div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="wp-singular post-template-default single single-post postid-31196 single-format-aside custom-background wp-custom-logo wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog">
Arrestohet i dyshuari për sulmin në Zveçan ndaj KFOR-it dhe Policisë, i sekuestrohen telefona e pajisje (EMRI)

Policia e Kosovës ka arrestuar dje në Zveçan një person të dyshuar për pjesëmarrje aktive në sulmin e 29 majit 2023 ndaj KFOR-it dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës, para objektit të komunës në Zveçan.

Gazeta Sinjali mëson nga burime të besueshme se i dyshuari është Slobodan Radenkoviç, i lindur në vitin 1989, ndaj të cilit po zhvillohet procedurë penale për vepra të rënda që lidhen me cenimin e rendit kushtetues dhe sigurisë në Republikën e Kosovës.

Sipas informacioneve, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DPP-Prishtinë, ka pranuar të dhëna operative se i dyshuari ndodhej në shtëpinë e tij në Zveçan, ndërsa për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë për manipulim apo zhdukje të provave, është vlerësuar e domosdoshme ndërhyrja për arrestim.

I dyshuari është lokalizuar gjatë mëngjesit në rrugën “Kral Patri” në Zveçan dhe, në koordinim me Prokurorin e rastit, është ndaluar.

Pas arrestimit, në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të tij është realizuar kontroll, me asistencën e Sektorit Rajonal të Hetimeve Mitrovicë Veri, me qëllim të sigurimit të provave dhe dëshmive.

Gjatë kontrollit, Policia ka sekuestruar disa prova materiale, përfshirë:

•           Dy telefona mobilë

•           Një trenerkë sportive “Underarmour”, ngjyrë hiri me të zezë

•           Një leje qëndrimi në emër të Milorad Bulatoviç

Me vendim të Prokurorit të çështjes, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rasti po trajtohet në kuadër të dyshimeve për veprat penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, sulm ndaj personit zyrtar, si dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *