Isuf Hasani, apo siç njihet nga banorët e Ferizajt si “Cufa”, e i cili është me aftësi të kufizuara, është sulmuar brutalisht para dy ditësh në sheshin e këtij qyteti. Sulmuesi i tij dyshohet se është një i mitur.
Agon Zhinipotokun, i cili tash e gjashtë vite kujdeset për të dhe familjen e tij tha se Cufa është sulmuar edhe më herët, por se ky është rasti më i rëndë.
“I ka nja gjashtë vite që kujdesna për ta, për Cufën dhe nanën e tij që është e sëmurë prej kancerit. Jemi tash si pjesë e familjes. Ka ndodhë edhe raste tjera, por ky është më i rëndë. Ky është person me aftësi të përhershme të kufizume”, ka rrëfyer ai për Reporteri.net.
Gjatë intervistës, në stacionin e Policisë është futur i dyshuari për sulm, i cili e ka pranuar se e ka grushtuar Cufën, me arsyetimin se e ka ngacmuar.
Zhinitpotoku ka thënë se nga frika, Cufa i ka thënë se është rrëzuar në shtëpi. Ai e përshkruan Cufën si njeri të urtë, të dashur e që e duan të gjithë.
“Ka pas gjakderdhje prej hundës. Mavijosjet iu kanë bë tek sot. Prej frikës më ka thanë jam rrëzu. Është një person i rritur jetim. I kanë vdekë katër motra, tre vëllezër dhe babai. Njerëzit e dojnë shumë, e respektojnë e sillen mirë me të”, shtoi ai.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës. Ata kanë nisur procedurat për shikimin e kamerave të sigurisë, për të zbuluar rrethanat e rastit.
“Sot rreth orës 11:00, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë përmes rrjeteve sociale lidhur me një incident, ku dyshohet se është sulmuar fizikisht një person me aftësi të kufizuara, i njohur si “Cufa”. Menjëherë pas pranimit të informatës, hetuesit e stacionit policor në Ferizaj, janë angzhuar dhe kanë arritur të identifikojnë një person të dyshuar, i cili është ftuar në stacion për intervistim.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur dy ditë më parë në sheshin e qytetit. Me autorizim të prokurorit të shtetit, policia ka nisur procedurat për shqyrtimin e kamerave të sigurisë me qëllim të sqarimit të rrethanave të rastit”, kanë deklaruar nga Policia.