Kanë kaluar më shumë se katër muaj nga vdekja tragjike e dizajnerit të njohur kosovar, Festim Isufi, i cili u gjet pa shenja jete më 9 maj në banesën e tij në Rrugën B të Prishtinës, por hetimet rreth rastit ende nuk kanë çuar në ndonjë përfundim konkret.
Familjarët dhe opinioni publik mbeten në pritje të së vërtetës.
Përveç Isufit, i cili ndërroi jetë nga plagët e marra me mjet të mprehtë, bashkëshortja e tij, Rina Maloku-Isufi, u gjet në banesë me lëndime trupore dhe u dërgua për trajtim mjekësor.
Në lidhje me hetimet, avokati i Rina Malokut, Arianit Koci, ka deklaruar për media se klientja e tij nuk është në cilësinë e të dyshuarës dhe se nuk ka pranuar asnjë informacion zyrtar nga organet e drejtësisë.
“Po besojë që policia po vazhdon hetimet, me punët e veta. Unë nuk kam informacion as që e kanë mbyll as që s’e kanë mbyll. S’kemi më informacione. Policia s’kanë dhënë asnjë informacion. Dua të theksoj se Rina nuk është në cilësinë e të dyshuarës.”, ka thënë avokati i Rina Malokut, Arianit Koci për IndeksOnline.
Vlen të përmendim faktin se më 23 maj është finalizuar autopsia e trupit të Festim Isufit, e cila është dorëzuar familjes dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Sipas raportit zyrtar, Isufi ka pësuar shtatë plagë në trup, ndërsa vdekja e tij është shkaktuar nga plagët fatale në zonën e qafës, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë – thikë.