Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas ndërprerjes së numërimit të votave në Mitrovicë të Jugut, duke sqaruar se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve është vërejtur një gabim teknik gjatë shtypjes së njërit prej elementeve të fletëvotimit – konkretisht në kodin e vendvotimit.
Në komunikatën për media, KQZ ka bërë të ditur se kjo çështje është konstatuar pas informacioneve të pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut.
Sipas njoftimit, KQZ ka komunikuar me kompaninë përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, e cila ka pranuar mundësinë që gabimi të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabile. Kompania ka konfirmuar se në ditët në vijim do të përgatisë një sqarim zyrtar lidhur me këtë rast.
“Është me rëndësi të theksohet se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të shtypura është evidentuar saktë. Për më tepër, për secilin vendvotim, fletëvotimet e shtypura kanë numra serikë të shënuar në pjesët amë të fletëvotimeve, të cilët përputhen plotësisht me numrin e fletëvotimeve të pranuara dhe të verifikuara deri më tani në Qendrën Komunale të Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës,” thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Po ashtu, KQZ ka siguruar publikun, votuesit dhe të gjithë akterët e përfshirë në procesin zgjedhor se ky gabim teknik nuk ndikon në integritetin e procesit të votimit apo të numërimit të votave.
“Fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që garantojnë se ato nuk mund të falsifikohen apo kopjohen,” përfundon komunikata.




