A i ka Kurti numrat për qeveri? -Ja se çka thotë Basha

‘‘Duhet me lanë deri të dielën me pa’’, se a i ka Albin Kurti me Lëvizjen Vetëvendosje, numrat e mjaftueshëm për krijimin e qeverisë së re, ka thënë kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Vetë Basha, i cili u zgjodh kryeparlamentar pas muajsh bllokade, ka thënë se numrat për qeverinë varen prej mandatarit e që është kryeministri në detyrë, Kurti, shkruan Gazeta Express.

Basha ka thënë se duhet të pritet e diela për të parë se si do të procedohet tutje,

‘’A i kanë numrat? Kjo varet prej mandatarit që është kryeministri në detyrë, zoti Albin Kurti, dhe afati është deri të dielën, kështu që duhet me lanë deri të dielën për me pa kur thirret seanca dhe se si do të procedojmë’’, ka thënë kryekuvendari në një intervistë të djeshme dhënë për RTK.

Tutje, Basha vlerësoi se, ‘’herët apo vonë’’, partitë shqiptare do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, pasi siç tha kryetari i Kuvendit, ato ‘’s’kanë ku e çojnë njëra-tjetrën’’.

‘’Unë vazhdojë me besu që partitë shqiptare duhet ta gjejnë vullnetin që bashkëpunojnë mes vete. Herët apo vonë, sot apo nesër këto parti shqiptare do të bashkëpunojnë me njëra tjetrën, se s’kanë ku e çojnë njëra tjetrën’’, ka shtuar ai.

Më tej, Basha ka deklaruar edhe se ‘’populli e ka bo punën e vetë’’ në zgjedhje duke votuar e treguar ‘’maturi demokratike’’, dhe se tash, i takon partive që të gjejnë vullnet për bashkëpunim.

Ai e vlerësoi edhe si ‘’pak të ngutshme’’, atë që ai e quajti ‘’betejë’’ që filloi në seancën solemne të konstituimit të Kuvendit.

‘’Unë mendoj se ka pas zgjedhje të lira demokratike, si ato parlamentare edhe këto lokale, e që po besoj është treguar një maturi e jashtëzakonshme, mendoj kështu, politike dhe demokratike nga ana e popullit tonë që tani po e kalon testin çdo katër vite. Meqenëse populli ka bo punën vetë, unë mendoj që tashti edhe partitë politike duhet ta gjejnë vullnetin që të bashkëpunojnë mes vete për ta krijuar një qeveri, për shkak se kanë kalu një kohë e gjatë, thash ndoshta jo gjithmonë me fajin e deputetëve, për me kanë shumë fer, për shkak se katër muaj e gjysmë i ka marrë gjykata Kushtetuese. Mendoj që beteja që është fillu në seancën solemne për konstituimin e Kuvendit ka qenë pak e ngutshme’’, ka thënë ai.

E trishtë: Shqiptarja 29-vjeçare vritet nga burri, i dyshuari ekzekutohet nga policia

Një 29-vjeçare shqiptare është qëlluar për vdekje me armë nga bashkëshorti i saj, Anthony Deschepper, 38-vjeç.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Brampton, Kanada, kur burri i Savannah Kullës, nënë e 4 fëmijëve, e ka qëlluar atë në një parking, duke e lënë të vdekur në vend.

Autori pas krimit ka marrë një prej fëmijëve të tyre dhe ka tentuar që të largohet nga vendi i ngjarjes me automjetin e tij, por është ekzekutuar nga policia, në tentativë për ta arrestuar.

Ngjarja e rëndë ka tronditur komunitetin e Brampton, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur arsyet që çuan në këtë tragjedi.

Agim Bahtiri bën thirrje për unitet: Të bëhemi bashkë, armiku na don të përçarë

Deputeti i Vetëvendosjes Agim Bahtiri ka një thirrje për liderët partiakë dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Teksa po ofrohet afati për formimin e qeverisë së re, Bahtiri ka bërë thirrje për unitet.

Ai ka thënë se Kosova nuk e ka luksin të shkoj në zgjedhje të reja dy herë brenda vitit. Ndërsa ka thënë se duhet të bëhen bashkë, sepse armiqtë duan t’i shohin të përçarë dhe të dobët.

“Armiqtë tanë dëshirojnë të na shohin të përçare dhe të dobët, por ne duhet të jemi më të bashkuar dhe më të fortë se asnjëherë më parë sepse sa herë që atdheu jonë ka qenë në vështirësi, bashkimi ka qenë “arma” më e fortë me të cilën i kemi bërë ballë çdo armiku! Mos lejoni që interesat personale apo partiake të na pengojnë në rrugën drejt progresit. Kosova jonë meriton stabilitet, jo kaos; meriton punë, jo zgjedhje të pafundme që harxhojnë energjinë dhe besimin e qytetarëve”, ka thënë Bahtiri.

Postimi i plotë i Agim Bahtirit:

UNITETI është obligim kombëtar, jo zgjedhje!

_

Të nderuar kolegë deputetë dhe liderë partiakë,

Si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës ndjej përgjegjësi, që të iu drejtohem me një thirrje vëllazërore:

Kjo javë, deri të dielën më 26 tetor, është afati për formimin e Qeverisë së re. Kosova nuk ka luksin të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare dy herë brenda një viti!

Armiqtë tanë dëshirojnë të na shohin të përçare dhe të dobët, por ne duhet të jemi më të bashkuar dhe më të fortë se asnjëherë më parë sepse sa herë që atdheu jonë ka qenë në vështirësi, bashkimi ka qenë “arma” më e fortë me të cilën i kemi bërë ballë çdo armiku!

Mos lejoni që interesat personale apo partiake të na pengojnë në rrugën drejt progresit. Kosova jonë meriton stabilitet, jo kaos; meriton punë, jo zgjedhje të pafundme që harxhojnë energjinë dhe besimin e qytetarëve.

Ne jemi zgjedhur për t’i shërbyer popullit, jo për ta lënë në errësirë. Ta ndiejmë përgjegjësinë e madhe ndaj atyre që na kanë votuar, ndaj historisë sonë të vuajtur dhe ndaj të ardhmes së fëmijëve tanë.

Tani është koha të njohim njëri-tjetrin, kush do të dalë atdhedashës e kush përçarës!

AB

Me kë do të bëjë AAK koalicion në Prishtinë, Ramën apo Çekun- flet Bekë Berisha

Deputeti i AAK-së dhe kandidati për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, i pyetur rreth ndonjë koalicioni për kryeqytetin, ka thënë se ende s’ka menduar se çfarë do të bëjnë.

Berisha ka thënë se po presin se kush do t’ua bëjë ofertën më të mirë dhe se ende s’ka ndonjë ofertë zyrtare.

“Nuk kam mëndu ende çka kemi me bo në Prishtinë. I kemi pritë rezultatet. Do të shohim se kush na bën ofertë më të mirë”, ka potencuar deputeti i AAK-së.

“Ka oferta personale prej njerëzve e ide, por ende s’kemi zyrtare diçka”, ka thënë Bekë Berisha.

PDK ia mbyll derën VV-së në Gjakovë, por lë të hapur me AAK-në

Kryetari i ardhshëm i Gjakovës do të përcaktohet në balotazhin e nëntë nëntorit.

Pjesë garës janë Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gjini.

Diskutimet për marrëveshje mes partive kanë nisur, e Hajdar Beqa, kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjakovë tha se nuk e përkrahin Lëvizjen Vetëvendosje.

‘’Ne do të kemi një konsultim me strukturat e partisë, por natyrshëm PDK-ja nuk e përkrah Vetëvendosjen. PDK-ja është parti institucionale dhe aty ku jam unë edhe kryetar dege është e pamundur bashkëpunimi me VV-në për shkak se të njëjtit e pengojnë zhvillimin e vendit, nuk shohë ndonjë mundësi bashkëpunimi me VV-në’’ tha Beqa për Indeksonline.

Tutje ka shtuar se ka pasur në të kaluarën bashkëpunim me Gjinin e AAK-së dhe se mund të diskutojnë përsëri.

‘’Ne me kryetarin Gjini kemi pasur një bashkëpunim të mirë në nivel kryetarësh, dhe mund të diskutojmë për çfarëdo forme të bashkëpunimit por po presim zyrtarizmin e rezultateve nga KQZ-ja, pastaj PDK-ja do të dal me një qëndrim’’, ka deklaruar Beqa.

Nëna e Berat Buzhales feston sot ditëlindjen, ja sa vite mbushi ajo sot

Nëna e gazetarit të njohur Berat Buzhala ka festuar sot 75-vjetorin e lindjes, dhe si gjithmonë, Buzhala ka zgjedhur ta urojë me humorin e tij karakteristik.

Në një postim plot energji dhe ironi të ëmbël, ai e përshkroi nënën e tij si një “mbretëreshë prishtinalike”, që pavarësisht moshës, është në hap me kohën – madje edhe në TikTok, ku pëlqen videot e krijuara me inteligjencë artificiale.

“Ka kush punon për mu, unë jam princeshë”, – është një nga frazat e saj të preferuara, ndërsa sipas Buzhalës, mesazhi i saj klasik mbetet “Kuje, avanohesh?”, që ai thotë se “s’ka datë skadimi”.

Postimi i Buzhales:

Mosha: 75 vjeç, sot;
Gjendja civile: Single;
Orientimi: Straight;
Hobi: Video ne Tik Tok te gjenerume me AI;
Vendbanimi: Prishtine (prishtinalike);
Citatet e preferuara: Ka kush punon per mu, une jam princeshe; You get back the same energy you put out
Autori i Preferume: Danielle Steel;
Autori shqiptar i preferume: Albatros Rexha;
Qyteti i preferume: Dubai;
Religjioni: Besoj ne energji kozmike;
Politikani i preferume: Albin Kurti

🤣🤣🤣🤣

Mbretneshe e kena, edhe pseeeeeeee prej qe ka vdeke baba e ka qasjen shume radikale.

“Ku je? A vonohesh”, eshte mesazhi i saj i preferuar. Sigurisht i shkruar keshtu: Kuje avanohesh.

Vlora Çitaku “thumbon” Gërvallën pas paraqitjes në OKB: Diplomacia nuk bëhet me spektakle për vëmendje

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA dhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas paraqitjes së fundit të Ministres në detyrë për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në një reagim publik, Çitaku ka kritikuar mënyrën e qasjes së institucioneve të Kosovës në raport me këto seanca, duke theksuar se fokusi duhet të ishte në uljen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj raportimeve të UNMIK-ut, e jo në “shfaqje të panevojshme”.

Përpjekjet e institucioneve tona duhet të ishin të përqendruara në drejtim të uljes së vëmendjes mbi seancat e tilla, e jo në shndërrimin e tyre në spektakle të pakëndshme dhe panevojshme,” ka shkruar ajo.

Sipas saj, raporti i UNMIK-ut që diskutohet në Këshillin e Sigurimit ende nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, por e paraqet si “zonë konflikti aktiv”, ndaj nevojitet qasje e matur dhe koordinim diplomatik me aleatët.

“Suksesi i vërtetë ka qenë puna e përditshme, koordinimi i kujdesshëm me aleatët tanë dhe rezultatet konkrete që kemi arritur: reduktimi i frekuencës së raportimit të UNMIK-ut nga katër në dy seanca në vit, ulja e nivelit të përfaqësimit nga ai ministror në nivel ambasadorësh dhe krijimi i kushteve që numri i raportimeve publike të zvogëlohej edhe më tej,” ka shkruar Çitaku.

Në fund, ajo i drejton një kritikë të hapur klasës aktuale politike:

“Kasta aktuale politike le të gjejë forume të tjera për ta ushqyer nevojën për vëmendje dhe protagonizëm. Diplomacia nuk bëhet kështu.”

 

Rënie e madhe e çmimit të arit

Çmimi i arit pësoi rënien më të madhe në më shumë se një dekadë, pas një periudhe rritjeje të fortë. Të martën, çmimi i menjëhershëm ra me 6.3% në 4.082 dollarë për ons, pas arritjes së një niveli rekord prej 4.381 dollarësh një ditë më parë, përcjell albinfo.ch.

Kontratat e së ardhmes në SHBA ranë me 5.7%, rënia më e madhe që nga prilli 2013. Edhe çmimet e argjendit dhe platinës ranë ndjeshëm.

Rënia erdhi si rezultat i realizimit të fitimeve nga investitorët dhe optimizmit për rifillimin e negociatave tregtare SHBA-Kinë. Rikuperimi i dollarit dhe fundi i festivalit Diwali në Indi gjithashtu ndikuan në uljen e kërkesës.

Megjithatë, çmimi u rikuperua lehtë të mërkurën, duke u rritur me 0.4%.

LDK-ja pjesë e Qeverisë Kurti 3? Deklarohen nga kjo parti

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrimin politik ndaj një bashkëqeverisjeje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Haziri tha se LDK ka mbajtur qëndrim të qartë që nga 9 shkurti, duke vendosur të garojë për fitore dhe, në rast të kundërt, të qëndrojë në opozitë.

“LDK nuk ka ndryshuar qëndrim politik. Para 9 shkurtit e ka thënë qëndrimin e vet politik, që ne hyjmë në garë për me fitu dhe nëse nuk fitojmë, ne rrimë në opozitë. Edhe pas 9 shkurtit e ka konfirmu në dy ftesa që lideri i partisë së parë, nga Lëvizja Vetëvendosje, i dalë me 9 shkurt, ia ka çu LDK-së si ofertë për bashkëpunim institucional në bashkëqeverisje”, deklaroi Haziri, transmeton Klankosova.tv.

Ai shtoi se LDK ka treguar korrektësi institucionale në proceset parlamentare, përfshirë votimet për nënkryetarët dhe kryesinë e Kuvendit, megjithatë nuk ka pasur mundësi të ndikojë në zhbllokimin e krizës politike.

Ne i kemi thënë ‘faleminderit’, dhe i kemi konfirmu qëndrimin e 9 shkurtit. Kemi demonstru lojalitet institucional tek vota e nënkryetarit të katërt, tek vota e nënkryetarit të pestë, për nënkryetarin e parë, të dytë e të tretë, për kryetarin e Kuvendit, me pjesëmarrje aktive në Kuvend. Por ne nuk kemi qenë të fuqishëm me e deblloku krizën, megjithatë e kemi paralajmëru”, u shpreh Haziri.