Vetura Alfa Romeo Giulia ka fituar një tjetër çmim prestigjioz, pasi u zgjodh si më e mira e vitit 2021 nga lexuesit e revistës gjermane “Auto Motor und Sport”.
Lexuesit votuan për sedanin sportiv italian në kategorinë e automjeteve të klasës së mesme dhe kjo është hera e katërt që e merr këtë çmim në pesë vitet e fundit.
Me 22 për qind të votave, Alfa Romeo Giulia tejkaloi 14 konkurrentë.
Ndërkohë, dy modelet e tjera të Alfa Romeos, Giulietta dhe Stelvio, zunë vendin e dytë, përkatësisht të tretë në kategoritë e tyre.
Kësisoj, gjiganti italian Alfa Romeo fitoi edhe çmimin për markën më të mirë për vitin 2021.
Në fakt, kjo është një mirënjohje e madhe nga adhuruesit gjermanë të veturave, duke pasur parasysh se shteti i tyre prodhon disa prej markave të më njohura të veturave në botë.
Më shumë se 101.000 lexues morën pjesë në edicionin e 45-të të garën “Makinat më të mira” të organizuar nga revista e veturave “Auto, Motor und Sport”.
Lexuesit ishin në gjendje të zgjidhnin mes 387 modeleve të ndara në 11 kategori. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt të enjten, dhe për herë të parë online.