Fatmir Limaj kërkon dorëheqjen e Vjosa Osmanit: Shkeli Kushtetutën
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar ashpër ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që konstatoi se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga legjislatura e nëntë ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Limaj vlerësoi se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi presidenten Vjosa Osmani, për të cilën tha se ka vepruar jashtë kornizës kushtetuese.
Sipas tij, pranimi i konstituimit të Kuvendit në një formë që tashmë është shpallur jokushtetuese, si dhe dhënia e mandatit një personi që, sipas Limajt, nuk kishte legjitimitet zgjedhor, kanë krijuar pasiguri serioze juridike në vend.
Limaj theksoi se në rrethana të tilla duhet të ketë përgjegjësi institucionale, duke nënvizuar se kjo, sipas tij, nënkupton edhe dorëheqjen e presidentes.
