21.8 C
Pristina
E diel, 13 Korrik, 2025

“Babai m’ka mbyllë në shpajz, më ka rrahur me kabllo”, “Tezja jem u kanë gruaja e parë e babës së Liridonës” – Instituti i Forenzikës nxjerr raportin për gjendjen psikologjike

Me urdhër të Gjykatës, Instituti i Forenzikës Psikiatrike ka kryer një ekzaminim të detajuar psikiatrik ndaj të pandehurit Naim Murseli. Në vijim mund të gjeni se çfarë ka deklaruar ai dhe çfarë konstatuan ekspertet ne lidhje me gjendjen e tij psikike.

Sipas raportit të siguruar nga Insajderi, vetë Murseli ka deklaruar se ka pasur një fëmijëri të vështirë, duke pretenduar se ka qenë viktimë e dhunës fizike nga babai i tij. Ai ka thënë se është mbyllur disa herë në shpajz dhe se babai e ka rrahur me kabëll elektrik. Si djali i parë në familje, sipas pretendimeve të tij, ai nuk ka pasur trajtim të veçantë, përkundrazi është ndjerë i privuar. Ai ka përmendur gjithashtu se motra e madhe ishte larguar nga shtëpia në moshën 15-vjeçare dhe kishte qëndruar në një strehimore sociale, për t’u martuar më vonë me një shtetas suedez.

Gjithashtu, ai ka pohuar se gjatë fëmijërisë ka pasur një operim në zemër.

Në lidhje me ish-bashkëshorten e tij, Liridonën, Murseli ka deklaruar se e kishte takuar rreth moshës 19-vjeçare në një dasmë familjare. Ai pretendon se kishte pasur presion nga familja për t’u martuar me një shqiptare, por lidhja me Liridonën ishte kundërshtuar pasi, sipas tij, tezja e Naimit kishte qenë gruaja e parë e babait të Liridonës.

Murseli ka thënë se fejesa e tyre ndodhi në vitin 2010 përmes ndërmjetësimit të dajës së tij dhe zgjati deri në korrik të vitit 2011. Ai ka pretenduar se marrëdhëniet me Liridonën kanë qenë të mira dhe se, gjatë katër viteve të bashkëjetesës në Suedi me familjen e tij. Po ashtu ai ka deklaruar se kishte ndihmuar në rritjen e fëmijëve.

I akuzuari për organizimin e vrasjes së bashkëshortës ka deklaruar se në vitin 2021 ka hapur një kompani pastrimi për të inkuadruar ish-bashkëshorten, pra Liridonën në punë. Po atë vit, sipas tij, hapi edhe një kafiteri me një mik, të cilit më vonë ia ka shitur aksionet për shumën prej 100 mijë eurosh.

Sipas raportit të ekspertizës, psikiatrit kanë konstatuar se Naim Murseli nuk vuan nga asnjë çrregullim mendor, i përhershëm apo i përkohshëm. Ai nuk ka shfaqur as shenja të prapambetjes mendore, as abuzim me substanca psikoaktive apo alkool. Gjithashtu, në kohën e kryerjes së veprës penale për të cilën akuzohet, nuk janë identifikuar shenja të ndonjë gjendjeje patologjike që do të ndikonte në aftësinë e tij për të kuptuar apo kontrolluar veprimet.

Ekspertiza përfundon se Murseli është plotësisht i përgjegjshëm për veprimet e tij dhe në gjendje të përballet me procesin gjyqësor. Ai e kupton natyrën e akuzës dhe është i aftë të mbrohet vetë ose përmes avokatëve të tij.

Murseli para katër javësh ishte dërguar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike për ekzaminim psikiatrik.

Kërkesën për ekzaminim psikiatrik, mbrojtja e Murselit e kishte justifikuar duke thënë se klienti ka shpërfaqur gjendje psikiatrike të paqëndrueshme.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, por edhe në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor, Murseli është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij.

Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se e ka organizuar vrasjen e Liridonës për motive hakmarrjeje dhe për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Sipas prokurorisë, vrasjen ai e ka planifikuar së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve ua ka premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit.

Liridona Ademaj është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht ishte raportuar se bëhet fjalë për një grabitje, e më pas  Prokuroria bëri të ditur se është inskenim i një grabitjeje.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here