div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive date custom-background wp-custom-logo wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
A do të jetë Andin Hoti kandidat për president, deklarohet Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se brenda pak orësh pritet të ketë qartësi lidhur me çështjen e presidentit, teksa është nisur drejt mbledhjes së Grupit Parlamentar.

I pyetur nëse Andin Hoti është propozuar për president, Kurti tha se edhe vetë është në pritje të diskutimeve dhe vendimeve që do të dalin nga mbledhja.

“Tash jam duke shkuar në mbledhjen e Grupit tonë Parlamentar. Në fakt edhe unë jam kureshtar, porsi ju. Është çështje orësh derisa t’i marrim vesh të gjitha bashkë”, ka thënë Kurti.

Grupi Parlamentar i VV-së ka nisur takimin për çështjen e presidentit.

Zgjerohet konflikti, Irani lëshon raketa balistike drejt Turqisë

Aleanca VeriëAtlantike ka dënuar fuqishëm veprimin e Iranit për synimin e Turqisë me një raketë balistike, duke theksuar se qëndron fuqishëm me të gjithë aleatët e saj.

Ministria e Mbrojtjes së Turqisë njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore të NATOës rrëzuan raketën iraniane, e cila kaloi hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë teksa po drejtohej drejt hapësirës ajrore turke. Nuk janë raportuar viktima apo të lënduar si pasojë e këtij incidenti.

Pas incidentit, Ministria turke tha se do të bisedojë me NATOën dhe aleatët e saj për zhvillimet e fundit.

Situata reflekton përshkallëzimin e tensioneve rajonale dhe rritjen e shqetësimeve për sigurinë e vendeve anëtare të NATOës.

Një raketë balistike, e lëshuar nga Irani dhe që po drejtohej drejt hapësirës ajrore të Turqisë, është rrëzuar.

Sistemet ajrore të mbrojtjes të NATO-s në Mesdheun lindor kanë rrëzuar raketën, e cila kaloi përmes hapësirës ajrore të Irakut dhe Sirisë, njofton Ministria e Mbrojtjes e Turqisë, transmeton Zeri.info.

Nuk raportohet për viktima ose të lënduar.

“Ndërsa Turqia qëndron për stabilitet dhe paqe rajonale, ajo është plotësisht e aftë të mbrojë territorin dhe qytetarët e saj, pavarësisht burimit apo origjinës së çdo kërcënimi. Të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur territorin dhe hapësirën tonë ajrore do të merren vendosmërisht dhe pa hezitim. Ne ripërsërisim se e rezervojmë të drejtën për të reaguar ndaj çdo akti armiqësor të drejtuar kundër vendit tonë”.

“Ne bëjmë thirrje për të gjithë palët që të heqin dorë nga veprimet që mund të rrisin më tej përshkallëzimin e konfliktit në rajon. Turqia do të bisedojë me NATO-n dhe aleatët e saj pas këtij incidenti, sipas Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e Ministrisë turke të Mbrojtjes.

Nait Hasani tregon nëse do ta votonte Andin Hotin për president

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka reaguar ndaj raportimeve se Andin Hoti mund të jetë kandidat i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për postin e presidentit.

Në një prononcim për media, Hasani tha se do ta votonte Hotin nëse grupi i PDK-së do të qëndronte në sallë.

“Po e votoj Andin Hotin, nëse grupi parlamentar i PDK-së rrinë në sallë, përndryshe jo”, u shpreh Hasani.

Gara për Presidentin: Kush janë emrat e përmendur deri tani?

Skena politike në Kosovë po vlon nga emrat e mundshëm për postin e Presidentit, ndërsa afati kushtetues po skadon. Deri më tani, në publik janë lakuar disa figura, duke filluar nga anëtarë të familjes Jashari, Arsim Bajrami, Shqiptar Demaçi, Glauk Konjufca e së fundmi edhe Andin Hoti.

Sa i përket familjes Jashari, Murat Jashari ka folur zyrtarisht duke mohuar mundësinë e marrjes së kësaj pozite. Ai ka bërë thirrje që emri i familjes të mos përdoret për pikë politike, duke lënë të kuptohet se një përfshirje e tillë do të ndodhte vetëm në rrethana të jashtëzakonshme për shtetin.

Në anën tjetër, Arsim Bajrami tashmë e ka shpallur vetë kandidaturën e tij, ndërsa Shqiptar Demaçi është përmendur si propozim i mundshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, ndonëse nga kjo parti e kanë mohuar një gjë të tillë.

Zhvillime interesante raportohen brenda taborrit të pushtetit.

Pas dështimit për të bindur ndonjë anëtar nga familja Jashari, kryeministri Albin Kurti thuhet se i ka ofruar postin Glauk Konjufcës.

Megjithatë, raportimet flasin për një refuzim nga ana e Konjufcës, gjë që ka bërë që vëmendja e Lëvizjes Vetëvendosje të zhvendoset te emri i Andin Hotit.

Gazeta Insajderi u përpoq të kontaktonte me Hotin, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve, duke lënë kështu pikëpyetje rreth kandidaturës së tij.

Sot pritet të jetë një ditë vendimtare, pasi janë paralajmëruar takime mes kryeministrit Kurti dhe krerëve të opozitës, Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikun , në përpjekje për të gjetur një konsensus.

Gjithçka duhet të qartësohet shumë shpejt. Mandati pesëvjeçar i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 5 mars në orën 00:00 për ta zgjedhur presidentin e ri.

Nëse Kuvendi dështon ta bëjë këtë brenda këtij afati, vendi rrezikon të përballet me shpërndarje të legjislativit dhe zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.

Për të propozuar një kandidat nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh.

Procesi i votimit kalon në tri runde: në dy të parët kërkohen 80 vota (2/3 e deputetëve), ndërsa në rundin e tretë mjafton një shumicë e thjeshtë prej 61 votash, me kushtin që në sallë të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.

VV-ja përmend ish-deputetin e PDK-së si alternativë për president

Andin Hoti është emri i radhës që po diskutohet për pozitën e presidentit.

Mediat raportojnë se Glauk Konjufca ka refuzuar të përfshihet në këtë procedurë.

Plani ishte të shkohet me emrin e Konjufcës mirëpo ai nuk pranoi të jetë pjesë e kandidaturave.

Kësisoj, VV-ja po e diskuton kandidimin e Andin Hotit për president të Kosovës.

Djali i veprimtarit dhe intelektualit të zhdukur, Ukshin Hoti sapo është bërë ministër në Qeverinë Kurti 3.

Më herët ai ka qenë kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do ta mbajë një mbledhje në orën 13:00, ku do të diskutohet për çështjen e Presidentit.

Izraeli publikon hartën e rrezikshmërisë: Raketat e Iranit me rreze të lartë veprimi, mund të arrijnë deri në Kosovë

Zyrtarë izraelitë kanë publikuar një hartë të rrezes së raketave iraniane, ku pretendohet se mund të “arrijnë” edhe deri në Evropë, përfshirë Kosovën.

Rreziku i një lufte në Lindjen e Mesme mori një kthesë shqetësuese.

Ajo që filloi si sulme të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit është shndërruar në një nga krizat gjeopolitike më serioze të dekadave të fundit, me pasoja që tejkalojnë kufijtë e rajonit

Zyrtarë izraelitë dhe perëndimorë thanë se raketat balistike iraniane kanë kapacitet që të arrijnë qëllime jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe thellë në Evropë.

Në një deklaratë, Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit paralajmëroi se aftësitë raketore të Iranit “shkërcejnë përtej Lindjes së Mesme”, dhe e përshkruan regjimin në Teheran si një kërcënim në rritje për paqen botërore.

Në një grafik të publikuar përkatësisht nga Qendra për Studime Strategjike dhe Mbrojtje, është shfaqur një hartë me rreze të ndryshme goditjeje që shtrihen nga rreth 300 deri në rreth 2500 kilometra, çka bën që një pjesë e konsiderueshme e Evropës Juglindore të bjerë brenda potencialit të kërcënimit.

Më të rrezikshme konsiderohen raketat balistike me mesatare dhe të gjata, si Shahab-3 dhe Ghadr-110, të cilat sipas vlerësimeve mund të arrijnë deri në rreth 2000 kilometra.

Sipas hartës, brenda këtij rreziku janë kryeqytete si Athina, Sofja dhe Bukureshti, por edhe qytete të tjera të Ballkanit Perëndimor, percjell Telegrafi.

Në rrezen më të gjerë teorike, mund të përfshihen edhe kryeqytetet si Budapesta, Vjena, Varshava dhe Bratislava (me kusht që distanca e konsideruar të jetë maksimale).

Sidoqoftë, analistë të pavarur paralajmërojnë se këto raketa me shumëllojshmëri rrezesh janë teorike dhe nuk do të thonë domosdoshmërisht se ato do të godasin automatikisht këto destinacione, pasi aftësia operative varet edhe nga faktorë si saktësia, pengesat e kontrollit ajror, dhe kushtet taktike. 

 

Sot pritet të thirret seanca për zgjedhjen e presidentit, këto janë oraret e mundshme

Seanca për zgjedhjen e presidentit pritet të thirret sot gjatë ditës.

Seanca pritet të caktohet në ora 13:00, ose në orët e mbrëmjes, ka raportuar Indeksonline.

Emri i lakuar për kandidat është Glauk Konjufca, ndërsa opozita deri më tani nuk ka paraqitur ndonjë propozim zyrtar për këtë post.

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit disa takime me krerët e partive opozitare, përfshirë Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun. Megjithatë, nga këto takime nuk është bërë e ditur nëse është arritur ndonjë dakordim konkret rreth kandidaturës për president

Ndërkohë, emri i Vjosa Osmanit nuk po përmendet aktualisht si pjesë e diskutimeve të fundit politike, edhe pse ajo mban postin e presidentes.

Mbetet të shihet nëse gjatë seancës së sotme do të ketë propozime zyrtare dhe nëse do të arrihet konsensus mes partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit.