Policia e Kosovës e ka konfirmuar raportimin e “Betimi për Drejtësi” për ndryshime në pozitat drejtuese të komandantëve të stacioneve policore në Pejë, Suharekë dhe Klinë.
Sipas konfirmimit të Policisë, kapiten Faik Jahmurataj është caktuar Komandant i Stacionit Policor në Pejë, ndërsa kapiten Enis Lluka do të udhëheqë Stacionin Policor në Klinë.
Kapiten Afrim Sylaj, i cili më parë ka shërbyer në Stacionin Policor në Suharekë, është transferuar në Qendrën Rajonale Operative të Drejtorisë Rajonale në Prizren.
“Këto ndryshime bëhen me qëllim të rritjes së efikasitetit në menaxhim dhe përmbushjes së detyrave policore në përputhje me prioritetet operacionale të Policisë së Kosovës”, thuhet në konfirmimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka konfirmuar se edhe komandanti i deritanishëm i Stacionit Policor në Lipjan, kapiten Argjent Gashi, ka kërkuar lirimin nga detyra, kërkesë që është aprovuar nga menaxhmenti i PK-së. Në këtë pozitë është emëruar kapiten Brahim Shatrolli.
Idriz Atashi, komandant i Stacionit Policor në Pejë, dyshohet se është shkarkuar pas publikimit të hulumtimit të “Betimit për Drejtësi”.
Ky hulumtim ka zbardhur detaje të rastit që çoi në arrestimin e dy eprorëve të lartë të Policisë – Prekë Tuna, shef i Sektorit të Operativës në Pejë, dhe Nexhat Gutiqi, shef i Sektorit Rajonal për Operativë. Hetimi ngriti dyshime serioze për ndërhyrje të mundshme në procedurat policore dhe shmangie nga detyrat zyrtare. Sipas të dhënave të siguruara, personi i përfshirë në rast kishte raporte shoqërore me zyrtarë të lartë policorë.
Pas publikimit të këtij hulumtimi, Tuna dhe Gutiqi u ndaluan për 48 orë me vendim të Prokurorisë Themelore në Pejë. Aktualisht, ata janë pezulluar nga detyra dhe u është caktuar masa e ndalimit të afrimit ndaj personave apo vendeve të caktuara. Prokuroria ka konfirmuar se ka vepruar pas pranimit të informacioneve nga “Betimi për Drejtësi”.
Në një rast tjetër, komandanti i Stacionit Policor në Suharekë, Afrim Sylaj, dyshohet se është shkarkuar pas vdekjes së një personi të ndaluar, i arrestuar nën dyshimin për dhunë në familje. Në këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) kishte rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë – një rreshter dhe dy policë – për shkak të dyshimeve për neglizhencë në përmbushjen e detyrave zyrtare.
Ndërkohë, komandanti i Stacionit Policor në Klinë, Ragip Bytyqi, dyshohet se është shkarkuar pas një rasti ku tre zyrtarë policorë u arrestuan për keqtrajtim të një qytetari gjatë arrestimit. Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, në bashkëpunim me IPK-në, pas grumbullimit dhe analizimit të provave, tre zyrtarët u arrestuan për tejkalim të autorizimeve ligjore dhe keqtrajtim fizik ndaj një personi të prangosur.
Komandanti i stacionit policor në Lipjan, Argjend Gashi kishte kërkuar të lirohet nga detyra pasi Agon Zejnullahu vdiq derisa ishte duke u arrestuar në qendër të qytetit. Pesë policë janë në masën e paraburgimit nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia.