Kryetari i zgjedhur i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar lidhur me situatën aktuale politike në vend, duke thënë se përderisa Kosova ka prijës që i frikësohet hijes së vet, ajo ecën mbrapa.
Me këtë, ai la të kuptohet se e kishte fjalën për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili të dielën që shkoi nuk arriti ta formojë “Qeverinë Kurti 3”, pasi nuk i kishte numrat e nevojshëm.
Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se ata që do të duhej t’i prinin Kosovës, po i pengon historia dhe narracioni i armiqve të shtetit, të tjerët që kanë dëshmuar liderizëm, nuk po e marrin besimin, nga narracioni i ngjashëm.
Sipas tij, lider është personaliteti i cili nuk ia ka frikën aksioneve të para të armatosura, vendimit për fillimin e luftës çlirimtare, nuk i frikësohet çarmatosjes së Ushtrisë që i priu, nuk i frikësohet shpalljes së pavarësisë, themelimit të ushtrisë, nuk ia ka frikën integrimit të 7 a 8% të minoriteteve në institucionet e shtetit, nuk ia ka frikën emërimit të ministrave nga radhët e pakicave në qeverinë e shumicës, nuk ia ka frikën armiqve që i mundi me luftë dhe me diplomaci, nuk frikësohet të përkulet para varrezave të viktimave të kombësive tjera.
“A ka sot Kosova lider? Nga klima politike, shihet se kemi kryetarë të subjekteve politike, kryetarë të shoqatave, organizatave dhe asociacioneve të ndryshme, por, Kosovës i mungon lideri që e kthen motin e mirë me diell kur i duhet Kosovës, e sjell shiun kur i duhet tokës së Kosovës dhe sjell borën, kur i duhet grurit të Kosovës”, thotë Lladrovci në postim.




