Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mefail Bajqinovci, ka ngritur shqetësime të mëdha lidhur me një kërcënim të mundshëm të sigurisë në Kosovë, duke deklaruar se rreth 600 deri në 800 ushtarë serbë profesionistë po stërviten në Serbi dhe janë të gatshëm për një vendim për të hyrë në territorin e Kosovës. Gjatë një interviste në emisionin “DPT te Fidani”, Bajqinovci vuri në dukje rrezikun e përsëritjes së një sulmi të ngjashëm me atë që ndodhi së fundmi në Banjskë, duke theksuar se ky zhvillim duhet të merret me shumë seriozitet.
“Kosova është përgatitur përballë një sulmi të tillë,” theksoi ai, duke nënvizuar se institucionet vendore po i kushtojnë rëndësi maksimale këtij kërcënimi. Sipas tij, ushtarët serbë po stërviten në bazat ushtarake në Kopaonik, ku numërohen më shumë se 40 baza të vendosura, dhe ata janë në pritje për të realizuar një plan për aneksimin e veriut të Kosovës.
Bajqinovci paralajmëroi se ndërhyrja e forcave serbe mund të shkaktojë destabilizim, por shtoi se Kosova dhe partnerët ndërkombëtarë janë të përgatitur për ta përballuar këtë kërcënim.