Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Gjurgjevik i Madh të Klinës, ku një person ka humbur jetën, ndërsa pesë të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Në aksident janë të përfshira një autobus i udhëtarëve dhe një veturë, gjashtë persona janë dërguar për tretman mjekësor në emergjencë të Spitalit Rajonal të Pejës, por njëri nga të lënduarit nga mjeku kujdestar e ka konstatu vdekjen. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.”, tha ai.
Për këtë ka shkruar edhe Spitali i Përgjithshëm i Pejës përmes një njoftimi.
“Spitali i Përgjithshëm në Pejë njofton opinionin publik se, si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur në fshatin Dollc të Klinës, në Emergjencën e Spitalit është sjellë një person pa shenja jete. Gjithashtu, deri më tani kemi pranuar 5 persona të lënduar nga ky aksident, të cilët po trajtohen dhe po marrin kujdesin e nevojshëm nga ekipet tona shëndetësore”, thuhet në njoftim.
Spitali i Pejës ka shtuar se për çdo informacion shtesë lidhur me gjendjen e pacientëve, do të informojë opinionin publik me kohë.