Aksident i rëndë në Pavlan të Pejës, merr flakë vetura, vdes një person
Gazeta Sinjali ka raportuar më parë për një aksident tragjik që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në fshatin Pavlan të Pejës, ku një veturë luksoze tip Audi Q8 ka dalë nga rruga dhe është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar vdekjen e një personi ende të paidentifikuar.
Sinjali mëson ekskluzivisht se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:20 të datës 1 qershor 2025, kur automjeti që po qarkullonte me shpejtësi në drejtim të qytetit të Pejës, ka humbur kontrollin në afërsi të rrethrrotullimit në fshatin Pavlan. Sipas hetimeve fillestare, vetura ka goditur cepin e trotuarit në anën e djathtë, është rrokullisur dhe ka përfunduar rreth 50 metra larg rrugës, në një arë, ku është përfshirë nga zjarri.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, njësia e krim-teknikës rajonale, zjarrfikësit, inspektori për mbrojtje nga zjarri dhe autoambulanca me mjekun kujdestar, i cili ka konstatuar vdekjen e personit brenda automjetit. Viktima, që dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit, nuk ka arritur të identifikohet deri më tani, ndërsa pronari i veturës nuk ishte i qasshëm përmes disa numrave të telefonit.
Gjatë ekzaminimit të automjetit, hetuesit kanë gjetur edhe një fishek armë zjarri me kalibër të panjohur, çka ka shtuar edhe më shumë dyshimet rreth rrethanave të këtij rasti.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa vetura është konfiskuar për ekzaminime të mëtejshme dhe është dërguar në parkingun e Stacionit Policor në Klinë.
Rasti është duke u hetuar nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Pejë dhe Prokuroria Themelore, në përpjekje për të sqaruar shkaqet dhe identitetin e viktimës.
