Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur ministrit Murati për shifrat që dha Kurti sot për punësimin.
Bajrami tha se e vërteta e vetme është se vende punë të qëndrueshme që për 12 muaj kanë paguar kontribur në Trust janë: në vitin 2020 10,179, në vitin 2021 16,877, në vitin 2022 15,833 dhe në vitin 2023 12,551.
Sipas Bajramit këto janë të dhënat e sakta dhe të tjerat janë mashtrime.
Ajo ia ka shtruar pyetjet që në një postim tjetër ia shtroi kryeministrit Kurti:
“E nëse bash je i sigurt minister në atë se çka po thu pse s’po përgjigjesh në pyetjet që ja parashtrova Kryeministrit?
Qysh krijohen vende shumë pune kur rritjen ekonomike e keni vetëm 4.3% (20222); 3.3% (2023) dhe pret me pasë rritje max 3.9 (2024)?
Qysh ka mundësi me lulëzu punësimi kur eksporti në vitin 2023 ka qënë vetëm 819 milionë euro ndërsa importi ka qënë 5.7 milardë euro, dmth. deficit tregtar 4 miliardë e 947 milionë euro?
Qysh po u krijojkan vende punë kur investimet kapitale gjatë mandatit janë vetëm 11% buxhetit dhe investimet private i ke në rënie?
Sa qytetarë kanë ikë nga Kosova nga viti 2021?”
Bajrami ka thënë se tabela që e ka përdorur Murati e demanton vetë atë.
“Përndryshe tabela që ke përdorë po të demanton ty sepse po thotë se i ke 853 mijë llogari aktive, andaj sipas interpretimit tënd po i bie që në Kosovë janë 853 mijë të punësuar, por une, ti edhe secili qytetar e dimë që 853 mijë të punësuar në vend nuk i kemi.”
Bajrami ka shtuar se llogari të reja mund të ketë por këtu hyjnë edhe ata që kanë paguar kontribut vetëm një herë gjatë këtij viti.
“Për sqarim: llogari të reja mund të ketë, por këtu hyjnë edhe ata që kanë paguar kontribut vetëm njëherë gjatë këtij viti ose atyre që me skema Hekurani jau paguan 260 euro për 6 muaj edhe kur nuk shkojnë fare në punë, POR të punësuar të vërtetë brenda një viti janë ata që paguajnë Trust rregullisht, sipas të dhënave me lart.”
Ajo i ka thënë Muratit “mjaft manipulove ministër”.