Pas paralajmërimit të një kompanie tregtare në Slloveni, e cila kërkoi tërheqjen e specave shqiptare nga tregu, çështja ka marrë përmasa më të gjera, pasi Agjencia e BE-së për Sigurinë Ushqimore (RASFF) e ka cilësuar situatën serioze.
Sipas njoftimit zyrtar, në analizat laboratorike të kryera mbi ngarkesat e specave të prodhuara në Shqipëri janë konstatuar tre substanca pesticidesh: Formetanate, Acetamiprid dhe Flonicamid.
Të tre këto kimikate janë të ndaluara mbi nivelet e lejuara për konsum njerëzor dhe përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik.
RASFF ka njoftuar menjëherë autoritetet shqiptare si vend i origjinës, ndërsa në listën e vendeve ku ishte planifikuar eksporti janë përfshirë Austria, Kroacia dhe Sllovenia. Ishte pikërisht Sllovenia që ngriti e para alarmin dhe urdhëroi tërheqjen e produkteve nga qarkullimi
Çfarë ndodhi?
Pas rasteve të domateve dhe pjeshkëve shqiptare të bllokuara në Kroaci, një tjetër ngarkesë me produkte bujqësore nga Shqipëria u refuzuar në tregjet evropiane. Autoritetet sllovene kanë urdhëruar tërheqjen nga qarkullimi të një sasie specash të kuq të importuar nga vendi ynë, për shkak të nivelit të lartë të pesticideve.
Kompania tregtare “Geaprodukt”, e cila merret me shpërndarjen e fruta-perimeve në Slloveni, ka njoftuar se specat e kuq të ardhur nga Shqipëria, të shitur në periudhën 24 gusht – 4 shtator 2025, përmbanin substanca të ndaluara mbi normat e lejuara. Nga analizat laboratorike, janë gjetur acetemiprid, formetanate dhe flonicamid, pesticide që konsiderohen të rrezikshme për shëndetin publik.
Në njoftimin zyrtar, kompania u ka kërkuar konsumatorëve që kanë blerë produktin ta kthejnë në dyqanet ku e kanë marrë ose ta hedhin në mbeturina, duke e konsideruar të pasigurt për konsum. Specat e ndaluar ishin të paketuar në kuti kartoni dhe më pas në qese plastike.
Ky është rasti i tretë brenda pak javësh kur produktet shqiptare refuzohen nga tregjet e Bashkimit Evropian, duke ngritur sërish alarmin për mungesën e kontrolleve të rrepta mbi standardet e sigurisë ushqimore në vend./AP