Zafir Berisha zyrtarizon kandidimin për deputet – partia që zgjodhi do t’ju habisë
Zafir Berisha ka konfirmuar se do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Ai thotë se ka vendosur t’i hyjë kësaj gare për të luftuar, siç e quan ai, “të keqen” që e ka kapluar vendin.
Berisha thekson se lidhja e tij me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, buron nga e kaluara e përbashkët për liri dhe nga përgjegjësia që, sipas tij, të dy e ndiejnë ndaj Kosovës.
Prandaj, ai e sheh angazhimin e tij të tanishëm politik si vazhdimësi e këtyre përpjekjeve.
“Rreshtimin tim në këtë betejë e shoh si vazhdimësi të përpjekjeve tona dhe të të gjithë atyre që e duan Kosovën seriozisht dhe pa mashtrime”, ka shkruar Berisha në Facebook.
Ai ka komentuar edhe pritjet që mund të rreshtohej krah Bedri Hamzës, duke deklaruar se Hamza është “kandidat kukull në duart e pionerëve pa libreza të PDK-së”, dhe se po përdoret për skenarë që, sipas tij, u panë edhe më 9 shkurt.
“Unë nuk kam mund të jam pjesë e asaj loje”, ka shtuar Berisha, duke theksuar se kandidimi i tij vjen “për Kosovën, jo për figurina politike që lëvizin sipas interesave të dikujt tjetër”.
