Shkruan Hisen Berisha
Një komb, një qëndrim – por edhe një përgjegjësi ndaj drejtësisë dhe të vërtetës së luftës
Nëse tubimet patriotike kthehen në mjete politike, humbet kuptimi i sakrificës dhe i drejtësisë për luftëtarët e lirisë.
Në Tiranë, sot, më 17 tetor, po mbahet një tubim në mbështetje të UÇK-së dhe të drejtuesve që po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Nga ajo që shihet, kryeministri Edi Rama po i mbledh të gjithë përfaqësuesit e krahut të luftës, në mbështetje të Presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Edhe drejtuesit e BDI-së pritet të marrin pjesë.
Kjo është gjë e mirë, në parim – sepse çdo zë që mbron të vërtetën e luftës së UÇK-së është i vlefshëm.
Por pyetja që shtrohet është: cili është efekti real i këtij tubimi?
Çfarë mesazhi po përcillet – emocional, moral, apo juridik?
A ndikon sadopak kjo në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë?
Në fakt, Dhomat e Specializuara nuk u krijuan për të gjykuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por për ta mbrojtur shtetin e Kosovës nga akuzat e raportit famëkeq të Dick Martit, i cili u miratua nga Këshilli i Evropës.
Ky mekanizëm juridik u pranua nga vetë Kosova, me qëllimin për të mbyllur njëherë e përgjithmonë kapitullin e akuzave të rënda që synonin delegjitimimin e luftës për liri dhe themelimin e shtetit të pavarur.
Prandaj, çdo ndërhyrje politike apo përpjekje për ta kthyer këtë proces në tribunë emocionale, vetëm e zbeh kuptimin e misionit të drejtësisë dhe të sakrificës sonë kombëtare.
Hashim Thaçi dhe të tjerët do të mbeten në histori për dy akte madhore që përcaktuan fatin e Kosovës:
Së pari, për shpalljen e pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës – akti më i lartë i shtetëzimit dhe i vullnetit politik të një populli që luftoi për liri dhe vetëvendosje;
dhe së dyti, për themelimin e Dhomave të Specializuara – një vendim i vështirë, por i domosdoshëm, që përfaqëson sfidën ligjore dhe etike për pastrimin e figurës dhe të luftës së UÇK-së nga akuzat e padrejta.
Ky ishte një veprim institucional për të mbrojtur moralin e luftës dhe integritetin historik të saj.
Mos-themelimi i tyre do të kishte nënkuptuar dorëzim përballë akuzave monstruoze të raportit të Dick Martit për trafikim organesh – një raport i miratuar në Këshillin e Evropës – që do ta vinte në pikëpyetje statusin e UÇK-së si organizatë çlirimtare, duke rrezikuar ta paraqiste atë si strukturë kriminale apo terroriste.
Një skenar i tillë do të kishte pasoja të rënda politike, juridike dhe shtetërore për procesin e pavarësisë së Kosovës.
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, Hashim Thaçi nuk dërgoi shokët e tij, por po përballet vetë – si truri politik dhe drejtues i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përkrah tij, Kadri Veseli përfaqëson neuronin e funksionimit të këtij trupi politik e ushtarak, ndërsa Jakup Krasniqi është zëdhënësi dhe zëri i ndërgjegjes së tij – njeriu që artikuloi në opinionin publik idealin e lirisë dhe të drejtës kombëtare të popullit shqiptar.
Këta po mbajnë mbi supe një barrë të rëndë historike, duke përfaqësuar në mënyrë të denjë moralin e luftës së UÇK-së në arenën ndërkombëtare të drejtësisë.
Por assesi nuk qëndron thirrja e Albin Kurtit se “dikush duhet të ndjejë çfarëdo pendese në këtë proces”. Mosthemelimi dhe dorëzimi para pretendimeve të Raportit të Dick Martyt dhe të Këshillit të Evropës do të kishte qenë akt tradhtie. Moskrijimi formal-juridik i Dhomave të Specializuara nga Kuvendi i Kosovës dhe lënia e tyre në domenin e përgjegjësisë për gjykim e mbyllje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, do të nënkuptonte trajtim të përjetshëm të luftëtarëve të UÇK-së nëpër gjykata ndërkombëtare, për shkak të vetos ruse, kineze apo të ndonjë shteti tjetër. Pikërisht këtë, në thelb, e ka thënë dhe e dëshiron Albin Kurti dhe soji i tij politik.
Nëse do të kishte një kërkesë konkrete për amandamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, veçanërisht në pjesën që trajton dëshmitë e ardhura nga shërbimet dhe prokuroria serbe – që të mos procedohen dëshmi të tilla; apo nëse do të niste nënshkrimi i një peticioni mbarëkombëtar – në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë Lindore, Çamëri e diasporë – atëherë po, do të kishim një veprim me efekt real në mbështetje të drejtësisë dhe lirimit të të mbajturve në Hagë.
Ashtu siç ndodhi dikur me letrat e mbështetjes ndaj Avni Rrustemit në Paris, të cilat ndikuan në një akt gjyqësor historik.
Po ashtu, Rezoluta për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Serbisë ndaj Kosovës duhet të unifikojë qëndrimet politike të të gjitha partive parlamentare në Tiranë.
Në këtë çështje kombëtare, askush nuk duhet të udhëhiqet nga parimi ogurzi “për inat të sime re, vdektë im bir”.
Kosova është boshti i unitetit kombëtar – ashtu si në vitet e luftës na bashkoi thirrja: “Një komb, një qëndrim.”
Në kontekstin e luftës, gjenocidi merr përmasat e krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit.
Nën okupimin e Serbisë, gjenocidi serb ndaj shqiptarëve jashtë Shqipërisë londineze – përfshirë edhe Çamërinë në Greqi – ndodh brenda përkufizimit juridik ndërkombëtar si “zhdukje sistematike e një populli”.
Që nga projektet shfarosëse të Garashaninit, Çubrilloviqit e Dobrica Qosiqit, e deri te politikat e Millosheviqit në vitet ’90, shqiptarët u privuan nga e drejta për ekzistencë kombëtare, u larguan nga puna, nga sistemi arsimor e shëndetësor, u kufizuan në liritë themelore, madje u ndalua regjistrimi i fëmijës së tretë.
Ky ishte një presion politik e juridik sistematik – ndjekje nga atdheu dhe krijimi i kanaleve të shpërnguljes masive, si formë e re e spastrimit etnik.
Unë e mbështes këtë tubim dhe besoj se duhet të marrim pjesë të gjithë, pa përjashtim, me moton që mbështet luftën e drejtë të UÇK-së:
“Një komb, një qëndrim.”
Por njëkohësisht, duhet të pyesim me ndershmëri:
Çfarë impakti konkret do të ketë ky tubim në procesin gjyqësor në Hagë?
Fjalimet patriotike të Edi Ramës në Kuvendin e Shqipërisë dhe në Parlamentin Evropian – emocionale, me tone të larta atdhetarie – nuk patën asnjë efekt juridik në procesin ndaj luftëtarëve të lirisë.
Prandaj, edhe ky aktivitet rrezikon të kthehet në një përfitim politik mbi fatkeqësinë e tyre, për efekt elektoral apo imazh publik.
Unë nuk flas si politikan i momentit, por si ushtarak në jetë dhe misionar në politikë.
Për mua, e vërteta dhe Kosova janë mbi çdo gjë.



