Një incident jashtëzakonisht i rëndë ka ndodhur në Gjakovë, ku një person i dyshuar ka kërcënuar zyrtarët policorë me armë zjarri dhe granatë dore, duke u larguar më pas nga vendi i ngjarjes.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur më 25 janar 2026, rreth orës 16:20, në rrugën “Flaka e Tringa Hoxha” në Gjakovë, kur patrulla policore ka ndalur një automjet të tipit BMW X5, pasi drejtuesi kishte shkaktuar një kundërvajtje në trafik.
Sipas informacionit që ka siguruar Sinjali, pasi zyrtarët policorë e kanë njoftuar se do t’i shqiptohet tiketa e trafikut, i dyshuari L.P. ka dalë nga automjeti dhe ka nisur t’i kanosë policët me kërcënime serioze, duke iu drejtuar atyre me fjalë kërcënuese për jetë.
Zyrtarët policorë e kanë njoftuar se është i arrestuar, por në momentin kur kanë tentuar ta prangosin, ai ka shfaqur rezistencë dhe ka arritur të largohet nga duart e policisë.
Situata ka eskaluar në mënyrë dramatike, kur i dyshuari ka futur duart në çantën e krahut dhe ka nxjerrë një pistoletë, ku dyshohet se e ka futur fishekun në tytë dhe e ka drejtuar armën në drejtim të policëve, duke i kërcënuar me fjalët: “Ju vras, ju vras!”
Në vazhdim, ai dyshohet se ka nxjerrë edhe një granatë dore, ia ka hequr siguresën dhe ka vazhduar t’i kanosë zyrtarët policorë, për t’u larguar më pas me shpejtësi me veturën e tij nga vendngjarja.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme hetimore, përfshirë bastisje në lokacionin ku banon i dyshuari, si dhe në lokalin e tij.
Gjatë bastisjes në lokal, Policia ka gjetur dhe sekuestruar prova materiale, përfshirë:
• 4 fishekë
• 2 gramë marihuanë
• 3 peshore
• një mulli për bluarjen e marihuanës
I dyshuari, sipas burimeve, ndodhet në arrati, ndërsa rasti është inicuar për veprat penale: “Kanosja”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Hetimet janë në vazhdim, ndërsa pritet që organet e rendit të ndërmarrin veprime të tjera për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.