për familjen e tij, por edhe për gjithë ata që patën fatin ta njihnin e ta vlerësonin. Në këto momente të vështira, shpreh gjithë mbështetjen time dhe uroj forcë dhe durim familjes së Dr. Alija për të përballuar këtë humbje. U prehsh në paqe, Dr. Alija. Kujtimi për ty do të qëndrojë përgjithmonë në zemrat dhe mendjet tona, me respekt, mirënjohje dhe mall të thellë për njeriun fisnik, mjekun e përkushtuar dhe mikun e dashur që ishe”, shkruan ambasadorja shqiptare.