Aeroplani nga Prishtina del nga pista në Stamboll, Ambasada e Kosovës jep detaje
Ambasada e Republikës së Kosovës në Turqi ka njoftuar se një incident ajror ka ndodhur sot në Aeroportin “Sabiha Gökçen” në Stamboll, ku një aeroplan i operuar nga kompania AJet, i tipit Boeing 737-800, ka dalë nga rruga e taksimit menjëherë pas aterrimit.
Avioni që realizoi fluturimin Prishtinë–Stamboll, me numër TKJ76Q / VF102, pas prekjes së pistës ka devijuar nga rruga e taksimit dhe është ndalur në skajin e pistës.
Sipas informacioneve zyrtare, të gjithë pasagjerët janë evakuuar në mënyrë të sigurt, duke zbritur përmes shkallëve të jashtme, pa pasur nevojë për përdorimin e rrëshqitësve emergjentë.
Nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa udhëtarët kanë vazhduar rrugëtimin e tyre nga aeroporti drejt destinacioneve përkatëse.
Njoftimi i plotë i Ambasadës të Republikës së Kosovës në Turqi:
N J O F T I M
Ambasada e Republikës së Kosovës në Turqi njofton se sot, në Aeroportin Sabiha Gökçen, një aeroplan i operuar nga kompania AJet, i tipit Boeing 737-800, i cili realizoi fluturimin Prishtinë–Stamboll me numër TKJ76Q / VF102, pas aterrimit ka dalë nga rruga e taksimit dhe është ndalur në skajin e pistës.
Sipas informacioneve zyrtare, të gjithë pasagjerët janë evakuuar në mënyrë të sigurt përmes shkallëve të jashtme, pa qenë e nevojshme përdorimi i rrëshqitësve emergjentë.
Nuk ka raportime për persona të lënduar dhe udhëtarët janë larguar në mënyrë të rregullt nga aeroporti drejt destinacioneve të tyre.
Në deklaratën e saj, kompania AJet ka bërë të ditur se aeroplani ka kryer një aterrim të rregullt dhe se gjatë lëvizjes në rrugën e taksimit ka dalë në terren të butë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Në rast nevoje, Ambasada e Republikës së Kosovës në Turqi fton qytetarët e Republikës së Kosovës të kontaktojnë:
Ambasada e Republikës së Kosovës – Ankara
+90 542 711 80 99
embassy.turkey@rks-gov.net
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës – Stamboll
+90 531 105 63 91
consulategeneral.ist@rks-gov.net
