Behrami: PDK më e bashkuar se kurrë, synojmë qeverinë me LDK’në e AAK’në
Artan Behrami nga Partia Demokratike e Kosovës deklaroi se PDK-ja është më e bashkuar dhe më e mobilizuar se kurrë për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sipas tij, subjekti politik ku ai bën pjesë po hyn në këtë proces me vendosmëri të plotë.
Sa i përket çështjes së formimit të qeverisë pas zgjedhjeve, Behrami tha se preferencat e tyre janë të qarta, koalicioni synohet me partitë që kanë “hise në çlirim, në liri, pavarësi dhe shtetndërtimn e Kosovës”, megjithëse theksoi se PDK nuk ka vija të kuqe.
“Pra ne synojmë që së bashku me LDK-në, AAK-në dhe partitë e tjera shqiptare dhe të komunitetit jo serb ta krijojmë qeverinë e ardhshme pas 28 dhjetorit”, tha ai.
Duke komentuar vendimin e PZAP-së që kundërshton hapjen e votimeve jashtë qendrave, Behrami përmendi rastin e Mitrovicës si shembull, siç thotë ai, të keqpërdorimit të mekanizmave shtetëror nga Vetëvendosje.
“Prandaj frika , pasiguria, mosbesimi është shumë shumë i thellë që edhe në këto zgjedhje nacionale Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti do të mundohen që të gjejnë mekanizma për të keqpërdor shtetin, për të keqpërdorur mekanizmat e shtetit të Republikës së Kosovës për të fabrikuar një fitore të mundshme. Prandaj për gjithë qytetarët e Kosovës, aktivistët e partive politike që të jenë shumë të vëmendshëm dhe të adresojnë çdo shqetësim , çdo parregullsi që mund të ndodh prej tani deri në përfundim dhe deri të numërimi i fundit i votës së fundit nga këto zgjedhje”, u shpreh ai.
Lidhur me postin e presidentit, Behrami për RTV21 tha se kjo do të varet plotësisht nga rezultati final i votimeve të 28 dhjetorit.
“Sepse rezultatit do të definoj të gjitha matematikat edhe të koalicioneve edhe të posteve të presidentit e kështu më radhë, por ne besojmë dhe jemi shpresë plot se PDK kësaj radhe do të jetë partia e parë dhe do të jetë parti fituese e cila do të dominojë skenën dhe do të dominojë matematikat e koalicioneve që mund të dalin nga zgjedhjet e 28 dhjetorit”./gazetametro.net
