Mefail Shkodra, personi më i përfolur në ditët e fundit dhe i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë që tronditi Gjilanin të dielën, po del të ketë pasur lidhje të afërta me figura të rëndësishme politike në vend.
Në disa fotografi të publikuara, ai shihet pranë presidentes Vjosa Osmani, bashkëshortit të saj – kryeministrit në detyrë Albin Kurti, si dhe ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.
Pas publikimit të këtyre imazheve, Presidenca e Kosovës reagoi duke mohuar njohjen nga afër të Shkodrës, duke thënë se fotografia është bërë gjatë një aktiviteti festiv të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, ku sipas tyre, Shkodra ka qenë i pranishëm si i ftuar.
Mirëpo, këtë version e ka hedhur poshtë vet Ambasada e Shqipërisë.
Në një përgjigje zyrtare për Gazetën Insajderi, ambasada ka deklaruar se Mefail Shkodra nuk ka figuruar kurrë në listat e të ftuarve për asnjë aktivitet zyrtar të saj.
“Në përgjigje të kërkesës suaj për informacion, ju njoftojmë se, bazuar në të dhënat zyrtare të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, personi në fjalë nuk rezulton i regjistruar në listat e të ftuarve për asnjë nga pritjet apo aktivitetet zyrtare të organizuara nga Përfaqësia jonë diplomatike,” thuhet në përgjigjen e ambasadës.
“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës ndjek dhe monitoron me kujdes zhvillimet në vend dhe rikonfirmon se shtetasi Mefail Shkodra nuk ka qenë në asnjë listë si i ftuar në asnjë aktivitet zyrtar të organizuar nga kjo Ambasadë,” kanë deklaruar nga ambasada për Insajderin.
Edhe Qeveria Kurti në detyrë ka mohuar që Mefail Shkodra, i dyshuari për vrasjen e trefishtë në Gjilan, të jetë ftuar nga ana e saj në eventin ku është fotografuar me figura të larta shtetërore.
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se ngjarja nuk është organizuar nga Qeveria, por nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë.
Ai ka akuzuar deputetin e PDK-së, Abelard Tahiri, për gënjeshtër publike lidhur me këtë çështje.
“Z. Abelard Tahiri sot gënjeu publikisht dhe atë me vetëdije. Ai sot, në një konferencë për media, ndonëse deputet, me vetëdije të plotë iu bashkua fushatës së rrjeteve sociale përmes së cilës synohet njollosja e Kryeministrit dhe Qeverisë Kurti dhe lidhja e saj me dorasin Mefail Shkodra përmes një fotografie. Deputeti Tahiri mashtroi publikisht kur tha se ajo fotografi ishte shkrepur në një pritje shtetërore të organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Edhe pse e di që ajo ngjarje është, në fakt, pritje e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në shënim të 110-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. E di, sepse vetë ka qenë i ftuar dhe i pranishëm në po atë ngjarje të vitit 2022, sikurse dëshmon fotografia më poshtë. E kur ai e thotë qëllimisht e publikisht të pavërtetën, atëherë nuk i mbetet kredibiliteti për të thënë çkado tjetër”, shkruante Kryeziu në Facebook.
Megjithë deklaratat kontradiktore, mbetet e paqartë kush e ftoi dhe për çfarë arsye Mefail Shkodrën në atë event, si dhe si përfundoi ai duke pozuar me figurat më të larta të shtetit.