Një incident i rëndë është regjistruar pas mesnate në qytetin e Gjilanit, ku një person ka sulmuar fizikisht dhe verbalisht zyrtarët policorë në vendin e një aksidenti trafiku, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 24 korrik 2025, rreth orës 00:45, pas një aksidenti në rrugën “Lufta e Gjilanit 44”, njësia patrulluese ka dalë në vendngjarje për të trajtuar rastin.
Mirëpo, sapo zyrtarët kanë nisur veprimet procedurale, i dyshuari, Flamur Bislimi, 23-vjeçar i cili ishte njëri nga shoferët e përfshirë në aksident, ka shfaqur sjellje arrogante dhe provokuese ndaj tyre.
Sipas Policisë, i njëjti ka penguar zyrtarët në kryerjen e detyrës, duke i fyer dhe shtyrë fizikisht, konkretisht njëri prej zyrtarëve është shtyrë me duar në krahë gjatë përpjekjes për ta vendosur nën kontroll.
Për ta neutralizuar situatën dhe shmangur përshkallëzimin, zyrtarët janë detyruar të përdorin spray OC dhe ta shoqërojnë të dyshuarin në stacionin policor.
Pas intervistimit dhe konsultimit me prokuroren kujdestare, është marrë vendim që Flamur Bislimi të ndalohet për 48 orë për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa hetimet janë në zhvillim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.