Çështja e presidentit, Peci: E kam një besim se nuk shkojmë në zgjedhje

Çështja e zgjedhjes së Presidentit u shtrua sot si diskutim me bashkëkryetarin e partisë Guxo, Faton Peci, u shpreh i bindur se nuk do të shkohet sërish në zgjedhje.

Sipas tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të ketë sërish qasje që mund të gjendet një zgjidhje.

“Kësaj here e kam njëfarë besimi që nuk shkojmë në zgjedhje. Cili do të jetë potencialisht koalicioni? Unë jam ithtar që me gjetë një emër konsensual. Nuk e kam diskutuar as me kryeministrin, as me Donikën, as me Mimozën dhe as me akterët e rëndësishëm brenda Vetëvendosjes. Por, unë jam i bindur që kryeministri ka me pasë një qasje gjeneroze që me ju thënë sillni emrat”, u shpreh Peci në Klan Kosova. 

“Kryeministri e ka thënë disa herë se nuk duam t’i kemi president, kryeministër, kryetar të Kuvendit. Na mundësoni mos me pasë njërën nga këto pozitat kryesore”, shtoi ai.

Ndarja e mandateve, Cakolli tregon sa ulëse mund t’i sigurojë VV-ja

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka shkruar lidhur me ndarjen e mandateve mes partive, teksa procesi i numërimit të votave me postë po shkon drejt fundit.

Cakolli ka thënë se sipas trendeve aktuale dhe me numërimin e disa mijërave votave shtesë, Vetëvendosja do të kalojë në 53 mandate, shkruan Reporteri.net.

“Me shumë gjasë ky do të jetë edhe numri përfundimtar i ulëseve për këtë subjekt politik”, ka shkruar Cakolli.

Sipas tij, ajo që mbetet ende e diskutueshme është se kujt do t’i merret ky mandat.

Cakolli thotë se gjasat janë që në momentin e parë kur numri i mandateve të ndryshojë, LDK-ja të jetë partia që fillimisht e humb mandatin e 19-të.

“Megjithatë, deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave me postë, bazuar në trendin e përgjithshëm dhe përqindjet sipas komunave, pak më shumë gjasa ka që në fund PDK-ja ta humbë mandatin e 22-të”, ka shkruar Cakolli.

“Pra, gara mes PDK-së dhe LDK-së për mandatin e fundit mbetet tepër e ngushtë. Dallimi në koeficientë mes tyre mund të përkthehet praktikisht në më pak se 100 vota në fund të procesit”.

Ai thotë se mandate i fundit do të mund të përcaktohet edhe nga votat me kusht.

“…të cilat zakonisht ndjekin më shumë trendin e votimit brenda Kosovës – dhe kjo potencialisht mund ta favorizojë fare lehtë PDK-në”.

Në anën tjetër, AAK thotë se pritet përfundimisht të mbetet në 7 ulëse.

“Me dinamikën e shtuar të punës në QNR, numërimi i votave me postë do të përmbyllet më së largu nesër paraditë, derisa votat me kusht deri nesër në mesnatë. Pastaj, në varësi të përqindjes së vendvotimeve (deri në 10% maksimum) që do të rinumërohen me vendim të KQZ-së, i tërë procesi i numërimit do të duhej të përmbyllej në fund të kësaj jave”, thuhet në postim./Reporteri.net

Shpërthim i fuqishëm në Prizren, cak shtëpia e avokatit

Prizreni është zgjuar nën jehonën e një shpërthimi që ka tronditur një nga lagjet e qytetit.

Burimet ekskluzive të Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se pas mesnatës, persona ende të paidentifikuar kanë hedhur një mjet shpërthyes në drejtim të shtëpisë së avokatit  prizrenas, Betim Kadolli, duke shkaktuar panik dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Shpërthimi, sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ka qenë aq i fuqishëm sa ka dëmtuar veturat e parkuara në oborr dhe një pjesë të objektit banesor, ndërsa familjarët janë përballur me momente tmerri në mes të natës.

Për fat, nga të dhënat e para nuk raportohet për persona të lënduar, megjithëse pasojat mund të kishin qenë shumë më tragjike.

Menjëherë pas rastit, njësitë policore dhe ekipet e specializuara kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë nisur ekzaminimet dhe grumbullimin e provave për të zbuluar autorët dhe motivet e këtij sulmi të rëndë.

A ishte ky një akt intimidimi? Një mesazh i drejtpërdrejtë? Apo qëndrojnë motive të tjera pas sulmit ndaj avokatit prizrenas? Këto janë pyetjet që tashmë presin përgjigje nga organet e hetuesisë.

Sulmi me bombë ndaj shtëpisë së një avokati përbën një zhvillim alarmues, jo vetëm për sigurinë e tij dhe të familjes, por edhe për klimën e sigurisë dhe ushtrimin e pavarur të profesionit të avokatit në vend.

Sinjali mëson se hetimet janë në fazën fillestare dhe pritet që gjatë orëve në vijim të ketë më shumë detaje nga autoritetet kompetente.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

Vetëvendosje rrit diferencën teksa numërimi i votave me postë po shkon drejt fundit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se janë numëruar 78,03% e votave me postë, për zgjedhjet e së dielës të 7 qershorit.

Në përditësimin e fundit të bërë nga KQZ, në orën 16:50, del që deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka 46.50% ose, 364,149 Vota, dhe se kjo parti vazhdon të ruaj 52 ulëse në Kuvend.

Partia Demokratike e Kosovës, ka 22 ulëse aktualisht, me 19,71%, pse 154,341 Vota.

E treta me 19 ulëse në kuvend, është Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.89% ose, 132,260 Vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, radhitet e katërta, e cila aktualisht ka 7 ulëse në kuvend, me 6.80% ose, 53,280 Vota.

Ndërkaq, duke marrë parasysh vetëm votat me postë, LVV’ja ka 72.37% ose, 45,714 Vota; LDK ka 12.65% ose 7,990 Vota; PDK ka 8.14% ose, 5,139 Vota; AAK ka 4.44% ose, 2,805 Vota.

Ndryshe, pa numëruar janë edhe votat me kusht dhe ato nga personat me nevoja të veçanta.

Arrestohet personi i shumëkërkuar

Si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm operacional dhe hetimor të zyrtarëve policorë të Sektorit të Hetimeve në kuadër të Stacionit Policor në Gjakovë, më datë 14.06.2026 është arritur të identifikohet dhe të arrestohet një person i dyshuar për përfshirje në disa raste të veprave penale kundër pasurisë.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se i arrestuari është Benjamin Kuqi, i përfshirë në pesë (5) raste të veprës penale “Vjedhje e rëndë” dhe dy (2) raste të veprës penale “Vjedhje”.

Hetimet e zhvilluara kanë rezultuar me sigurimin e provave që e lidhin të dyshuarin me rastet e raportuara, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me thyerje dhe depërtim me forcë në lokale afariste në lokacione të ndryshme të qytetit të Gjakovës, ku objekt i vjedhjes kanë qenë kryesisht paratë e gatshme.

Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, në ballafaqim me provat e siguruara, i njëjti ka pranuar përgjegjësinë për disa nga veprat penale. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar në mbajtje për 48 orë

Ky është linku ku mund të ankoheni ju që nuk i keni marrë 100 eurot e Qeverisë

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se ka afat 30 ditë për të bërë ankesa nga ata që iu është refuzuar aplikimi për 100 eurot e lëshuara për punonjësit të sektorit jo-publik.

“Qytetarët të cilëve u është refuzuar aplikimi për mbështetje nga Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0, kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë. Ankesa mund t’i drejtohet Komisionit të Ankesave në Ministrinë e Financave, brenda 30 ditëve nga data e pranimit të vendimit”.

Formulari për ankesë mund të plotësohet përmes platformës për parashtrimin e ankesave.

Në këtë LINK mund të paraqisni ankesën.

Njoftim i rëndësishëm nga Trusti

Qytetarët e Kosovës kanë tërhequr rreth 744 milionë euro nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) gjatë periudhës 2015-2025, përmes pensionimit dhe skemës së tërheqjes së parakohshme të 10-përqindëshit të kursimeve gjatë pandemisë COVID-19.

Sipas të dhënave të publikuara nga Trusti, nga viti 2015 deri në vitin 2025 janë tërhequr rreth 546 milionë euro nga 72.745 përfitues që kanë dalë në pension.

Vlera më e lartë e tërheqjeve për pensionim është regjistruar në vitin 2020, kur janë tërhequr 235 milionë euro. Kjo shifër lidhet me zbatimin e masës së tërheqjes së 10-përqindëshit të kursimeve pensionale, e miratuar në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë.

Vetëm gjatë periudhës nga 11 dhjetori 2020 deri më 6 prill 2021, qytetarët kanë tërhequr edhe 198.1 milionë euro, ndërsa nga kjo masë kanë përfituar 427.363 persona, transmeton Zeri.info.

Sipas statistikave, numri i përfituesve të pensionit është rritur vazhdimisht ndër vite, duke arritur në 8.633 persona gjatë vitit 2025, që paraqet shifrën më të lartë në periudhën e analizuar.

Të dhënat tregojnë se pas vitit 2020, tërheqjet vjetore për pensionim kanë mbetur në nivele të larta, me 71.6 milionë euro tërheqje në vitin 2023, 69.7 milionë euro në vitin 2024 dhe 82.9 milionë euro në vitin 2025.

Në total, duke përfshirë pensionimet dhe tërheqjen e jashtëzakonshme të 10-përqindëshit gjatë pandemisë, nga Trusti janë tërhequr rreth 744 milionë euro në dhjetë vjetët e fundit. /Zëri

Image
Burrë e grua ndeshen mes vete derisa ishin duke ecur në këmbë, në vendngjarje intervenon autoambulanca

Kjo ndodh vetëm në Mitrovicë: Burrë e grua ndeshen mes vete derisa ishin duke ecur në këmbë, në vendngjarje intervenon autoambulanca

*

Një rast i pazakontë ka ndodhur në rrugën “Lekë Dukagjini” në Mitrovicë, ku një burrë dhe një grua janë ndeshuer mes vete në këmbë derisa ishin duke ecur.

Si pasojë e incidentit jo të qëllimshëm, gruaja ka pësuar lëndime dhe është ndier keq, çka ka bërë që në vendngjarje të thirret autoambulanca për t’i ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore.

“Jepi zë” ka siguruar pamje nga momenti kur ekipi i emergjencës ka mbërritur në vendin e ngjarjes.

A do të jetë pjesë e Qeverisë? Flet Veton Berisha

Kreu i Partisë Liberale Egjiptiane të Kosovës, Veton Berisha nuk ka dhënë një përgjigje të prerë nëse partia e tij do ta mbështesë krijimin e një qeverie të udhëhequr nga Albin Kurti.

I pyetur nga Indeksonline nëse Berisha ka votë pro Kurtit, ai fillimisht ka thënë së duhet të përmbyllet rezultati zgjedhor.

‘’Jam duke i pritur rezultatet finale, pas rezultateve finale mund të flasim’’, ka thënë fillimisht Berisha për Indeksonline.

Më tutje Berisha thotë se ka qenë gjithmonë pro formimit të institucioneve.

‘’Unë gjithmonë kam qenë pro formimit të institucioneve. Unë edhe për president kam ofruar një mundësi që të bëhet një zgjidhje”, deklaroi Berisha më tutje për Indeksonline.

Në zgjedhjet e 7 qershorit Berisha arriti të siguronte 1041 vota ndërsa Partia Liberale Egjiptiane e Kosovës në nivel vendi siguroi 1,981 Vota.

Gruaja rrahet nga burri dhe nëna e tij në Prishtinë

Një grua në Prishtinë është sulmuar nga nëna dhe bashkëshorti i saj.

Sipas policisë, të gjitha palët e përfshira janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim lidhur me rastin, transmeton Klankosova.tv .

Prishtinë, 15.06.2026 – 11:30. Është raportuar se viktima femër kosovare, ishte sulmuar nga nëna dhe bashkëshorti i saj. Palët janë sjellë në stacion dhe pas intervistimit, në konsultim me prokurorin, rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.