Kandidati i GUXO-s për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, që është në koalicion me VV-në e Alternativën, është munduar sonte të distancohet nga prezenca e profesorit Ahmet Musa në tubimin e tij.
Faton Peci është munduar ta paraqes si sporadike prezencën e tij në këtë tubim, ndërkohë që ka akuzuar mediat për nxitje.
Mirëpo, duket se afërsia e njeriut që planifikon ta ndërtojë kishën në Bajgorë me njerëz të koalicionit GUXO-VV-Alternativa, nuk është thjesht sporadike.
Ai shihet në një takim me tash kandidatin për asamble nga VV-ja, Gazmend Muja.
Takimi ka ndodhur në një ambient të mbyllur dhe ka zgjatur mjaft shumë dhe nuk dihet saktë as tema e diskutimit.
Ajo që dihet është se Ahmet Musa ka minuar disa herë tolerancën fetare në Mitrovicë, e Gazmend Muja ka shfaqur mosdurim ndaj një proteste me flamurin e Palestinës.
Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut u është vazhduar paraburgimi nga Gjykata Speciale në Hagë. Vendimi është marrë më 3 tetor nga një gjykatës i procedurës paraprake, mirëpo është riklasifikuar si publik tek sot.
Gjykatësja Marjorie Masselot vlerësoi në vendimin e saj se ekziston dyshimi i bazuar se Thaçi dhe të tjerët kanë kryer veprat penale të shkeljes së fshehtësisë zyrtare dhe pengimit të drejtësisë. Gjithashtu, si argument për vazhdimin e mbajtjes prapa grilave, u përdor edhe e ashtuquajtura “klima intimiduese kundër dëshmitarëve” në Kosovë.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Hajredin Kuçi, Fadil Fazliu e Isni Kilaj po përballen me akuzat për ndërhyrje dhe pengim të drejtësisë në Hagë. Çështja ndaj tyre është ende në fazën paraprake.
Kërkesë për bashkëpunim– identifikim i personit të dyshuar
Njësiti i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografi.
E dyshuara kërkohet për përfshirje në veprën “Shpërdorim i pasurisë së huaj”.
Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e saj, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: info@kosovopolice.com.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka reaguar Uran Ismailit në debatin për Prishtinën.
Rama tha se Uran Ismaili për katër vjet ka pirë kafe, përderisa në komunë është punuar.
“Po më thu mu që po tregoj të pavërteta, derisa të vërtetat del i sheh në terren. Edhe shkolla në Sofali po ndërtohet, edhe në Kodrina po ndërtohet, edhe në Kalabri. Mos trego të pavërteta, se kush po të jep lajme në telefon po tregon të pavërteta, i sheh fotografitë në Prishtina Work. Ti pi kafe, e pin kafe që 4 vjet, ne kemi punu, kemi kry punë të mëdhaja në Kodër të Trimave e Kolovicë. Përderisa shitesh që ta nin për Prishtinën, rrin tu pi kafe katër vjet, ne kemi punu”, tha Rama në Klan Kosova.
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi zyrtarisht kandidaturën e Florjan Binajt për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, duke e cilësuar atë si përfaqësuesin ideal të opozitës për kryeqytetin.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha e prezantoi Binajn si një “artist, qytetar dhe personalitet publik që gjithmonë ka mbrojtur kauzat e njerëzve të thjeshtë”.
Ai theksoi se kandidatura e tij përfaqëson një model ndryshe për politikën, duke i bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithë faktorëve opozitarë të bashkohen rreth kësaj figure.
“Ftoj të gjithë aleatët, opozitarët dhe qytetarët e Tiranës ta mbështesin këtë kandidaturë, sepse është një kandidaturë që i bën nder çdo qytetari dhe kryeqytetit të vendit”, tha ai.
Por menjëherë pas publikimit të lajmit, rrjetet sociale shpërthyen me reagime, dhe një ndër më të spikaturit ishte ai i këngëtarit Luiz Ejlli.
I njohur për humorin dhe mënyrën ironike me të cilën komenton ngjarjet aktuale, Luizi publikoi në Instastory një video ku dëgjonte me vëmendje fjalimin e Berishës.
Në fund të videos, ai ndërhyn me një batutë teksa shtoi: “Ua, kishe tha emrin tim, për Zotin”.
25 të moshuar pa mundësi përkujdesjeje nga familja, po jetojnë në shtëpinë e të moshuarve “Zaim Bajrami” në Skenderaj.
Jeta e tyre po vazhdonte nën përkujdesje të stafit, mirëpo gjithçka u bë më e vështirë për ta kur hasën në një problem. Të moshuarit në këtë shtëpi po detyrohen të ngjisin e zbresin shkallët në këmbë për shkak se ashensori i kësaj shtëpie ka më shumë se një vit që është jashtë funksionit.
Dalja nga dhoma i është bërë pothuajse e pamundur, 75-vjeçares, Xhemile Mejhanit e cila lëviz me karrocë. Teksa mërzia po e shoqëron në çdo ditë të jetës së saj, 75-vjeçarja thotë se i kujton ditët kur ashensori punonte e edhe shëndeti i saj ishte më i mirë e dilte të shëtiste.
Me lot në sy, ajo kujton ditët e para kur erdhi në këtë objekt për të jetuar.
Ashensori atë kohë ia kishte lehtësuar jetën, lëvizjen e ambientimin me shokët e shoqet. E hallin, Xhemilja po ua qan edhe shoqeve të saj, duke thënë se po kanë dhimbje të këmbëve e se ashensori do ua zgjidhte këtë hall.
Dhimbja e këmbëve ia nxjerrë gjumin çdo ditë Ilfije Maqastenës.
Ajo thotë se kjo dhimbje po ia pamundëson lëvizjen si duhet nëpër objekt ku po jeton tash e dy vjet. E mungesa e ashensorit, po ia pamundëson edhe ushqyerjen siç duhet.
Për KIKS Kosovën, 95-vjeçarja thotë se drekën nuk po e ha fare sepse po e ka shumë të vështirë që të zbresë nga shkallët 3 herë në ditë. E gjendur në vështirësi për të zbritur shkallët, 95-vjeçarja ka gjetur një zgjidhje.
Për KIKS Kosovën, ajo rrëfeu se gjatë ditës gjen ndonjë shoqe që është më e fortë me shëndet e kapet për krahësh me të. Në një rrëfim për KIKS Kosovë, ajo duke ua qarë hallin edhe bashkëjetuesve të saj tregon se nevoja për rregullimin e ashensorit është shumë e madhe.
E lutja e saj e vetme për dy vitet e fundit, është që ajo e shoqet e saj të lëvizin me ashensor sa herë të duan.
Ashensori në Shtëpinë e të Moshuarve në Skenderaj ka afër dy vite që është jashtë funksionit dhe banorëve me shëndet më të ligë, ushqimi u dërgohet edhe nëpër dhoma për shkak të pamundësisë së lëvizjes.
Katër plumba janë lëshuar drejt gjyqtarit Astrit Kalaja, menjëherë pasi ai dha vendimin për një çështje pronësie, që ishte kundër familjes së autorit Elvis Shkambi.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha bën me dije se autori 30-vjeçar e ka qëlluar me katër plumba brenda sallës sapo ka dhënë vendimin, ndërsa tre prej e kanë kapur gjyqtarin në gjoks.
Në momentin e të shtënave gjyqtari ka qenë vetëm, jo i shoqëruar nga trupa e gjykatësve të tjerë të Apelit.
Autori ka plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e bir, të cilët ishin pala tjetër në procesin gjyqësor.