Agim Bahtiri del në përkrahje të protestave në Tiranë

Agim Bahtiri ka shprehur mbështetjen e tij për protestën e zhvilluar në Tiranë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se në protestat e shqiptarëve sheh dhimbjen dhe dashurinë për atdheun, duke theksuar se mbështetja e tij është e plotë dhe e palëkundur.

“Shqipëria Amë është amanet, është identitet. Nuk kemi tokë për të falur. Nuk kemi identitet për të shitur”, shkroi Bahtiri.

Katër persona rrihen mes vete, arrestohen nga policia

Katër persona janë arrestuar të shtunën në Pejë, pasi dyshohet se janë përfshirë në një përleshje fizike mes vete.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur dje rreth orës 16:29 në rrugën “Mehmet Ibraj”, raporton klankosova.tv.

Si pasojë e përleshjes, tre nga të dyshuarit kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.

Me vendim të prokurorit, tre nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt.

“Rr. Mehmet Ibraj, Pejë 20.06.2026 – 16:29. Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që ishin rrahur mes vete. Si pasojë, lëndime të lehta trupore kanë pësuar tre nga të dyshuarit të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, tre nga ta janë dërguar në mbajtje, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt”.

Ngjarje e rëndë në Durrës, mbyťet në det një 11-vjeçar

Paraditen e kësaj të diele, një 11-vjeçar dyshohet se është mbytur aksidentalisht në Durrës teksa po lahej në det.

Menjëherë pas ngjarjes, janë njoftuar shërbimet përkatëse, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të mbytjes, shkruan Abcnewsalbania, transmeton Klankosova.tv.

“Rreth orës 10:35, në lagjen nr. 13, Durrës, gjatë kohës që po lahej në det, dyshohet se është mbytur aksidentalisht një 11-vjeçar, banues në Tiranë.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për përcaktimin e shkakut të mbytjes”, njoftoi Policia shqiptare.

“Superpuna për Gratë”, Kurti njofton skemën e re për punësimin e grave

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar rëndësinë e fuqizimit ekonomik të grave, duke theksuar se mbështetja për ndërmarrëset nuk duhet të mbetet vetëm në nivel deklarativ, por të shoqërohet me politika dhe programe konkrete.

Deklaratat e tij u bënë në kuadër të konferencës së parë “Gratë në Biznes – She Rises 2026”, e organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ku morën pjesë rreth 300 gra nga fusha e ndërmarrësisë, institucionet dhe organizatat vendore e ndërkombëtare.

Kurti tha se një grua ekonomikisht e pavarur përbën bazën e një familjeje të fortë, një shoqërie përparimtare dhe një ekonomie të zhvilluar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e bindur se barazia është parimi udhëheqës dhe rruga e vetme drejt progresit. Prandaj, jemi kujdesur që mbështetja jonë për gratë në biznese të mos mbetet vetëm deklarative, por të përkthehet në programe të dedikuara, si subvencionimi i drejtpërdrejtë dhe lehtësimi i qasjes në financa”, ka thënë Kurti.

Ai ka bërë të ditur se edhe gjatë këtij viti do të vazhdojë zgjerimi i mbështetjes për bizneset, inovacionin, digjitalizimin dhe ndërmarrësinë e grave.

“Do të vazhdojmë të zgjerojmë mbështetjen për bizneset, inovacionin, digjitalizimin dhe ndërmarrësinë e grave, përfshirë edhe themelimin e Divizionit për Gratë Ndërmarrëse në Agjencinë të cilën po e krijon Ministria”, është shprehur ai.

Kryeministri në detyrë njoftoi gjithashtu nisjen e Programit “Superpuna për Gratë”, i cili synon të rrisë përfshirjen e grave në tregun e punës.

“Në mbështetje të punësimit dhe zhvillimit ekonomik, do të nisë Programi ‘Superpuna për Gratë’, i cili do të garantojë pagën minimale për gjashtë muaj për gratë që hyjnë ose rikthehen në tregun e punës, duke krijuar përfitime si për punëmarrëset ashtu edhe për bizneset”, ka deklaruar Kurti.

Labinot Tahiri bën thirrje për protestë në mbrojtje të miqësisë me SHBA-në

Këngëtari dhe ish-deputeti Labinot Tahiri ka reaguar për çështjen e marrëdhënieve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke bërë thirrje për organizimin e një proteste në mbrojtje të miqësisë me SHBA-në.

Përmes një postimi publik, Tahiri ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet e fundit, duke theksuar se Amerika ka qenë aleati më i madh i Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

Ai ka kujtuar rolin e SHBA-së gjatë luftës dhe periudhës së pasluftës, duke vlerësuar kontributin e popullit amerikan, senatorëve, kongresistëve dhe lobit shqiptaro-amerikan për Kosovën.

“Nuk duhet t’i largojmë miqtë që i kemi pasur gjithmonë pranë”, ka shkruar Tahiri, duke shtuar se interesi shtetëror duhet të jetë mbi interesat partiake.

Postimi i plotë:

🚨🫡🚨

DUHET TE NGRIHEMI NE PROTESTË ASHTU SIQ E KEMI KERKUAR AMERIKEN PARA LUFTES EDHE TANI NË RUAJTJEN E MIQESISE ME AMERIKËN.

SI KA MUNDËSI QË NE  ME I BLE PRODUKTET E SERBISË DERI TE PLAZMAKEKSAT DHE MA NUK PO U RROTULLOHEN KAMIONAT ME MALLRA SERBE DHE ME PAGU ENERGJI NGA SERBIA APO GJITHANDEJ POR NUK PO BEJKA ME E PRANU GAZIN AMERIKAN?

Amerika nuk na tradhetoji asnjeherë e ne po del që po e tradhetojmë Amerikën.

A ka ndonje expert jashtpartiak që e jep nje analize per kete qeshtje?

Po e them si qytetar, si shqiptar dhe si biri i një nëne, e motrat e mia që e kanë përjetuar luftën si shumë nëna te tjera.!

Interesi shtetëror është mbi interesin partiak.

AMERIKA nuk na ka sjellë vetëm fjalë.

Amerika na ka sjellë liri.

Amerika i ka kthyer nënat tona në Kosovë. Amerika i ka kthyer fëmijët në shtëpitë e tyre. Amerika e ka ndihmuar këtë vend kur shumë prej nesh as nuk ishim në politikë.

DHE AMERIKA E KA SJELLË PAVARESINË DHE LIRINË E KOSOVËS PA QENË VV-JA  dhe Albin Kurti në pushtet e as në parlament, e po ashtu pa qenë asnje parti politike ne pushtet.

Ne duhet te kemi  vetëm mirënjohje deri në vdekje për popullin amerikan, për senatorët amerikan, kongresistët dhe lobin shqiptaro-amerikan që kanë qëndruar pranë nesh.

Popull, hapni sytë mirë para se ta fusim vetveten në shënjestër dhe para se t’i largojmë miqtë që i kemi pasur gjithmonë pranë.

Prandaj propozoj që të ngrihemi në PROTESTË në këmbë në mbrojtje të miqësisë me Amerikën, me ambasadën amerikane dhe me ushtarët e Bondsteel-it, të cilët kanë qenë pranë Kosovës në ditët më të vështira.

Hej njerëz duhet ta ruajmë amanetin e DR Ibrahim Rugovës:

“Miqësia e përhershme me Amerikën dhe popullin amerikan.” duhet të mbeten jetike.

Kosova është mbi partitë dhe liderët e tyre.

Amerika është aleati ynë i vetem.

Me dashuri,

Labi,

Kosovë e Shqipërisë

Ndërron jetë 11-vjeçari pas vetaksidentit me trotinet elektrik

Një fëmijë 11-vjeçar nga Gjilani, Mejdi Deliu, ka ndërruar jetë në QKUK si pasojë e lëndimeve të rënda që kishte pësuar pas një aksidenti me trotinet elektrik.

Ngjarja kishte ndodhur më 8 qershor 2026 në rrugën “Pajazit Nushi” në Gjilan, ku i mituri ishte rrëzuar gjatë ngasjes së trotinetit elektrik dhe kishte pësuar lëndime serioze.

Pas disa ditësh trajtimi në QKUK, më 20 qershor 2026 është konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i të miturit u është dorëzuar familjarëve për ceremoninë e varrimit.

E dhimbshme: Ky është 22-vjeçari që humbi jetën në aksidentin e rëndë

Një aksident i rëndë trafiku i ka marrë jetën një të riu mbrëmjen e së shtunës në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, raporton Sinjali.

Viktima është Drilon Meniqi, 22-vjeçar, i cili vdiq në vendin e ngjarjes pasi motoçikleta që po drejtonte u përfshi në aksident me një veturë në afërsi të mobilerisë “Berto” në Vushtrri.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, dyshohet se motoçikleta Yamaha që drejtonte Meniqi ka goditur pjesën e pasme të një veture VW Golf që po lëvizte në të njëjtin drejtim. Pas goditjes, i riu humbi kontrollin mbi motoçikletën, kaloi mbi ndarjen fizike të rrugës dhe përfundoi në korsinë e kundërt.

Ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes konstatoi vdekjen e 22-vjeçarit, ndërsa trupi i tij është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente të trafikut rajonal në Mitrovicë, me qëllim të zbardhjes së plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.

Lajmi për vdekjen e hershme të Drilon Meniqit ka pikëlluar familjarët, miqtë dhe të afërmit e tij. Ai humbi jetën në moshën 22-vjeçare, në një aksident që i dha fund tragjikisht një jete të re.

Deputeti i VV’së merr pjesë në proťestën në Tiranë

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ejup Ahmeti, po merr pjesë në protestën në Tiranë.

Ahmeti publikoi një fotografi të turmës që po proteston në sheshin kryesor të kryeqytetit shqiptar, raporton IndeksOnline.

Fotografisë, Ahmeti ia bashkëngjiti këngën “Shqipëri, o nëna ime”.

Ndonëse pas numërimit të rregullt, Ahmeti nuk fitoi ulëse në Kuvend, me formimin e kabinetit qeveritar, atij do t’i lirohet rruga për t’u bërë deputet.

 

Kandidatit të PDK-së i shtohen 589 vota nga rinumërimi i 3.52% të votave, kërkon verifikim të plotë

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet, Qëndrim Kryeziu, ka njoftuar se ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputet të kësaj partie.

Sipas Kryeziut, kërkesa e tij nuk bazohet në pakënaqësi me rezultatin zgjedhor, por në të dhënat e dala nga procesi i deritanishëm i rinumërimit të realizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Ai ka bërë të ditur se nga rinumërimi i 185 vendvotimeve, që sipas tij përbëjnë rreth 3.52 për qind të votave të PDK-së, janë evidentuar gabime në numërimin fillestar dhe atij i janë shtuar 589 vota.

Kryeziu vlerëson se, nëse ky trend do të reflektohej në të gjithë procesin, numri i votave të tij mund të kalonte shifrën prej 22 mijë votash. Për këtë arsye, ai ka kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat e kandidatëve të PDK-së që nuk janë përfshirë në procesin e deritanishëm të rinumërimit.

“Vetëm një verifikim i plotë mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka fituar besimin e qytetarëve dhe që çdo votë të numërohet saktë”, ka theksuar ai.

Ai gjithashtu ka rikujtuar se edhe në proceset e mëparshme zgjedhore, sipas tij, pas rinumërimeve i janë shtuar vota në komuna të ndryshme, duke ngritur dyshime për pasaktësi në numërim.

“Më e rëndësishme se shpejtësia e publikimit të rezultatit zgjedhor është saktësia e tij. Çdo votë duhet të numërohet ashtu siç është shprehur vullneti i qytetarëve”, ka deklaruar Kryeziu.