Sot në orën 11:00 pritet të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përputhje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka obliguar deputetët ta konstituojnë kuvendin brenda afatit 30-ditor.
Para seancës, Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka paralajmëruar një mbledhje të brendshme në orën 10:15, ku pritet të rikonfirmohet qëndrimi i tyre për votimin e kryesisë së kuvendit.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka deklaruar se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim dhe do të votojë kundër, në rast se kandidatja për kryetare të kuvendit mbetet Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Ne i kemi qëndrimet tona, që nuk kanë ndryshuar, por që kemi vendosur si Grup parlamentar ta mbajmë një takim në orën 10:15. Nëse është kandidati i njëjtë, qëndrimi i PDK-së do të jetë votimi i njëjtë, kundër”, tha Qalaj për IndeksOnline.
Ai shprehu skepticizëm për ndonjë zhvillim të ri gjatë seancës së sotme, duke shtuar se bllokada aktuale duhet tejkaluar.
“Shpresoj që Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj të marrin seriozisht këtë çështje dhe të tejkalojmë këtë bllokadë. Unë personalisht, për aq sa kam parë deri tani, nuk pres ndonjë rezultat”, shtoi ai.
Qalaj theksoi se vota kundër nuk është e drejtuar vetëm ndaj Haxhiut si kandidate, por edhe ndaj çdo kandidati tjetër që vjen nga radhët e ministrave aktualë.
“Për Albulena Haxhiun vota është kundër, sikur edhe për të gjithë kandidatët e tjerë që mund të jenë dhe që janë ministra”, tha Qalaj.
Me publikimin e aktgjykimit të Kushtetueses, ditën e hënë, ka hyrë në fuqi edhe afati 30 ditor për konstituimin e Kuvendit.
Gjykata ka theksuar se deputetët janë të detyruar që jo më vonë se 30 ditë të përmbyllin seancën konstituive duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e kuvendit.
Sipas Kushtetueses, për shkak se seancat e deritanishme nuk janë zhvilluar në përputhje me aktgjykimin në rastin KO124/25, procesi duhet të rikthehet në fazën ku kishte mbetur, teksa seancat nga data 27 qershor deri më 26 korrik, janë shpallur të pavlefshme.