Rrustemi: PDK-ja përmes Përparim Ramës po tenton ta godasë Lumir Abdixhikun

Deputeti i rizgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se zhvillimet e fundit politike në Prishtinë dhe përplasjet mes kryetarit të Komunës, Përparim Rama dhe zyrtarëve të LVV-së janë pjesë e një fushate të orkestruar nga PDK-ja për të ushtruar presion ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Në një intervistë për Ekonominë Online, Rrustemi tha se statusi i tij i fundit për Përparim Ramën ishte një parafrazim i deklaratave të vetë Abdixhikut, duke pretenduar se qeverisja në Prishtinë kontrollohet nga PDK-ja dhe jo nga LDK-ja.

“Unë e kam thënë edhe më parë që ka një lloj fushate të nisur nëpërmjet elementeve të PDK-së në LDK, siç është Përparim Rama, për ta kërcënuar dhe frikësuar lidershipin aktual të LDK-së. Qëllimi është për ta larguar atë nga çfarëdo bashkëpunimi eventual me Vetëvendosjen në raport me çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe tejkalimit të këtyre krizave të vazhdueshme. Intensifikimi i gjuhës së fundit është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e situatës aktuale politike. Në statusin në fjalë nuk kam bërë asgjë tjetër përveçse kam parafrazuar vetë kryetarin e LDK-së, i cili tha se qeverisja në Prishtinë nuk është e LDK-së”, deklaroi Rrustemi.

Ai iu referua edhe ndarjes së drejtorive në Komunën e Prishtinës, duke argumentuar se kjo dëshmon ndikimin e PDK-së në qeverisjen komunale.

“Me tetë drejtori për PDK-në dhe tri drejtori për LDK-në, ai tha se nuk mund të jetë qeverisje e LDK-së. Sikurse që tha se ka një lloj tendence për ta shkrirë LDK-në në PDK. Unë besoj që kjo është një përplasje e tyre e brendshme, por që përdoren figura të caktuara të partive të tjera për të çuar mesazhe dhe për të goditur rivalët e tyre të brendshëm. Mbi të gjitha, statusi është një parafrazim i asaj që ka thënë zoti Abdixhiku, se qeverisja në Prishtinë nuk është e LDK-së, por është e PDK-së. Dhe po, Përparim Rama i ka hapur dyert e Komunës së Prishtinës për PDK-në. Sot duket që PDK-ja e kontrollon Komunën e Prishtinës, sikurse që kontrollon edhe zotin Rama”, tha ai për Ekonominë Online.

I pyetur për debatin publik mes Ramës dhe Dejona Mihalit, Rrustemi përsëriti se sipas tij, sulmet ndaj LVV-së synojnë në fakt udhëheqësinë e LDK-së dhe krijimin e pengesave për një bashkëpunim të mundshëm mes dy partive.

“Jo, unë e thashë që kjo është fushatë e nisur nga PDK-ja, apo nga elemente të PDK-së në LDK (siç është Përparim Rama), për ta goditur lidershipin e LDK-së, përkatësisht zotin Abdixhiku. Ata nuk po e bëjnë këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por në mënyrë të tërthortë. Gazetarja: E pse nëpërmjet Dejona Mihalit? Po, pikërisht po e bëjnë në mënyrë të tërthortë. Domethënë, po e kërcënojnë, po e frikësojnë dhe po e godasin. Edhe ai vetë e tha mbrëmë që kjo është një betejë që i shërben PDK-së. Kjo është një betejë e Përparim Ramës që i shërben PDK-së dhe që është në funksion të rritjes së barrierave për të bashkëpunuar eventualisht mes LVV-së dhe LDK-së për ta tejkaluar çështjen e presidentit”, u shpreh ai.

Sipas deputetit të LVV-së, vazhdimi i bllokadës politike po dëmton vendin dhe qytetarët, ndërsa opozita ende nuk ka reflektuar pas rezultateve zgjedhore.

“Duket që PDK-ja insiston në bllokada të tejkaluara, Rama po i bën argat kësaj qasjeje dhe po dëshiron ta mbajë LDK-në në të njëjtin plan ku ishte vitin e kaluar, muajt e kaluar të këtij viti, dhe në këtë bllokadë 18-mujore. Nga kjo po humb Kosova, pa asnjë dyshim, po humbin qytetarët e Kosovës. Bllokada si qasje nuk është zgjidhje, e sidomos jo për procese siç është zgjedhja e presidentit të Republikës, që është përtej një partie politike. Zgjedhjet janë mbajtur për Kuvend e për Qeveri dhe Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar ato, sikurse ka fituar edhe më 28 dhjetor të vitit të kaluar sikurse edhe më 9 shkurt. Domethënë, ne po bëjmë tri palë zgjedhje dhe nuk po vërejmë reflektim nga opozita. Ose më saktë, po vërejmë një reflektim krejtësisht simbolik e gradual, i cili nuk është i mjaftueshëm për ta tejkaluar çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës”, deklaroi Rrustemi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *