div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive date paged custom-background wp-custom-logo paged-2 date-paged-2 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Genc Prelvukaj reagon pas zgjedhjeve: A e siguroi mandatin e deputetit?

Pas përfundimit të procesit elektoral të dhjetorit, Genc Prelvukaj ka reaguar publikisht përmes një postimi, duke sqaruar pozicionin e tij politik dhe rezultatin e zgjedhjeve.

Prelvukaj bën të ditur se, ndonëse ka arritur të rrisë numrin e votave duke marrë rreth 16 mijë vota, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për t’u rreshtuar në ekipin fitues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka falënderuar të gjithë mbështetësit që i qëndruan pranë gjatë fushatës, duke theksuar se ndihet i nderuar dhe mirënjohës për besimin e treguar. Njëkohësisht, Prelvukaj u ka uruar punë të mbarë deputetëve të zgjedhur, duke shprehur shpresën se ata do të angazhohen maksimalisht për shtetin, shoqërinë dhe elektoratin e tyre.

Në reagimin e tij, ai thekson se vendimin e elektoratit të PDK-së e respekton dhe se këtë zhvillim duhet ta lexojnë racionalisht edhe ata që nuk fituan mandat. Megjithatë, Prelvukaj konfirmon se do të vazhdojë të jetë pjesë e PDK-së, ashtu siç ka qenë për më shumë se dy dekada, pa kërkuar asgjë në këmbim.

Në fund, ai i uron sukses partisë fituese, duke bërë thirrje për një qasje më racionale ndaj politikës vendore, aleatëve ndërkombëtarë dhe sfidave ekonomike, ndërsa nënvizon se interesi për Kosovën duhet të jetë mbi çdo dallim partiak.

 

Lajm i mirë nga kjo komunë: 500€ për pacientët me sëmundje malinje, 300€ për nënat lehonë

Në ditën e parë të punës për këtë vit, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar dy vendime të rëndësishme për qytetarët. 

Ai ka njoftuar se Komuna do të subvencionojë me 500 euro personat që përballen me sëmundje malinje dhe me nga 300 euro gratë lehona.

“Do të subvencionojmë me 500 euro të gjithë personat që përballen me sëmundje malinje, si mbështetje morale dhe financiare në periudha të vështira. Do të subvencionojmë me 300 euro çdo nënë lehonë, për secilën lindje, si shenjë përkrahjeje dhe respekti për sakrificën dhe rolin e tyre të pazëvendësueshëm në familje dhe shoqëri.”, ka njoftuar ai.

Ramosaj thekson se këto vendime janë dëshmi e fjalës së mbajtur dhe përkushtimit ndaj politikave sociale:

“Krah jush, në shërbim të njerëzve.”, ka shkruar Ramosaj.

 

E rëndë: Djali e bën për spital nënën e tij

Një person në Prishtinë është arrestuar pasi e ka sulmuar fizikisht nënën e tij.

Policia ka bërë të ditur se viktima ka pranuar tretman mjekësor.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht nënën e tij viktimën femër kosovare”.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia.

Duda Balje tregon nëse do të jetë pjesë e Kuvendit

Duda Balje ka arritur të siguronte ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur vetë Balje në një përgjigje për Indeksonlinen.

“Tani, bazuar në rezultatet që janë momentalisht kam arritur të siguroj ulëse në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit’’, ka thënë Balje për Indeksonlinen.

Po ashtu Balje është pyetur nesë do të ketë votë pro formimit të qeverisë nga Albin Kurti si fitues i zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

‘’Është herët të flasim për këtë çështje. Së pari duhet të përfundojë certifikimi i rezultateve. Unë jam për formimin e institucioneve, sepse ka kaluar një kohë e gjatë pa institucione”, është shprehur Balje

Në bazë të rezultateve preleminare, partia e Duda Baljes ka arritur që të sigurojë 2,427 Vota.

200 vota dallim, garë e ngushtë për mandatin e fundit në PDK’së

Përreth 200 vota dallim janë ndërmjet Bekim Haxhiut dhe Hajdar Beqës në garën për mandatin e fundit për deputet në Partinë Demokratike të Kosovës.

Në rezultatet e përmbledhura të KQZ’së, Bekim Haxhiu ka siguruar 20,392 vota, ku rezultojnë rreth 95,76 për qind të votave.

Ndërkaq Hajdar Beqa ka 20,192 vota, nga sa janë numëruar. Kjo është ulësja e 20-të, për të cilën ndodhen në garë Bekim Haxhiu dhe Hajdar Beqa.

Tri ulëset pas tyre është e projektuar t’i përkasin kandidatëve gra, sipas kuotës gjinore.

Në ulëset e fundit, të cilat i përkasin kandidateve nga gjinia femërore sipas kuotës gjinore, është projektuar të sigurojnë ulëse në kuvend kandidatet: Blerta Deliu-Kodra, Ariana Musliu-Shoshi dhe Arbnora Salihu.

Kurti tregon me kë do ta bëjë Qeverinë

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaron se formimi i qeverisë së re do të ndodhë menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Kurti thotë se synimi është që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i legjislaturës së dhjetë, të zgjidhet kryesia e Kuvendit dhe të formohet qeveria e re, duke theksuar se vendimi më i rëndësishëm në fillim do të jetë miratimi i buxhetit për vitin 2026. Sipas tij, bashkëpunimi me partitë tjera  do të shihet shumë shpejt, siç thotë ai, për shkak të marrëveshjeve ndërkombëtare urgjente.

Kryeministri në detyrë, partia e të cilit mori mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, nënvizon se Kosova nuk duhet të vonohet më në përfitimin e rreth 880 milionë eurove nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, si dhe 90 milionë eurove mbështetje buxhetore nga Banka Botërore. Po ashtu, ai përmendi edhe fondet për çerdhe dhe për sistemin informativ shëndetësor.

Lideri i LVV-së flet edhe për përbërjen e kabinetit të qeverisë së re, për çka thotë se do të ketë konsultime të reja brenda subjektit dhe me partnerët e koalicionit, duke marrë parasysh edhe rezultatin individual të deputetëve.

“Sapo të certifikohen rezultatet nga Komisioni Qendror Zgjedhor, ne jemi të interesuar që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i legjislaturës së dhjetë, me kryesinë e kuvendit, dhe të formohet qeveria e Republikës, ku vendimi më i rëndësishëm qysh në fillim është buxheti për vitin 2026. Janë edhe disa vendime të tjera për mbledhjen e parë, por natyrisht më i rëndësishëm është buxheti”, thotë Kurti për KP.

Sa i përket bashkëqeverisjes, Kurti thotë se prioritet do t’u jepet partive politike të komuniteteve jo-shumicë, jo-serbe, me të cilat ka pasur bashkëpunim edhe në legjislaturat e kaluara, përfshirë edhe subjektin politik të Nenad Rashiq. Thekson se bashkëpunimi me disa subjekte të tjera është bërë më i vështirë gjatë vitit 2025, por nuk e përjashtoi plotësisht.

Ne se sa mund të kemi komunikim e bashkëpunim me partitë e tjera, duhet ta shohim shumë shpejt, sepse duhet t’i votojmë këto marrëveshje ndërkombëtare. Pra është shumë e rëndësishme që mos të vonohemi më për 880 milionë euro të planit të rritjes së Bashkimit Evropian, ku dy të tretat, përafërsisht, janë kredi, ndërkaq një e treta janë grante. Ndërkaq në anën tjetër, gjithashtu i kemi edhe 90 milionë euro prej Bankës Botërore mbështetje për buxhetin. I kemi edhe 20 milionë euro të tjera për çerdhet për fëmijë, dhe 20 milionë euro të tjera për sistemin informativ shëndetësor. Pra, shumë shpejt do ta shohim ne se a do të mund të bashkëpunojmë me opozitën sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërkaq, sa i përket qeverisë, nuk do të ketë kurrfarë problemi për formimin e shpejtë të qeverisë. Aktualisht vonesat janë derisa të bëhet numërimi i plotë i votave dhe certifikimi i rezultatit”, thekson Kurti për KosovaPress.

Duke folur për kabinetin qeveritar, Kurti thotë se nuk priten ndryshime të mëdha, porse nënvizon se do të ketë konsultime të reja brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe me partnerët e koalicionit.

“Unë nuk mund të them që do të ketë ndryshime të mëdha, nuk do të ketë ndryshime të mëdha, por nuk mund të them as që do të jetë identike. E para, duhet ta presim rezultatin e zgjedhjeve dhe tash ju e keni parasysh që qytetarët bëjnë dy lloj zgjedhjesh: së pari zgjedhin subjektin politik, më pastaj zgjedhin kandidatët përbrenda subjektit politik, dhe aty ka ndryshime. Kemi deputetë që janë zgjedhur për herë të parë, kemi deputetë që janë konfirmuar edhe më fuqishëm, kemi të tillë që kanë ngecur ca. Duhet t’i kemi të gjitha në konsideratë para se ta marrim vendimin përfundimtar dhe ne jemi ekip i gjerë. Pra nuk është çështja vetëm renditja në hierarki, qoftë ajo brenda Lëvizjes Vetëvendosje apo jashtë saj në popull sa vota ka marrë kush, por kush, ku, për çka, kur, janë po ashtu shumë të rëndësishme. Domethënë, ne duhet ta shohim veten tonë individualisht në funksion të ekipit që e ndërtojmë, e që është bashkëdyzim i mazhorancës në Kuvend me kabinetin qeveritar” thotë Kurti.

Ai flet edhe për bashkëpunimin me partitë tjera jo-serbe, respekivsht për mundësinë e një partneriteti me deputeten nga komuniteti boshnjak, Duda Balje dhe deputetin nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha, me të cilët vitin e kaluar nuk arriti t’i bindte për ta votuar kryeparlamentarin.

“Unë i kam takuar ata në të kaluarën dhe ata besoj që e kanë lexuar drejt rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Ne jemi të interesuar që pikë së pari të bashkëpunojmë me këta që kemi bashkëpunuar, pra me partitë politike të komuniteteve jo-shumicë, jo-serbe, të cilët ishin në legjislaturën e tetë dhe të nëntë. Dhe natyrisht do të ketë e përfshirë edhe subjektin e Nenad Rashiq. Pra, kjo do të jetë së pari, e mandej për të tjerët të shohim, por besoj që viti 2025 na e ka vështirësuar mundësinë e bashkëpunimit me ta. Nuk po them që është e pamundur, por ne hapin e parë do ta kemi me këta të cilët kemi bashkëqeverisur, e njohim mirë njëri-tjetrin, dhe nuk e befasojmë njëri-tjetrin me qëndrime e deklarime publike”, thotë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Profesori dështon, Ardian Kastrati i merr veç 1.463 vota – pak më shumë se Sali Rexhaj

Ardian Kastrati, ish-deputet i PDK-së, në zgjedhjet e 28 dhjetorit garoi me AAK-në e Ramush Haradinajt.

Megjithatë, Kastrati nuk ka arritur të zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës.

Kur numërimi është drejt përfundimit, Kastrati ka marrë vetëm 1.463 vota, duke u renditur i 53-ti në listën e AAK-së.

Kastrati ka marrë pak më shumë vota se Sali Rexhaj, një tjetër eksponentë shumë kritik ndaj VV-së, që mori vetëm 982 vota.