“Albin Kurtin e pret burgu, dy herë u gjobit financiarisht”

0
17

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është dënuar edhe me 250 euro gjobë nga Gjykata Themelore e Prishtinës për shkak të refuzimit të paraqitej në Prokurorinë Speciale për intervistim si dëshmitar lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Kjo është hera e dytë që dënohet financiarisht Kurti, ndonëse për herën e parë që ishte dënuar shefi i Qeverisë kishte bërë ankesë.

 

Në rast se sërish, ish-kryeministri Albin Kurti e refuzon ftesën e Prokurorisë për të dëshmuar, sipas njohësve të ligjit, ai mund të burgoset për një muaj.

Avokati Arbër Jashari për “Front Online” ka folur lidhur me gjobën e dytë të shqiptuar nga Gjykata për mosprezencën e kreut të LVV-së Albin Kurti në ftesat e Prokurorisë, ku ai ishte thirrur në cilësinë e dëshmitarit.

Jashari tha se Prokuroria mund ta ftojë sërish për intervistë, ose mund të heqë dorë nga marrja e deklaratës së tij, duke e lënë për një fazë më të vonshme.

 

“Prokuroria mund ta ftoj serish në intervistë, ose mund të heq dorë nga marrja e deklaratës se tij, duke e lënë për ndonjë fazë të me vonshme, nëse kjo do të konsiderohej si relevante”, shprehet ai.

Në rast se Kurti ftohet përsëri dhe nuk paraqitet, Jashari thotë se ai mund të përballet me shoqërimin me dhunë dhe burgimin.

Sipas avokatit, burgimi mund të zgjasë deri një muaj, derisa dëshmitari të pranojë të dëshmojë, ose derisa dëshmia të bëhet e panevojshme.

“Në rast se z. Kurti ftohet serish nga ana e prokurorisë, dhe ai nuk paraqitet, atëherë mund të përballet me pasoja me të rënda, siç janë shoqërimi me dhunë dhe burgimi. Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon te dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij behet i panevojshëm, ose derisa procedura te përfundojë, por jo me shumë se nje (1) muaj. Kjo, bazuar ne nenin 132 të Kodit të Procedurës Penale”, theksoi avokati Jashari.

Avokati Xhevdet Smakiqi është prononcuar për “Front Online” në lidhje me çështjen e dëshmitarit Albin Kurti, i cili ka refuzuar ti përmbahet ftesave të Prokurorisë.

Ai ka thënë se, megjithëse neni 132 i Kodit të Procedurës Penale parashikon një gjobë prej 250€ për dëshmitarët që refuzojnë të dëshmojnë, kjo nuk e mundëson gjyqtarin të vendosë gjobën më shumë se një herë.

“Edhe pse neni 132 i Kodit të Procedurës Penale nuk e saktëson se sa herë dëshmitari refuzues mund apo duhet të gjobitet me 250€ kur refuzon ftesat e Prokurorisë së Shtetit dhe Gjykatës, kjo dispozitë nuk i garanton gjykatës apo gjyqtarit të procedurës paraprake diskrencion të pa kufizuar që ta dënon me gjobe disa herë dëshmitarin Albin Kurti”, shprehet ai.

Smakiqi ka shtuar se gjyqtari në këtë rast nuk ka të drejtë të aplikojë përsëri masën e gjobës, pasi dëshmitari, Albin Kurti, ka sfiduar publikisht ftesat dhe ka refuzuar të paguajë gjobën.

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake i kësaj çështje konkrete penale ku dëshmitari refuzues Kurti publikisht ka sfiduar PSRK-ne në dy ftesa për intervistim në cilësinë e dëshmitarit, ka deklaruar publikisht se nuk do ti përgjigjet ftesave ka kanosur verbalisht që prokurorët të vijnë në zyrën e tij nëse kanë guxim, ka refuzuar pagesën e gjobës në këto rrethana gjyqtari i çështjes nuk mund te provoj me masën e njëjtë”.

Ai ka sugjeruar që, duke pasur parasysh veprimet e Kurti-t, gjyqtari duhet të vendosë për burgimin 30 ditor, duke i dhënë fund abuzimit me sistemin dhe duke ruajtur besimin e publikut në drejtësi.

“Gjyqtari nëse vazhdon me keqpërdorë diskrecionin e paragrafit të nenit 132 të KPPRK-së e privilegjon dëshmitarin dhe dorëzohet para sjelljes anarkiste të dëshmitarit dhe kjo shemb besimin e publikut në drejtësi. Kjo qasje e gjyqtarit mund te konsiderohet edhe shmangie nga guximi profesional për ta zbatuar saktë nenin për ti caktuar dëshmitarit refuzues burgimin 30 ditor”, tha ai.

Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, është deklaruar për “Front Online” rreth pasojave ligjore për dëshmitarët që refuzojnë të dëshmojnë, si në rastin e kreut të LVV-së, Albin Kurti.

Ajo tha se sipas Kodit të Procedurës Penale, nëse një dëshmitar vazhdon të refuzojë të dëshmojë pas shqiptuarjes së gjobave, ai mund të burgoset.

Demolli-Nimani gjithashtu ka nënvizuar se ky kod nuk parashikon përjashtime për zyrtarët e lartë publik, duke thënë se ata janë të detyruar të dëshmojnë si çdo qytetar tjetër.

“Paragrafi 1 dhe 2 i nenit 132 i Kodit të Procedurës Penale e parasheh qartë se nëse edhe pas gjobave të shqiptuara, dëshmitari vazhdon të refuzojë të dëshmojë, ai mund të burgoset. Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë, por nuk mund të zgjas më shumë se 1 muaj. Ky kod nuk parasheh përjashtime për zyrtarët e lartë publik”, deklaroi ajo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here