div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive date paged custom-background wp-custom-logo paged-2 date-paged-2 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Rinumërimi i votave përmbys rezultatin: ministri i Kurtit mbetet jashtë Kuvendit

Rinumërimi i deritanishëm i votave me shumë mundësi do ta lë jashtë Kuvendit ministrin në detyrë të Zhvillimit Rajonal dhe kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damkën.

Sipas shifrave aktuale, mandati pritet t’i kalojë Ergul Mazrekut, i cili ka marrë 2.511 vota, 15 më shumë pas rinumërimit.

Ndërkohë, Damkës i janë hequr 68 vota që më parë i ishin përshkruar gabimisht, duke e lënë totalin e tij aktual në 2.449 vota pas rinumërimit të 470 nga 914 vendvotime.

Procesi i rinumërimit ka zbardhur manipulime të evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit, me devijimin më të madh të votave në Prizren.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve që KQZ ka vendosur të rinumërohen.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri tani procesi i rinumërimit është përmbyllur në 19 komuna, ndërsa gjatë ditës së sotme po vazhdon rinumërimi i vendvotimeve në komunën e Prizrenit. Pas përfundimit të rinumërimit në Prizren, do të përfshihen edhe komunat e tjera, sipas radhës. /Telegrafi/

Haradinaj kërkon rinumërim në gjithë Kosovën: E habitshme qysh Prokuroria s’është vënë në lëvizje

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se rinumërimi i pjesshëm i votave po nxjerr në pah një skemë manipulimi në nivel shqetësues.

Sipas tij, vota duhet të rinumërohet një për një, dhe se pa rinumërim të tërësishëm nuk sigurohet integriteti i zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

“Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve po e nxjerr në shesh një skemë manipulimi të përmasave shqetësuese të votës së qytetarit. Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve”, ka shkruar Haradinaj.

Ai thotë se është e habitshme se si Prokuroria nuk është vënë në lëvizje.

“E habitshme qysh Prokuroria nuk është vënë në lëvizje qysh sot. Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh. Apeloj tek të gjithë mekanizmat që me vendimet e veprimet e tyre ta mbrojnë votën e qytetarit dhe ta rikthejnë integritetin e zgjedhjeve të 28 Dhjetorit. Çdo drejtim tjetër do të kishte pasoja të pariparueshme”, ka thënë Haradinaj.

I dolën 460 vota të vjedhura, reagon Quni: Çdo rritje e votave është bërë pa dashjen dhe dijeninë time

Kandidati i LDK-së për deputet, Anton Quni, aktualisht nga procesi i numërimit i janë hequr 460 vota. Lidhur me këtë ai ka bërë një reagim në Faceboo, duke thënë se çdo rritje e votave ndaj tij është bërë pa dashjen dhe dijeninë e tij, shkruan Reporteri.net.

Siç thotë ai, s’ka kërkuar, inkurajuar apo asistuar në asnjë formë devijimin e vullnetit të qytetarëve.

Madje ai ka shtruar disa pyetje se që sipas tij, pse është zgjedhur emri i tij për manipulim dhe se kush janë urdhëruesit për këtë gjë.

Reagimi i plotë:

DEKLARATË PËR MEDIAT DHE OPINIONIN PUBLIK

Në lidhje me zhvillimet e fundit dhe raportimet mbi procesin e numërimit të votave në Qendrën e Numërimit në Prizren, ndjej detyrim moral dhe qytetar që të sqaroj pozicionin tim ndaj këtyre parregullsive që cenojnë procesin zgjedhor.
Dëshiroj të bëj të ditur me përgjegjësi të plotë se çdo rritje e votave në emrin tim është bërë pa dashjen dhe pa dijeni timen. Unë nuk kam kërkuar, inkurajuar apo asistuar në asnjë formë devijimin e vullnetit të qytetarëve. Kjo ngritje artificiale e votave nuk përfaqëson mbështetjen time reale dhe as parimet e mia njerëzore.

Përmes këtij operacioni, i cili nuk mund të cilësohet ndryshe veçse si kriminal, më është njollosur personaliteti dhe karriera. Përfshirja e emrit tim në skema të tilla manipuluese është një goditje e rëndë për dinjitetin tim dhe besueshmërinë që kam ndërtuar me vite para elektoratit.

Motivin dhe qëllimin e vërtetë prapa këtij operacioni kriminal duhet ta vërtetojnë institucionet e drejtësisë.
Unë jam i interesuari që të zbardhet e vërteta:

-Pse u zgjodh emri im për këtë manipulim?

-Kush janë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët në Qendrën e Numërimit?

U kërkoj ndjesë publike të gjithë kolegëve kandidatë, votat e të cilëve mund të jenë tjetërsuar në favorin tim.
Garimi duhet të jetë i drejtë dhe çdo votë e fituar me meritë duhet të shkojë te personi që e ka marrë atë besim.
Deklaroj se jam plotësisht i gatshëm të bashkëpunoj me Policinë, Prokurorinë dhe çdo organ tjetër të drejtësisë për të zbardhur këtë skandal deri në fund.

E vërteta është mbrojtja ime e vetme.
Me respekt,
Anton Quni

Dallimi i madh në vota te kandidatët gjatë rinumërimit, vjen reagimi i parë nga PDK-ja

Pas dallimeve të mëdha në vota në PDK gjatë rinumërimit, në një komunikatë të lëshuar për media nga kjo parti thuhet se po përcjellin me vëmendje procesin dhe se “indikacionet për cenim apo manipulim të votës janë të papranueshme”, shkruan Reporteri.net.

Sipas PDK-së, eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institicioneve e qytetarëve.

“Për ne si subjekt politik, indikacionet për cenim apo manipulim të votës janë të papranueshme. Vota e qytetarëve është e shenjtë dhe çdo trajtim jokorrekt ose përpjekje për manipulim shkelë parimet demokratike që ne mbrojmë. Standardi ynë është i qartë dhe çdo votë duhet të trajtohet me të njëjtin respekt dhe kujdes, nga momenti i hedhjes deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve.

Eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve”, thuhet në reagim.

Tutje thonë se PDK është e përkushtuar për integritetin e procesit zgjedhor dhe për respektim të votës.

“Partia Demokratike e Kosovës i pret konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me besimin se e vërteta dhe vullneti i qytetarëve do të reflektohen saktë dhe në përputhje me ligjin.

Partia Demokratike e Kosovës rikonfirmon përkushtimin e palëkundur për integritetin e procesit zgjedhor dhe për respektimin e votës së qytetarëve”, thuhet në reagim.

Nga mijëra vota më pak: Kush janë kandidatët më të goditur nga rinumërimi

Procesi i rinumërimit të votave të disa vendvotimeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shfaqur rezultate më ndryshe nga ato që u dhanë fillimisht. Teka rinumërimi vazhdon, disa kandidatëve për deputetë u janë shtuar votat, disa të tjerëve u janë hequr.

Për këtë, ditëve të fundit ka pasur diskutim të gjerë, e kritika të shumta ku mes tjerash është kërkuar edhe hetim ndaj atyre që supozohet të kenë manipuluar vota.

Ndryshimet në vota janë parë tek të gjitha partitë. Megjithatë, tek ndonjëra ndryshimi ka qenë më i madh.

Te Lëvizja Vetëvendosje, numri i votave që u janë shtuar deputetëve ka qenë më i vogël. Deri më tani, vetëm një kandidati, Hajrulla Çekos, i janë shtuar mbi 100 vota, ndërsa të tjerët pas tij, janë nën 100 vota më shumë?

Pak më ndryshe është situata kur bëhet fjalë për kandidatët që u janë hequr votat. Aty janë mbi 10 kandidatë të cilëve u janë hequr më shumë se 100 vota pas rinumërimit. Arbër Rexhajt, deri më tani i janë hequr 518 vota, Rea Krasniqi 420, Valon Ramadanit 392 e Dafina Alishanit 327.

Por, ndryshim më i madh i votave vërehet tek partitë e tjera. Tek Partia Demokratike e Kosovës, janë pesë kandidatë, të cilëve, jo qindra, por i janë hequr mbi një mijë vota. Kësaj liste i prin Fetah Paçarizi, të cilit, gjatë rinumërimit i janë hequr 4,622. Pas tij është Nait Hasani me 2,594 vota më pak, Kujtim Gashi me 1,821 vota më pak, Luljeta Veselaj Gutaj me 1,502 vota më pak, e Arianit Çollaku me 1,413 vota më pak.

Rezultate të tjera, bukur shumë të ndryshme kanë pësuar edhe kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Aty, Xhavit Ukës, gjatë rinumërimit ka dalë të ketë 1,183 vota më pak. Pas tij është Driton Selmanaj me 808 vota më pak, Anton Quni me 444 vota më pak.

Një situatë e ngjashme me VV’në e ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Edhe tek AAK’ja deri më tani, ndryshimet në vota janë më të vogla nga rasti i PDK’së. Aty, Besnik Krasniqi ka rezultuar me 215 vota më pak, pastaj Tringa Morina me 161 vota më pak, Edmond Hoxha me 120 vota më pak dhe Burim Ramadani me 107 vota më pak.

Këto të dhëna janë marrë nga përditësimi i fundit i bërë nga KQZ me 99,55%.