6.5 C
Pristina
E martë, 26 Nëntor, 2024

“Ky i shkreti, me UÇK, gjynah”- Dalin mesazhet ku Dejona Mihali fliste për një punëtor të KEK-ut

Një prej aferave më të mëdha të Qeverisë Kurti, ajo e punësimeve të qindra njerëzve të afërt me partinë në pushtet në KEK, ishte temë diskutimi në mesin e shumë mesazheve në mes të Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqi.

Në prill të vitit 2022, implikimi i një anëtari të Komisionit vlerësues në KEK, me emrin Ylli Shala në një rast të një qytetari me emrin Patriot Brahimi, ishte lajm shqetësues për dyshen Mihali – Krasniqi.

Në një nga mesazhet e bisedës të publikuara nga Nacionale, Mihali ia dërgon Krasniqit lajmin ku ‘djali i dëshmorit që kishte konkuruar në KEK’ ishte telefonuar nga Komisioni i KEK-ut’ – i rekomandohej Krasniqit nga Mihali që të mos veprohet kështu.

‘kjo mund të mos jetë e vërtetë por nëse këta vijojnë të flasin me palët në formë jo zyrtare keq e kanë. nuk po e di kush është ky veç nuk kanë pse bëjnë kësi skenash’ – këshillonte Mihali, Krasniqin në mesazh.

Mihalit fillimisht nuk i kujtohet Ylli Shala, por dikur e ‘ftillon’ dhe ia përmbledh në disa fjali ‘CV-në’ e krejt angazhimin e tij jetësor si më poshtë:

hahahahahaha ky qenka Ylli

Tani po ftillohem për kë bëhet fjale.

Po ky i shkreti është vërtetë klasë punëtore, me uçk, që ka shërbyer në FSK, është kthyer në KEK, djalë minatori në KEK. Hallexhinj.

Gjynah”

Për çka bëhej fjalë?

Në kohën e aferës së punësimeve në KEK, një qytetar që kishte aplikuar për punë aty, kishte folur publikisht në disa televizione nacionale, duke treguar për një thirrje telefonike që kishte marrë nga një anëtar i Komisionit vlerësues në KEK, me emrin Ylli Shala.

Një zyrtar i KEK-ut më ka thirrë, ma ka lu rolin, kishe po më dhimesh që je djalë i dëshmorit e sene, e dikur më tha a e di pse të kam thirrë, tha se ma ke përmend emrin. I thash po ta kam përmend se ti e ke punësu vëllaun”, do të tregonte qytetari Patriot Brahimi në Debat Plus.

Edhe vetë Shala, do ta jepte versionin e tij lidhur me kritikat e akuzat që i bëheshin atëkohë dhe do të fliste si më poshtë:

“Unë jam një përkrahës i Albin Kurtit”, deklaronte inxhinieri ‘gjynah’ i Dejona Mihalit në Debat Plus. E për akuzat e vëllait të pranuar në punë, ai shprehej:

“Vëllai i im nuk ka qenë në teknik të makinerisë, pyeteni vëllain tim, ai iu kallëxon ma mirë”, deklaronte Ylli Shala.

Inxhinieri ‘gjynah – klasë punëtore– uçk’ Ylli Shala, ishte prezantuar nga Albin Kurti në shtatorin e vitit 2020 si kuadër profesional në çështjen e energjetikës.

Në konkursin për të cilin ankohej ‘djali i dëshmorit’ dhe përfshihej ‘inxhinieri gjynah’, patën aplikuar mbi 4600 qytetarë të Kosovës dhe ishin pranuar 128 persona. Më vonë, do të zbulohej nga mediat se shumica e të pranuarve në atë konkurs, ishin familjarë të zyrtarëve të KEK-ut dhe militantë të partisë në pushtet.

Për çështjen e ‘familjarizmit’ – shumica e arsyetimeve të njerëzve të pushtetit, qëndronin rreth një shpjegimi të ngjashëm me fjalimin ‘deliberativ’ të deputetit të VV-së, z.Ardian Gola, mbajtur në Kuvend duke e sqaruar/ arsyetuar/ shpjeguar nepotizmin kështu:

“E, a e di ku dallon nepotizmi si vetëdije prej një koicidence të një lidhje familjare mes dy personave. Saktësisht në metodë. Për shembull, në vetëdijen nepotiste nëse qëllon me qenë profesionist kjo është koicidencë.

Ndërsa në vetëdijen dhe metodën meritokratike, nëse qëllon me pasë lidhje familjare, kjo është koicidencë.

Pra, profesionalizmi është koicidencë te familjarizmi ndërsa profesionalizmi është esencë tek vetëdija meritokratike”, deklaronte Gola në Kuvend, rreth kritikave për nepotizëm në Qeverinë Kurti.

Por, mes fjalimeve që nënkuptonin se ‘nepotizmi me ne e ka në vetvete profesionalizmin’, KEK-u kishte anuluar këtë konkurs dhe Prokuroria kishte filluar hetimet.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here