Përkundër bisedimeve me vite, Kosova dhe Serbia duket se nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët. Ato jo vetëm që e kanë të vështirë të komunikojnë, por akuzojnë vazhdimisht njëra-tjetrën se nuk duan paqe.
Për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, autoritetet e Kosovës ushtrojnë “dhunë” ndaj komunitetit serb në veri.
Me “lëvizjet arrogante dhe ilegale, Prishtina rrezikon sigurinë e popullatës serbe”, ka thënë ai, kur Kosova ka mbyllur disa institucione paralele të Serbisë në veri të vendit.
Brenda një jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka tërhequr vërejtjen së paku dy herë për rrezikun e konflikteve të reja nga Serbia.
I pyetur nga gazetarët më 17 shtator se si i komenton disa kërkesa të Vuçiqit për serbët e veriut që të riintegrohen në institucionet e Kosovës, Kurti ka thënë se ato “nuk janë racionale”.
“[Kërkesat e Vuçiqit] nuk janë aspak paqësore, por, përkundrazi, janë pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja, të cilat padyshim se nuk kanë vend as në Kosovë, as askund”, ka thënë Kurti.
Katër ditë përpara kësaj deklarate, Kurti ka bërë një paralajmërim të ngjashëm edhe përmes llogarisë së tij në Facebook, ku ka siguruar, po ashtu, se Kosova është e gatshme për mbrojtjen e qytetarëve të saj.
“Serbia e drejtuar nga ministri i Millosheviqit, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja në drejtim të Kosovës… Sot, Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet. Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre”, ka shkruar Kurti.
Në frymë të ngjashme është shprehur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Por, sipas saj, “assesi” nuk duhet pasur frikë nga Vuçiqi.
Me armatimin që ka blerë Kosova dhe me forcimin e përditshëm të institucioneve të sigurisë, “ne jemi shumë më të fortë seç kemi qenë më parë”, ka thënë Osmani më 17 shtator në një adresim para gazetarëve.