AUV bllokon formulën e ushqimit për fëmijë që shitej në “Rossmann” në Kosovë, përmban toksinë të rrezikshme
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka bllokuar 462 copë të një formule ushqimore për fëmijë me origjinë nga Holanda, pasi është konstatuar pranë substancës Cereulide.
Produkti ishte importuar nga subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” për kompaninë “Rossmann Kosova”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Bllokimi është bërë në bashkëpunim me kompaninë, dhe së shpejti do të nisë procesi i asgjësimit sipas ligjit.
AUV thekson se, edhe pse përballet me mungesë inspektorësh, vazhdon të monitorojë tregun për të siguruar që konsumatorët të kenë ushqim të sigurt dhe të shëndetshëm
Njoftimi i plotë:
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njofton opinionin publik se, bazuar në njoftimin e pranuar nga Republika e Shqipërisë, përkatësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili është informuar përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), me nr. 810066, referencë 2025.9963, lidhur me praninë e substancës Cereulide në formulën e ushqimit për fëmijë me origjinë nga Holanda, është konstatuar se subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar 462 copë të këtij produkti në Republikën e Kosovës për kompaninë “Rossmann Kosova”.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se, në bashkëpunim me kompaninë, është bërë bllokimi i këtij produkti dhe se së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Edhe pse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë po përballet me mungesë të inspektorëve, ajo mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, me qëllim të garantimit që konsumatorët në Republikën e Kosovës të kenë në dispozicion ushqim të sigurt dhe të shëndetshëm.
