Pas alokimit të pjesshëm të mjeteve: A rikthehet nesër Trafiku Urban në qarkullim?

Përfaqësuesit e Trafikut Urban dhe ata të transportuesve privatë në Prishtinë do të takohen këtë të martë në orën 18:00.

Ata pritet të vendosin nëse do të kthehen në punë nga dita e nesërme, pasi Komuna e Prishtinë dhe Ministria e Financave kanë njoftuar se sot janë alokuar një pjesë e të hyrave vetanake të Komunës.

Takimin e ka konfirmuar kryeshefi i Trafikut Urban Qëndrim Vitija dhe kryetari i Sindikatës së linjave private, Avdyl Brajshori,

Vitija ka thënë se për borxhet që u ka Komuna nuk mjaftojnë vetëm 2.7 milionë eurot e alokuara deri tani, shkruan Koha.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të martën ka njoftuar se kanë nisur të kryejnë pagesat e borxheve pas alokimit të pjesshëm të mjeteve nga Ministria e Financave.

Më herët, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Komunës së Prishtinë i janë alokuar 2.7 nga 25 milionë euro sa janë në total të hyrat vetanake të vitit 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *