Në Kishën Katolike Shqiptare “Shën Kryqi” në Mitrovicë, shtatë shqiptarë nga diaspora – përkatësisht nga Bajgora e mërgata shqiptare në Zvicër, Gjermani e Kanada – u pagëzuan dhe u konvertuan në katolikë, nën udhëheqjen e profesorit Ahmet Musa, tashmë i konvertuar dhe i njohur me emrin Shqiptar Shaljani.
Të rinjtë e ardhur nga mërgata, shumica me prejardhje nga Shala e Bajgorës, iu përgjigjën ftesës dhe vizionit të Shaljanit për një “kthim te besimi i të parëve” dhe për “një rilindje kombëtare përmes shpirtit”. Pagëzimi u zhvillua nën moton “Një komb, një gjuhë, një gjak”.
Në fjalimin e tij, Shqiptar Shaljani e quajti këtë moment si një “akt të kthjelltësisë shpirtërore” dhe një “deklaratë publike për rikthimin e shqiptarëve drejt trashëgimisë së tyre autoktone dhe evropiane”. Ai shtoi se kjo është një përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndarë shqiptarët mbi baza fetare dhe një përpjekje për t’i bashkuar ata në themelet e një identiteti të përbashkët.
“Ne nuk po bëjmë thjesht pagëzime, por po ringjallim ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve që për shekuj i kanë rezistuar asimilimit dhe ndarjeve të imponuara,” theksoi ai.