div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged author author-arben-islami author-6 custom-background wp-custom-logo paged-205 author-paged-205 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Presidentja deklarohet pas takimit me krerët e partive politike, zbulon kërkesën e Kurtit

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka folur pas takimit të sotëm që kishte me partitë politike.

Osmani tha se disa nga partitë politike kishin qëndrime që nuk mund të krijojnë shumicë, por kishte dhe qëndrime që të takoheshin sërish me qëllim që të ketë një mandatar të ri.

Ajo tha se për këtë do të presë deri më 5 nëntor, aq sa përcakton afati i Gjykatës Kushtetuese, transmeton Zeri.info.

“Deri më 5 nëntor do të komunikoj sërish me kryetarët e partive, por do të jem në komunikim me ta dhe kushdo që ka gatishmëri për të parë përfundimisht se a ka mundësi për mandatar të ri”.

Ajo përmendi se Kurti ka kërkuar t’i jepet kjo kohë.

“Kurti ka kërkuar që të më takojë edhe një herë para se të skadojë afati 10-ditor dhe pas konsultimeve që ka brenda partive që i takon, do të vijë ose jo me mandatar të dytë, është çështje e tyre”, deklaroi Osmani para gazetarëve.

Blerim Latifi thotë se për njohjen e Sirisë kanë merita SHBA e Izraeli: Tregimet e tjera janë dokrra hini

Profesori universitar, Blerim Latifi, ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Siria është rezultat i zhvendosjes së këtij shteti në orbitën amerikane, pas rënies së regjimit të Asadit.

Sipas Latifit, kjo njohje është edhe përfitim indirekt nga fitorja e Izraelit në Lindjen e Mesme.

Tregimet e tjera për procesin e marrjes së kësaj njohje ai thotë se janë “dokrra hini”. Siria e ka njohur sot Kosovën. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar nga Damasku për këtë vendim të Sirisë, duke falendëruar Princin e Kurorës së Arabisë Saudite.

Postimi i plotë i Latifit:

Siria nën Asadin ishte një satelit i Iranit dhe Rusisë. Milicitë e Hezbollahut patën rol vendimtar në mbajtjen e Asadit në pushtet përgjatë luftës civile që nisi aty në vitin 2011. Pastaj Irani nxiti Hamasin dhe Hezbollahun që të sulmojnë Izraelin. Në përgjigje, Izraeli shkatërroi Hamasin, shpartalloi Hezbollahun dhe bombardoi Iranin, duke e nxjerrë jashtë loje për dhjetë ditë lufte. Pa Iranin dhe Hezbollahun, Asadi nuk mund të qëndronte më në pushtet. Regjimi i tij ra si një kullë prej letre dhe milicitë e Ahmed Al Sharas marshuan në Damask. Kështu Siria u zhvendos nga orbita e Rusisë dhe Iranit në orbitën amerikane. Njohja e Kosovës nga Siria është rezultat i kësaj zhvendosjeje.Është një përfitim i yni i tërthortë nga fitorja e madhe e Izraelit në Lindjen e Mesme. Tregimet tjera për procesin që solli deri te kjo njohje janë thjesht dokrra hini.

Vdes ish-Kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano

Fatos Nano mbylli sytë përgjithmonë pas disa javësh në luftë me jetën në një spital privat në kryeqytet

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, është ndarë sot nga jeta në moshën 73-vjeçare.

Prej disa javësh, Nano ndodhej në repartin e reanimacionit të një spitali privat në Tiranë, ku po mbahej nën kujdesin e mjekëve, pasi gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm ditët e fundit.

Sipas burimeve mjekësore, shkaku i ndarjes nga jeta ka qenë një arrest kardiak, ndërsa më herët ai ishte trajtuar edhe për probleme me frymëmarrjen.

Një prej politikanëve më të rëndësishëm të vendit në periudhën post-komuniste, Fatos Nano është “zhdukur” dhe “rikthyer” në shumë momente kyçe për vendin.

I lindur në 16 shtator 1952 në Tiranë, ai u diplomua për ekonomi politike në vitin 1974 në kryeqytet dhe kulmin e karrierës së tij përpara se të rrëzohej regjimi komunist e pati 10 vjet më vonë kur u emërua si studiues i problemeve socio-ekonomike dhe reformave të ekonomive të tregut të vendeve të Bllokut Lindor në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë, nën varësinë e ish-gruas së diktatorit, Nexhimije Hoxha.

Ai ishte pjesë aktive e zhvillimeve të vrullshme politike që ndodhën në Shqipëri si edhe në çdo vend tjetër të bllokut të Lindjes.

E shpejtë ishte edhe ngritja e tij në detyrë. Në dhjetor 1990 u emërua sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, e një muaj më vonë zv.kryeministër në qeverinë e Adil Çarçanit. Në fund të shkurtit 1991, Ramiz Alia i besoi Nanos postin e kryeministrit, me një mandat të përcaktuar: përgatitjen e tranzicionit të vendit drejt demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut.

Pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991, Nano u mandatua kryeministër, detyrë të cilën e mbajti për disa javë, kur dha dorëheqjen për shkak të grevave që kishin nisur në gjithë vendin.

Meritë e padiskutueshme e Nanos në atë periudhë ishte transformimi i PS-së nga një parti e trashëguar nga regjimi komunist në një parti social-demokrate me orientim perëndimor.

Ardhja e demokratëve në pushtet në vitin 1992, solli një periudhë të vështirë për Fatos Nanon.

Më 30 korrik 1993, Nano u arrestua në zyrën e Prokurorit,[21] dhe u akuzua për “shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare në lidhje me ndihmën italiane” dhe 9 muaj më vonë u dënua me 12 vite burg.

Megjithatë trazirat e vitit 1997 sollën lirimin e tij nga burgu dhe rikthimin aty ku të gjithë socialistët e donin: në krye të PS-së. Tre muaj pasi kishte dalë nga burgu ai udhëhoqi socialistët drejt rikthimit në pushtet, të cilin socialistët e mbajtën për 8 vite, por Fatos Nano pati sërish ulje-ngritjet e tij politike.

Meritë e Nanos, e pranuar edhe nga kritikët, ishte rikthimi i normaltitet në vendin e shkatërruar ekonomikisht si pasojë e firmave piramidale.

E megjithatë postin e kryeministrit e mbajti për një vit, kur vendosi të jepte dorëheqjen në 28 shtator 1998, pak më shumë se dy javë pas vrasjes së Azem Hajdarit.

U largua nga Qeveria, por vijoi të mbante kontrollin e partisë, pavarësisht dallgëve që shoqëruan socialistët në 8 vite.

U rikthye edhe njëherë tjetër kryeministër në 31 korrik 2002 deri në humbjen e zgjedhjeve në qershor 2005, kur u detyrua t’i linte pushtetin kundërshtarit të tij që e kishte burgosur, Sali Berisha.

Prej atij viti ditët i jetonte mes Vjenës ku qëndronte me familjen dhe Tiranës ku vinte sa herë diskutohej se kush do të ishte Presidenti i ri i vendit.

Dëshira e tij për t’u bërë kreu i shtetit nuk iu plotësua as në vitin 2007 kur vendin ia mori Bamir Topi dhe as në vitin 2012 kur Berisha megjithëse e afroi, në fund zgjodhi të ndjerin Bujar Nishani.

Jeta e tij familjare ka qenë e trazuar po aq sa ajo politike. Fillimisht konsumoi një martesë 25 vjeçare me Rexhina Nanon, me të cilën ka dy fëmijë, Sokolin dhe Edlirën.

Në vitin 2002, pak muaj pas divorcit ai njoftoi martesën me Xhoanën.

I konsideruar si figurë liberale brenda të majtës shqiptare ai e shndërroi PS-në nga një parti bolshevike në një formacion të së majtës progresive.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja Fatos Nano ishte i vetmi nga politikanët e tranzicionit që ka dhënë dorëheqjen nga politika për të mos u kthyer më, pas humbjes së zgjedhjeve në 2005.

LDK dhe AAK, në koalicion për Prishtinën?

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë ngritur pikëpyetjet për një koalicion të mundshëm mes dy partive për raundin e dytë të zgjedhjeve më 9 nëntor.

Ishte Bekë Berisha i AAK-së që ka ndarë një video me kryetarin aktual të Prishtinës, Përparim Ramën, teksa ky i fundit dëgjohet duke thënë “i grahim përpara”, transmeton Klankosova.tv.

Berisha nga ana tjetër, përmes videos që ka postuar, i dha mbështetje Ramës për projektin “Smart City”.

Ja sa do të jenë shtesat e fëmijëve nga muaji nëntor

Kryeministri në detyrë Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se nga një nentori, shtesat për fëmijë do të rriten për 50 për qind.

“Për nënat që marrin shtesat e fëmijëve, nga muajin nëntor për fëmijet zero deri 16 vjeç do të ketë rritje për 50 për qind. Një nënë që për fëmijët këtë muaj ka marrë 40 euro, nga nëntori do t’i marrë 60 euro, e kështu me radhë. Kemi shumë lajme të mira për të gjithë“, ka thënë Kurti.

Nga 20 euro për fëmijë shtesa tani do t’i marrin 30 euro.

Rritja e pagave dhe pensioneve, Krasniqi i reagon Kurtit: Mashtrimi elektoral nuk kalon. Uji i turbullt s’pihet dy herë”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke e cilësuar si një “babadimër” që kurrë nuk ka ardhur për qytetarët e Kosovës.

Në një postim në Facebook, Krasniqi ka theksuar se premtimet e dhëna gjatë pesë viteve të fundit nga kjo qeveri nuk kanë arritur të rikthejnë besimin te qytetarët, dhe sipas tij, nuk mund të shfrytëzohen për blerjen e votave gjatë balotazhit apo zgjedhjeve parlamentare.

“Thesi i mashtrimeve të një “babadimri” që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës, sado që premtoi çdo vit për pesë vjet, s’mundet me e rikthy besimin e humbur te qytetarëve e as nuk mund te arrijë qëllimin e blerjës së votës për balotazh dhe për zgjedhje parlamentare.

Krejt ato që sot u thanë në mbledhjen e fundit të kësaj qeverie, e që s’u bënë pesë vjet me radhë, do të bëhen: më mirë, më shumë e më shpejt, por me qeverinë e ardhshme, pa Albin Kurtin e pa Vetëvendosjen.
Mashtrimi elektoral nuk kalon. Uji i turbullt s’pihet dy herë”, ka shkruar Krasniqi.
Haradinaj kritikon Kurtin: Shumë vonë, shumë pak, me qeverinë tonë pensioni 200 euro, paga minimale 600 euro

Kryetari i AAK’së Ramush Haradinaj ka reaguar për vendimet e Qeverisë në detyrë.

Haradinaj e ka quajtur rritje të vogël, duke premtuar se në takimin e parë të qeverisë së tyre, pensioni bazik do të jetë 200 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 600 euro.

Postimi i plotë:

Shumë vonë, shumë pak. Marre!

Kjo rritje është dashur të ndodhë para shumë vitesh.

Në takimin e parë të qeverisë sonë, pensioni bazik do të jetë 200 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 600 euro.

Shtesat për të gjithë fëmijët nga 0–16 vjeç do të kenë rritje të konsiderueshme. Nënat me dy fëmijë do të marrin 100 euro, ndërsa nënat me katër fëmijë do të marrin 300 euro në muaj.

Veteranët s’përfitojnë nga rritja e re e pagave e pensioneve

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili gjatë mbledhjes së Qeverisë foli për rritje të pagave dhe pensioneve, pa përmendur pensionet e veteranëve të luftës.

Në reagimin në Facebook, thuhet se në kohën kur vendi po shkon drejt zgjedhjeve, Qeveria në detyrë po tenton të krijojë “përshtypje mashtruese” me premtime që, sipas tyre, nuk mund të realizohen pa miratim të buxhetit nga Kuvendi.

OVL-UÇK thekson se edhe në këtë listim të kategorive shoqërore, veteranët janë anashkaluar sërish, raporton Klankosova.tv.

“Kjo është dëshmi e qartë se diskriminimi ndaj atyre që sakrifikuan më së shumti për lirinë e Kosovës po vazhdon. Në vend që të përmirësohet trajtimi i dinjitetshëm për veteranët, Qeveria në largim po tenton t’i harrojë ata plotësisht, madje edhe në momentet e fundit të mandatit.

OVL UÇK kërkon që çdo qeveri e ardhshme të kthejë atë që na takon me ligj, përfshirjen e pensioneve të veteranëve në rritjen e pagës minimale, të drejtë që u mohua padrejtësisht nga qeveria Kurti me ndihmën e Listës Serbe”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

 

LDK dhe PDK arrijnë koalicion para balotazhit edhe në këtë komunë

Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit Arbër Ismajli ka bërë të ditur, se sot kanë arritur një marrëveshje politike për bashkëpunim me kryetarin e degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashitin.

Ismajli përmes një postimi në Facebook, theksoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një qeverisjeje që bashkon.

“Falënderim të veçantë për z. Lutfi Haziri, kryetar i degës së LDK-së në Gjilan, dhe z. Riad Rashiti, kryetar i degës së PDK-së në Gjilan, për gatishmërinë, vizionin dhe frymën e bashkëpunimit që po e ndërtojmë bashkë për të mirën e qytetit tonë. Gjilani i ri meriton stabilitet, zhvillim dhe udhëheqje që bashkon. Dhe këtë do ta bëjmë bashkë me besim në Zot, me përgjegjësi dhe përkushtim ndaj qytetarëve tanë”, shkroi Ismajli.

Arbër Ismajli në rundin e dytë do të përballet me Albanin Hysenin e VV-së.