8.6 C
Pristina
E martë, 26 Nëntor, 2024

Deputetët opozitarë ‘protestojnë’ para RTK-së, kjo është arsyeja

Radio Televizioni i Kosovës nuk e ka transmetuar një pjesë të seancës së sotme të jashtëzakonshme që u thirr nga opozita e në të cilën nuk mori pjesë Lëvizja Vetëvendosje.

Për këtë kanë reaguar deputetët opozitarë, të cilën e ndërprenë seancën në Kuvend për të shkuar para objektit të RTK-së në shenjë proteste dhe mbajtën një konferencë për media.

Ata thanë se kjo është një tendencë e qartë për “të mbytur zërin e deputetit”.

Armend Zemaj nga LDK tha se ky reagim i tyre është thirrje për qytetarët e Kosovës, raporton Gazeta Express.

“Ne e kemi thënë me kohë që kapja e këtij institucioni e ka qëllimin devalvimin e vlerave në shoqëri dhe mbytjen e demokracisë. Sot është kulmi i pafytyrësisë edhe të asaj pak shprese që dikush mund të frymojë lirshëm në Kosovën e lirë dhe të pavarur dhe të kryejë detyrat dhe autorizimet ligjore. Seanca nuk u transmetua në kanalin zyrtar të RTK-së që nënkupton mbytje të zërit të deputetit, fshehje nga e vërteta, të cilat po ndodhin nga skandalet e shpërfaqura çdo ditë nga aferat korruptive. Ky reagim i joni është thirrje për qytetarët e Kosovës, punëtorët që janë pas nesh, thirrje edhe për atë pak moral që ka mundur të mbesë në sedrën e tyre”.

Ndërkaq, Besnik Tahiri nga AAK kërkoi përgjegjësi të atij që kanë dhënë urdhër për të mos e transmetuar një seancë e që është edhe obligim ligjor i mediumit publik.

“I themeluar nga Kuvendi i Republikës dhe ky institucion i jep llogari deputetëve të Kuvendit. Seancat parlamentare janë detyrë, obligim ligjor e kushtetues, të cilët duhet t’i përmbushë ky institucion mesazhet e përfaqësuesve të popullit. Në një seancë që po trajtohet një super-skandal i kësaj qeverie për fjalimin e kryeministrit që ishte në një konferencë tregon shumë saktë, drejt e shpërfytyron regjimin e Kurtit se duan ta ndalin fjalën, debatin, argumentin dhe të mashtrojnë popullin e të fshehin”.

“Kush e ka dhënë këtë vendim me e ndalë transmetimin e diskutimit në Kuvend. Urdhëruesi që po na ngon në televizor e të tregojë pse e ka ndalë. Nuk ka emër tjetër përveçse tendencë me e mbyt fjalën e lirë”.

RTK gjatë kohës sa po mbahej seanca në Kuvend ka transmetuar konferencën mbi dhunën seksuale në konflikt që u oranizua nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Në këtë konferencë morën pjesë presidentja Vjosa Osmani e kryeminsitri Albin Kurti.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here